Në projekt-buxhetin për vitin 2022 të qeverisë, parashikohet rritje pagash për disa kategori. Njëherazi, qeveria ka deklaruar se do të ketë rritje të borxhit publik.
Këtë fenomen e sheh si kontradiktor eksperti i ekonomisë Selami Xhepa, i cili për Euronews Albania u shpreh se një qeveri që po pëson rritje ekonomie, nuk ka nevojë të rrisë borxhin publik, ndërsa tha se shtimi i borxhit do e rëndojë shumë ekonominë në vend.
“Ka shumë kontradiktave pasi thuhet se do të rritet borxhi publik kur paskemi rritje të fortë ekonomike. Marrja e borxheve ndodh atëherë kur rrezikojmë shembje të ekonomisë”, u shpreh z. Xhepa.
Eksperti i ekonomisë tha se burimet e financimet dhe kostot që shoqërojnë politikat e buxhetit të shtetit, duhen diskutuar dhe bërë transparente.
Ai tha se rritja e pagave për disa kategori si policët, apo mjekët nuk është përgjigje ndaj krizës aktuale, por ndjekje e politikave të qeverisë për ripërshtatje afatgjatë të pagave.
“Indeksimi i pagave dhe pensioneve modeste për grupe të caktuara është thjesht një ndjekje e një politike të qeverisë që ka të bëjë me ripërshtatje të pagave me trendin afatgjatë dhe jo përgjigje ndaj krizës aktuale”, tha Xhepa.
Selami Xhepa foli edhe për reformën në sektorin energjetik në vend, ku tha se zhvillimet deri tani nuk janë pozitive, pasi “nuk ka shtuar asnjë kilovat energji elektrike, përveç kontratave të trashëguara”.
https://youtu.be/0VrJ-xe4m-0