Aktualitet

Prindërit nisin mbledhjen e firmave për kthimin e normalitetit në shkolla

Shkruar nga Liberale
Prindërit nisin mbledhjen e firmave për kthimin e normalitetit në

Prindër të nxënësve të institucioneve publike të Tiranës kanë nisur mbledhjen e firmave për rikthimin e normalitetit në shkolla.

Firmosja e peticionit ka nisur nga shkolla “Emin Duraku”, e cila edhe këtë vit e zhvillon mësimin me katër turne. Por sa i vështirë është ky skenar mësimi për fëmijët dhe prindërit?

“Fillojnë mësimin në 16:30 me 18:30 dhe janë fëmijë 7 dhe 8 vjeç. Një prind që do ta çojë fëmijën në 16:30 i duhet të paguajë dikë për ta mbajtur paradite. Veç kostos financiare, kjo është e tmerrshme, pasi po i shohim fëmijët si barrë. Të gjithë këtë diskutim kemi, ku do t’i lënë fëmijët?!”, ngre shqetësimin një nga prindërit për A2.

Në fundjavë, nismëtarët e peticionit do të vendosen në zona të ndryshme në Tiranë për mbledhjen e sa më shumë firmave. Ndërsa javën e ardhshme, ai do t’i dorëzohet Ministrisë së Arsimit.

Ky është viti i tretë shkollor që mësimi në shkollat publike zhvillohet me skenarë nga pandemia dhe për shkak të mungesës së kushteve në shkollat publike.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH