Aktualitet

Rama kujton Pashko Vasën: Ishte ndër “socialistët” e parë europianë

Shkruar nga Liberale
Rama kujton Pashko Vasën: Ishte ndër “socialistët” e

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur sot për të përkujtuar shkrimtarin e njohur shqiptar, Pashko Vasa, të cilin e quan një gur këndor të rimëkëmbjes shqiptare në shekullin XIX, pesha e të cilit sipas tij, mbetet e admirueshme sot e gjithë ditën.

Mesh rreshtas, kryeministri thekson se shkrimtari “Drithëron epika dhe njëkohësisht lirika e tij poetike që lajmëron ardhjen në letërsi të një Fishte, të një Shiroke e të një Mjede; fryma elegjiake me rënkimet në një gegnishte të hyjshme e lartësojnë në nivelin e autorëve më të mirë europianë; kultura, intelekti dhe njohja e thellë e ngjarjeve, i japin dorë të rendisë fjalën fluturake të artit krijues, me lehtësinë e një Petrarke e një Torquato Tasso, poetë aq domethënës për të”.

Mesazhi i Ramës:

HOMAZH

PASHKO VASA është një gur këndor i rimëkëmbjes shqiptare në shekullin XIX, pesha e të cilit mbetet e admirueshme sot e gjithë ditën.

Shkrimtar e publicist, diplomat e nëpunës i lartë civil e mbi të gjitha, një shqiptar kolos, me shumë dhunti e me shqipen dykrenare në zemër ai i flet sot e gjithë ditën ndërgjegjes së kombit tonë.

Veprat e shkruara të shkodranit të talentuar që lindi në kryeqytetin e vjetër të Ilirëve, më 17 shtator 1825, në familjen mirditore të Hilë Gjokë Vasës dhe Drande Gjegjës, kanë bërë epoke dhe janë xhevahirë atdhetarie në tekstet shkollore e në çdo librari. Drithëron epika dhe njëkohësisht lirika e tij poetike që lajmëron ardhjen në letërsi të një Fishte, të një Shiroke e të një Mjede; fryma elegjiake me rënkimet në një gegnishte të hyjshme e lartësojnë në nivelin e autorëve më të mirë europianë; kultura, intelekti dhe njohja e thellë e ngjarjeve, i japin dorë të rendisë fjalën fluturake të artit krijues, me lehtësinë e një Petrarke e një Torquato Tasso, poetë aq domethënës për të.

A mjafton vepra e shkruar për të rrokur Pashko Vasën, Vaso Pashën? “Brenda meje, shumë personazhe”, pat shkruar Shekspiri, a thua se ka lënë epigrafin e jetës së shkodranit. Katoliku shqiptar, në realitet fort besimtar, e aspak supersticioz, realist e praktik, i shërbeu perandorisë së gjysmë hënës me një luajalitet që në këmbim i mundësoi të peshonte si pak të tjerë në favor të çështjes shqiptare. Revolucionari dhe një nga “socialistët” e parë europianë, që pagëzimin e luftës e mori në betejat për bashkimin e Italisë qysh 22 vjeç, shkelqeu si vali dhe pasha në shekullin e Abdyl-Hamidit II, duke qeverisur rajonin më delikat e të vështirë të kohës, Malin Liban (Mont-Liban), ku përplaseshin e tërhiqeshin si batica e zbatica deti, interesat me divergjente të fuqive të mëdha, në mozaikun më të koklavitur fetar, mes maroniteve, melkiteve, sunnitëve, druzëve, alauiteve dhe shiitëve; meritë e padyshimtë e shqiptarit të madh, oriental por aspak levantin, që kjo shkapërdarje e patreguar gjeti një « modus vivendi » në kohën kur triumfonte revolucioni industrial, në zemër të Belle époque dhe të nacionalizmave të shfrenuar.

Pushtetari perandorak, ishte nga ana tjetër dhe më shumë se çdo gjë tjetër, shqipua i paepur i maleve, që tërhoqi fort pas vetes një mori vëllezërish myslimanë e të krishterë në Stamboll për t’i dhënë dum çështjes kombëtare. Themelues i Komitetit të fshehtë të Stambollit dhe i Shoqërisë së Shkronjave, ai është në fakt i parëlinduri dhe maja e ajsbergut e një morie shqiptarësh mjerisht ende të panjohur stambulliote, që ftilluan atë rrjet të padukshëm e tejet efikas ndikimesh e ndërveprimesh, që mu në zemër të perandorisë, ringriti flamurin e kombësisë dhe të mbrojtjes së integritetit të trojeve tona.

Elegant, galant, burrëror e gjithaq i ndjeshëm, reflektoi me thellësinë e qetë të një romantiku syçelët, plagët e shumta dhe gëzimet e pakta me të cilat e sajdisi fati gjatë një jete ku morti, por edhe shpresa, iu bënë mysafirë të përhershëm.

Fisniku Pashko Vasa është dhe do të mbetet një nga Etërit më të lavdishëm të kombit tonë, të cilin e begatoi aq shumë me dashuri, përkushtim e një trashëgimi të pazëvëndësueshme letrare.

#TëPAHARRUESHËM?

https://www.facebook.com/edirama.al/photos/a.10151850199621523/10158156733121523/?type=3

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH