Deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën sërish këtë të mërkurë, për të vijuar me procedurën e konstituimit në përpjekjen e 19 radhazi, por pa sukses.
Në pritje të një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese nëse votimi i fshehtë që ka kërkuar Lëvizja Vetëvendosje është apo jo legjitim, partitë opozitare këmbëngulin në qëndrimin e tyre për mosvotimin e Albulena Haxhiut.
“Ne nuk i komentojmë dëshirat e deputetit Kurti, e vlerësojmë realitetin politik që kemi në kuvend. Nuk ka shumicë parlamentare, i bëjmë ftesë të reflektojë, të ndërrojë kandidatin, dhe të ecim tutje…”, tha deputetja e PDK, Vlora Çitaku.
Të gjitha palët vijuan njësoj edhe në këtë seancë edhe pse kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje deklaroi se emri i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit nuk do të ndryshojë.
“Mos ta bëjmë këtë lojë negative. Duhet të respektojmë propozimet e njëri-tjetrit…”, tha kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Më tej Kurti tha se do të jetë i gatshëm për të bërë kompromise me partitë e tjera për të plotësuar numrat për qeverinë e re, megjithëse ai nuk sqaroi pse nuk po i përdor të njëjtët numra edhe për zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
“Ata nuk besojnë se unë i kam 61 vota për kryeministër. Unë u them atyre më testoni. Nëse ata besojnë që Albin Kurti nuk i ka 61 vota deputetësh për t’u bërë kryeministër përsëri e kanë në dorë të më testojnë. Le ta votojnë Albulenën dhe le të më testojnë mua, nëse unë dështoj, pikërisht kjo do të ishte fitore për ta”, tha Kurti.
Kurti tha se e gjithë përgjegjësia për konstituivin e Kuvendit i takon opozitës e cila sipas tij duhet të votojë, e jo te kundërshtojë propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje e cila është e vetme parti me të drejtë propozimi për këtë procedurë.
Konstituimi i Kuvendit do t’i hapte rrugën qeverisë së re e cila do të sjellë të papritura pasi askush nuk po mundët të formojë një shumicë. Nëse nuk arrihet një marrëveshje politike mes subjekteve, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.