
Reldar Dedaj
Na ka rastisur të dëgjojmë shumë shpesh, për shembull, se si mund të quhen politikanët e pas viteve nëntëdhjetë? Do të quheshin ashtu siç është bërë zakon; politikanë të demokracisë, politikanë të tranzicionit apo do të gjendej një tjetër emërtim. Dhe kryesorja si do të vlerësoheshin ata. Si diçka që do bien bashkë me tranzicionin? Si diçka të panevojshëm, të parëndësishëm, që do të kujtohen vetëm si datë apo si kureshti? Shumë njerëz, një pyetje të tillë, e kanë ngritur disa herë ose gjithmonë kur kanë vënë re që një nga politikanët kryesore të vendit është paraqitur para portës së drejtësisë. Me shumë gjasa, kështu mund të ketë ndodhur edhe sot, ata, qytetarët pra, kanë ngritur hamendësimet e tyre të përhershme kur vunë re këtë të mërkurë kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta teksa ngjiste shkallët për t’u futur në portën Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Dhe kjo është hera e dytë.
Ka edhe nga ata politikanë, në fakt, shumë prej tyre, që portën e SPAK-ut e shohin të ngjashme me atë portën që dikush pandeh ta ketë lexuar tek Dante Alighieri, ku hyet pa kthim. Ajo është një portë që s’e mbyll dot me këmbë, por je i shtrënguar ta lësh hapur për të tjerë, në një rast fatlum dhe ta gjesh hapur, kur të dalësh në kthim. Arsyeja e kapërcimit të kësaj porte dihet. E tha vetë Meta. Megjithatë, këto tre vite, produkti i SPAK nuk ka qenë në lartësinë e pritshmërive të publikut, pavarësisht disa sukseseve. Mos vallë kanë qenë edhe pritshmëritë dhe padurimi i publikut ndoshta më i lartë sa duhet në kuptimin e kohës që i nevojitet një reforme të madhe të japë frytet e saj, apo përsëri SPAK mund të ketë zhgënjyer. Paraqitja e Ilir Metës, një prej politikanëve më të rëndësishëm të tranzicionit, na paralajmëron se korporata e të paprekshmëve në sferat e larta, ata që mund të jenë subjekte të llogaridhënies dhe hetimeve penale, ata që duhej të kishin frikë nga SPAK, pavarësisht organizimit të tyre, e kanë të pamundur të pengojnë hetimet e këtij institucioni.
Në gjithë këto ecejake të politikës shqiptare, në këtë rast, të nje prej aktorëve më kryesorë të saj, ekziston një detaj, që pak kush ose askush e mban mend Ilir Metën në prill të 2008-ës, me mëngët e përveshura dhe me krahët e nxira nga shiringat e serumit, mjekrën e parruar, i ngujuar me një grusht deputetësh në sallën e Parlamentit në një grevë të gjatë urie. I vetëm, me disa parti të vogla kundër kurthit që i kishin ngritur dy të mëdhenjtë, PS dhe PD, për ta eliminuar politikisht, madje kishte ndodhur diçka shumë më e madhe se kaq, vetë dy partitë e mëdha, ishin të bindura si asnjëherë më parë se ndryshimet kushtetuese që kishin miratuar në konsensus me njëra-tjetrën do ta linin jashtë një herë e përgjithmonë atë dhe partitë e tjera të vogla.
Nuk ndodhi kështu. Llogaritë ishin bërë apo rezultuan gabim kjo ka pak rëndësi. Ajo çfarë vlen të mbahet mend nga e gjithë kjo histori është se në vitin 2009, Ilir Meta, arriti të mbijetojë. Kjo është një datë e rëndësishme për historinë e tij politike, pasi fati e solli që PD të kishte nevojë për një votë më shumë sepse ishte ndaluar në vijën e kuqe, plot 70 vota. Aq sa të pengonte marrëveshjen që PS dhe LSI të bëheshin bashkë, po mjaftueshëm për të krijuar edhe ajo vetë një qeveri. Shkurt. Mandatet e Metës u bënë të arta. Qeverisja me PD-në e fuqizoi në atë kohë LSI-në dhe më 2013, një nga dy forcat që kishte tentuar ta eliminonte, PS, e ftoi në koalicion. Ato zgjedhje e nxorën Metën edhe më të fortë. Ai nuk kishte më mandatin e artë që bënte diferencën, por disa mandate të domosdoshme që PS të bënte numrin magjik 71. Kaq duheshin për të pasur një qeveri dy-partiake. Një numër i lartë mandatesh i dha edhe një lloj autonomie brenda mazhorancës.
Dy partitë e mëdha, më në fund e kuptuan, Meta jo vetëm që nuk kishte dalë nga skena politike, jo vetëm që nuk ishte rrudhur, por ishte shndërruar në një nga faktorët kryesorë se nga do anonte balanca e pushtetit. Fuqizimi i Metës ishte krejt në drejtim të kundërt me atë që i kishin parashikuar atij në vitin 2008. Sistemi jo vetëm që nuk u bë dy partiak, por akoma më keq se kaq, në fillim me të drejtë qytetarët menduan se Shqipëria ka tre forca politike, por me kalimin e kohës kuptuan që pavarësisht ngjyrave, retorikës dhe gjatësisë së liderëve të këtyre forcave, në fakt, Shqipërinë e drejtonte vetëm një parti që udhëhiqej nga tre persona.
Njerëzit e kuptuan shumë shpejt se ç’ka ndodhur me vendin, ata madje e pranojnë me një ndjenjë fatalizmi se jemi në kushtet e një regjimi, por kërkojnë të dinë se si do të jetë përgjigjja e institucioneve të reja të drejtësisë në këto rrethana të reja. Për fat të keq, kjo përgjigje po vonohet. Në sytë e shqiptarëve, Ilir Meta është njeriu që i ka provuar të gjitha postet më të larta: atë të kryeministrit, kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit. Kurse Edi Rama, që prej vitit 1998 e këndej, ka marrë sa herë ka dashur karrigen që ka piketuar. Me përjashtim të zgjedhjeve bashkiake të vitit 2011. Triniteti Berisha-Meta-Rama, kanë si stafetë autorsinë e tri gangrenave të demokracisë shqiptare: manipulimin e zgjedhjeve, pandëshkueshmërinë në sferat e larta të shtetit dhe korrupsionin masiv në sistem.
Cilido që pyet i habitur se pse qytetarët shqiptarë mbajnë frymën sa herë një politikan i rangut të lartë kalon portën e SPAK-ut, shkaqet e lartpërmendura mund të janë arsyet e vërteta. /Liberale.al/