Mjeku Artan Simaku tha në News 24 se, virusi i gripit dhe ai i Covid-19 kanë qarkulluar njëkohësisht. Sipas mjekut, momentalisht situata e gripit në vend është në situatën që ka qenë para pandemisë Covid-19.
"Momentalisht situata e gripit është njëlloj si ka qenë para pandemisë, gjatë pandemisë edhe për shkak të kufizimeve gripi nuk qarkulloi dhe pati shumë pak raste vitin e dytë. Momentalisht i është kthyer qarkullimit të zakonshëm stinor. Momentalisht qarkullojnë virusi i tipit A dhe tipit B. Qarkullimi është i përhapur në gjithë vendin dhe prek gjithë moshat, intensiteti është i ulët dhe ka prirje në rritje. Piku i qarkullimit arrihet në fundin e janarit dhe në fillimin e shkurtit dhe mbaron rreth muajit mars. Tashmë kemi hyrë në fazë ne aktivitetit të zakonshëm stinor, shifrat nuk janë të larta në lidhje me gripin, por ka bashkë qarkullim të gripit dhe të Covid. Ajo që është e rëndësishme është vaksinimi. njerëzit mund të vaksinohen për të dyja viruset njëkohësisht. Përveç vaksinimit nuk duhen neglizhuar maskat, distancimi dhe higjiena për grupet me risk të popullatës", u shpreh ai.
I pyetur se si qytetarët mund të dallojnë nëse janë infektuar me grip apo Covid-19, Simaku u përgjigj: "Klinikisht nga mjekët mund të bëhet një dallim mes sëmundjeve pavarësisht se shenjat janë shumë të ngjashme. Ky dallim është temperatura dhe kohëzgjatja, gripi ka temperaturë të lartë që zgjat për 4-5 ditë dhe ka dhimbje dhe gjendje dobësie më të theksuar se covidi. Jemi në stinën ku pandemia nuk ka mbaruar akoma, vaksinimi duhet kryer për të dyja sëmundjet për të qenë më të mbrojtur".