Balerini i njohur shqiptar, Ilir Shaqiri, ishte mëngjesin e sotëm i ftuar në emisionin “Në shtëpinë tonë”, ku foli për projektin e tij më të ri në Top Channel, “Shqiptarët e diasporës”. Ai do të jetë në rolin e kryetarit të jurisë.
Gjatë bisedës moderatorët e programit, Julka Gramo dhe Alban Musa, e kthyen atë pak vite më parë kur ishte pjesë e shtëpisë më të famshme në Shqipëri, “Big Brother VIP 1”.
Fituesi i edicionit të parë të reality show-t u shpreh se ‘Big-u ngel gjithë jetën’.
“Është një eksperiencë që të shënon shumë brenda vetes dhe të jep shumë. Të jep aq shumë sa ti gjithmonë do ta mbash me vete. Ishte një edicion mendoj unë shumë i veçantë, sepse të gjithë ata që ishin konkurrentë të 1, hymë si cjapi te kasapi”, tha Ilir Shaqiri.
Ndërsa i pyetur nëse do t’a bënte prapë eksperiencën në Big, nëse do të bëhej me fituesit e të gjithë edicioneve, Iliri u përgjigj ‘mendoj se po’.
“Do të isha kureshtar t’a përktheja Ilirin në një dinamikë tjetër tani. Sepse duke parë atë që edhe shqiptarët duan, mendoj se nuk do ishte e udhës që të luaja në një mënyrë kaq të qetë. Njeriu nuk mund ta ndryshojë karakterin e vet për shkak të një loje, por gjithsesi dinamikat mund t’i udhëzosh në një mënyrë tjetër, më pak natyrale se sa ato që ishin në vitin që isha unë. Edhe me njerëz të tjerë njeriu sillet në mënyrë tjetër”, tha balerini.