Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh se zgjedhjet e 11 majit ishin farsë elektorale.
Në studion e “Opinion” në Tv Klan drejtuesi, Blendi Fevziu i tha se nëse PD do të nxirrte në lista kandidatë që do të mblidhnin vota dhe do të frymëzonin njerëzit, rezultati i zgjedhjeve mbase nuk do të ishte ky.
Lidhur me këtë, Berisha thekson se të gjithë kandidatët e Partisë Demokratike kanë punuar në fushatë. Kreu i PD-së thotë se në këto zgjedhje i janë servirur Tiranës kësaj here nga Partia Demorkatike kandidatët më të mirë në të gjithë ekzistencën e saj.
Ndërkohë Berisha ndër të tjera thekson se çdo kandidat i Partisë Demokratike përfaqësonte një personalitet të vërtetë, teksa kandidatët e Partisë Socialiste i quajti ‘hajdutë me çizme’.
“Nga ana cilësore secili prej tyre përfaqësonte një personalitet të vërtetë. Kundërshtarët e tyre secili përfaqësonte një hajdut me çizme”,shprehet Berisha.
Berisha u shpreh se më 11 Maj nuk pati zgjedhje, por farsë elektorale.
“Ti flet për zgjedhje unë flas për farsë, janë dy gjëra krejt të ndryshme. Proces zgjedhor zhvillojnë pothuajse 99% të vendeve të botës, por narkodiktaturat zhvillojnë farsa elektorale. Ka farsë elektorale, dhe ka zgjedhje” i tha Berisha pas insistimit të drejtuesit të Opinion, Blendi Fevziut.
“11 Maji ishte farsë absolute. Marrim faktin a ishin farsë? Janë 16 dokumente ndërkombëtare mbi të cilat bazohet janë garant të parimeve të zhvillimeve të zgjedhjeve. Dallimi midis farsës dhe zgjedhjeve është pikërisht barazia”, u shpreh kryedemokrati Sali Berisha.
Në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, Partia Demokratike dhe koalicioni i saj “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” fitoi 50 mandate deputetësh, ndërsa Partia Socialiste fitoi 83 mandate.
Në vijim të pretendimit të tij, Berisha citoi raportin e OSBE/ODIHR.
“Raporti ka futnota dhe futnotat përtojnë t’i lexojnë, i kam me citime të vëzhguesve një për një, është dhunuar Kodi i Venecias për praktikën e zgjedhjeve të mira.
Është dhunuar ODIHR dhe Kodi i Venecias për parandalimin e keqpërdorimit të administratës dhe burimeve të tij, janë dhunuar direktivat e Këshillit të Europës për zgjedhjet”.
Kryetari i PD akuzoi Kryeministrin Edi Rama për blerje votash.
“Ne hymë në zgjedhje pasi në mes të zgjedhjeve një javë para datës së zgjedhjeve, në Valencia 82 parti politike damkosën zgjedhjet si zgjedhje në të cilat Edi Rama po blen vota me mbjellje kanabisi, me prokurime, me banditë. Janë të shkruara e zezë mbi të bardhë.
U faktua se u zhvillua një farsë elektorale. Ne zbatuam me përpikmëri Kushtetutën e vendit.
Ne mbrojtëm votën e shqiptarëve dhe u bëmë shqiptarëve një shërbim”, tha Sali Berisha.