Koment

Rama, ose konkluzioni logjik i politikës së tranzicionit

               Publikuar në : 08:46 - 13/02/20 Klementin Mile

Klementin Mile

Edi Rama është sot kryefjala e të gjitha ngjarjeve politike – ato ose e implikojnë direkt, ose marrin kuptim vetëm po t’i referohen atij.

Kështu është me Reformën Zgjedhore, me Reformën në Drejtësi, me zgjedhjet lokale të qershorit, me djegien e mandateve opozitare, me protestat dhe gazin lotsjellës, me shitblerjen e votave, me Rilindjen Urbane, me kandidimin e njerëzve me probleme penale, me aspiratat e Lulzim Bashës për kryeministër, me betejën kushtetuese të Presidentit, me fatin politik të Monika Kryemadhit, me Sali Berishën, me opozitën e re që mbeti në Parlament etj etj.

Të gjitha këto ngjarje, procese dhe struktura marrin kuptim politik vetëm duke iu referuar personit Rama, qoftë ky në rolin e kryeministrit apo të kryetarit të Partisë Socialiste.

Por Rama nuk është kënaqur me kaq; ai ka synuar të bëhet jo vetëm qendra ekskluzive e jetës politike, por edhe e jetës sociale, ekonomike, artistike, arsimore, shkencore, pra e jetës që gjallon jashtë politikës.

Rama, në këtë mënyrë, po zhvlerëson gjithçka që ndodh në shoqëri dhe që nuk buron prej tij; kështu ai po shkatërron të gjitha motivet dhe po neutralizon të gjitha energjitë e shoqërisë për të projektuar një të ardhme tjetër nga e sotmja, ose nga e tija.

Ky pretendim, për të qenë autoritet në të gjitha fushat e jetës dhe aktivitetit social, nuk vjen vetëm nga personaliteti delirant dhe megalloman i Ramës, sikundër thonë zakonisht kundërshtarët e tij, por shpeshherë edhe përkrahësit e tij.

Rama, para se të jetë profil psikologjik i ndonjë studiuesi, është fenomen politik i tranzicionit shqiptar.

Kjo do të thotë se ai, si fenomen politik, mund të kuptohet në kuadrin e politikës së tranzicionit të vendit tonë nga komunizmi në kapitalizëm, nga monizmi në pluralizëm, nga siguria e garantuar e një jete të varfër te liria e pagarantuar e një jete të pasur, nga ekonomia e planifikuar te ekonomia e tregut, dhe nga një shoqëri e mbyllur te një shoqëri e hapur.

Politika e tranzicionit, fatkeqësisht, nuk i realizoi premtimet e saj; aq sa sot po vihet në dyshim edhe aftësia e konceptit të tranzicionit për të shprehur ato që kanë ndodhur në vendin tonë.

Por mëkati më i madh i politikës së tranzicionit ka qenë strategjia politike e përdorur nga partitë.

“Përça e sundo!” është emri i strategjisë – nxiti masat të fokusohen te dallime të vogla me njëri-tjetrin dhe jo te nevojat e përbashkëta; kjo i mundëson elitës politike të zbatojë sisteme nga të cilat shumica nuk përfiton, por dëmtohet; por njerëzit këtë nuk e vënë re, sepse janë duke u konfliktuar me njëri-tjetrin.

Strategjia “përça e sundo!” u vu në funksionim, mbi të gjitha, prej dallimit komunist/antikomunist; thundrat e këtij kali beteje mund t’i shohim edhe sot te debati qesharak për datën e çlirimit të vendit nga pushtimi fashist.

Kjo strategji, politikisht, ka qenë mjaft e begatë: ajo solli në pushtet Berishën, pastaj Nanon, pastaj prapë Berishën, dhe përgatiti rrugën për Ramën.

Ky i fundit, megjithatë, nuk mund të vazhdonte më gjatë me strategjinë 25 vjeçare të politikës së tranzicionit; ai duhej të përpunonte politikisht pasojat e saj.

Pasoja të tilla ishin mungesa e shërbimeve publike cilësore, korrupsioni, papunësia, padrejtësia, varfëria, mungesa e meritokracisë, pandëshkueshmëria dhe informaliteti.

Të tilla pasoja, duke qenë se preknin shumicën dërmuese të popullsisë, sugjeronin një strategji politike tjetër, një strategji politike populiste, atë që mund të emërtohet “bashko dhe sundo!”.

Rama premtoi ndryshimin që kërkonte shumica e popullsisë, përtej së majtës dhe së djathtës, pavarësisht nostalgjisë komuniste apo indinjatës antikomuniste.

Formula e tij ishte sa e thjeshtë aq dhe domethëse: Rilindja.

Nën këtë term u kërkua bashkimi i të gjithë të pakënaqurve nga qeverisjet e mëparshme, me synimin për të bërë një politikë të re, në frymën e rilindasve, në dialog me shqiptarët, me platforma bashkëqeverisjeje, e të tjera formulime populiste si këto.

Rama u premtoi të gjithëve gjithçka: arsim cilësor, shëndetësi falas, drejtësi të re, ekonomi funksionale, punë për punëtorin, dinjitet për policin, nëpunësin dhe mjekun, asistencë për të varfërin, të ardhme për riun, lehtësi për biznesmenin.

E megjithatë, pas dy dekadash e gjysmë zhgënjimi me produktin e strategjisë politike “përça e sundo!”, populizmi funksionon; dhe ai, i mishëruar te Rama, është konkluzioni logjik i politikës së tranzicionit. /Gazeta Liberale

 

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back