Fatlum Meholli
Përmbledhja e parë poetike e Asdrenit, Rreze djelli, u botua për herë të parë në vitin 1904, ndërkaq Ëndrra e lotë në vitin 1912. E përmendëm këtë informacion, me qëllim që ta kemi parasysh se ngjarjet historike të Shqipërisë së kësaj periudhe kanë qenë frymëzimi kryesor për ndërtimin e poezive që më së shumti ndërlidhen me dimensionin atdhetar.
Dukuria e përzierjes së atdheut me letërsinë, ka qenë e diskutueshme, por Asdreni i vetëdijshëm për një kritikë të tillë të mundshme, në parathënien e përmbledhjes poetike Rreze djelli, ndër të tjera shprehet:
“Këto vjersha që të gjitha janë të thjeshta bërë prej zemrës me sa më ndihu fuqia e mendjes edhe gjuha. Mund që disa Shqiptarë t’i gjejnë të liga, se si ç’provova cmiri dhe nakari nuk u mungon shumë. Shqipëtarëve, po unë u them këto: aqë munda aqë bëra le të bëjnë ata më mirë, unë gëzohem vetëm kur dalin ndër dritë shumë libra që të njihemi se rrojmë edhe ne, se çdo libra që dalin, për Shqipërinë janë rreze djelli.”[1]
Me këtë vërtetohet edhe tendenca e autorit për fuqizimin e gjuhës shqipe e gjithashtu për ngritjen e vetëdijes kombëtare, tendencë që ndërlidhet me karakteristikat bazike të romantizmit shqiptar në përgjithësi. Andaj, edhe përafrimet e poezisë së Asdrenit në formë dhe përmbajtje me ato të autorëve romantikë shqiptarë, si fjala vjen me De Radës e Naim Frashërit, janë të dukshme.
Përmbledhja poetike Rreze djelli përbëhet nga disa cikle poezish, të cilat trajtojnë tema të veçanta. Por, ne po ndalemi në ciklin e parë, poezitë e të cilit janë emëruar si “Vjersha atdhesie”, me ç’rast poeti na njofton se kemi të bëjmë me dimensionin atdhetar, i cili për të ishte më i rëndësishmi. Tridhjetegjashtë poezitë e këtij cikli trajtojnë të kaluarën e lavdishme të popullit shqiptar dhe kanë karakter nxitës kundër atyre që kishin pushtuar Shqipërinë.
Për poetin konkretizimi i konceptit të lirisë te shqiptarët ishte parësor. Madje, ai lirinë e kërkon qysh në vjershën e parë të ciklit “Vjersha atdhesie” që titullohet “Këngë lirie”, në të cilën poeti iu drejtohet zanave që Shqipërisë t’ia sjellin lirinë e shumëkërkuar. Strofa e parë e vjershës na e vërteton këtë:
O zana të perëndishme,
Që këndoni trimëritë
Dhe lumtësin’ e njerëzis’,
Shqipërisë së tanishme
Jepnii edh’ asaj dritë
Të shohë rrezet e liris’.[2]
Por, liria natyrisht nuk vinte duke ndenjur duarkryq, andaj shumë poezi të këtij cikli kanë karakter nxitës. Përmes tyre, Asdreni i fton shqiptarët në një kryengritje kundër pushtuesve. Një tip i tillë poezie përbën pjesën dërrmuese të këtij cikli, por ne mund t’i përmendim disa prej tyre, siç janë: “Ardhi dita” në të cilën, ndër të tjera, poeti shprehet: Ngrihi, trima, mos përtoni/ Këtë kohë ta shpëtoni!, ose poezia “Poshtë errësira!”, në dymbëdhjetë strofat e së cilës shpërfaqet tendenca e poetit për ngritjen e popullit me qëllim të ndryshimit të gjendjes aktuale. Poeti, ndër të tjera, ironizon me shqiptarët që rrinin pa bërë asgjë, teksa Shqipëria ndodhej në një gjendje të vështirë:
Ç’është ky gjum’ i rëndë që ju ka zënë,
Që s’ju lë të hapni sytë, ç’domethënë?
Shqipërisë varrin pse vet’ ia rrëmoni,
Po nga balta që ka rënë s’e shpëtoni?
Poezi të tjera, të kësaj natyre, mund të merren edhe: “Këshillë”, “Mjaft”, “Shqiptar i vërtetë”, “Detyrë kini” etj. Ndërkaq, poezitë e këtij cikli vënë në qendër të vëmendjes edhe figurën historike të Skënderbeut, të tilla janë: “Palla e Skënderbeut” dhe “Nata e mrame e Skanderbegut”. Por, nuk mungojnë as poezitë e tipit didaktik, si fjala vjen poezia “Punoni paprerë”, në të cilën poeti, ndër të tjera, u bën thirrje mjeshtërve, tregtarëve, punëtorëve e ushtarëve që të punojnë pandërprerë për Shqipërin’ e mjerë.
Në ciklin “Vjersha atdhesie”, Asdreni sjell edhe poezi të tipit të përkushtimit, me nota elegjiake, për autorët e tij të preferuar, veprat e të cilëve i ngrit në piedestal. Poezi të tilla janë: “Girolamo De Radës” dhe “Naim bej Frashëri”.
Poezitë e përmbledhjes Rreze djelli, veçanërisht poezitë e ciklit “Vjersha atdhesie”, ndërlidhen me atë se “Asdreni në këtë kohë është i bindur se poezia duhet të luajë rolin vendimtar në ngritjen shpirtërore të lexuesve dhe në formimin e vetëdijes së tyre kombëtare; ai, vërtet, u përmbahet pikëpamjeve të formuara më vonë se poezia duhet të ecën krahëpërkrah politikës së ditës.”[3]
Përmbledhja tjetër poetike e Asdrenit Ëndrra e lotë gjithashtu përbëhet nga disa cikle poezish. Sipas ndarjes që kanë bërë studiuesit, vepra Ëndrra e lotë i takon fazës së dytë të krijimtarisë letrare të Asdrenit. Sikundër në veprën e parë, edhe në Ëndrra e lotë niset me ciklin e titulluar “Atdheu” që përbëhet prej tridhjetegjashtë poezish me karakter atdhetar. Të gjitha poezitë përbëhen prej motivesh të ndryshme, por që lidhen për atdheun, si lajtmotiv.
Cikli “Atdheu” fillon me poezinë “Drinit”, në të cilën poeti e shpërfaq pamundësinë e tij që të kontribuojë në ndryshimin e gjendjes që e kishte kapluar Shqipërinë e asaj kohe. Andaj, e vetmja mënyrë për poetin që t’i shfryjë emocionet e tij është komunikimi me lumin Drin. Poeti, ndër të tjera, i drejtohet lumit me vargjet:
Vall’ e ndjen ti robërinë
Që e ka mbytur Shqipërinë,
Q’ ësht’ e shkelur, copëtuar
Vargonjlidhur këmb’ e duar;
Për dallim nga poezitë atdhetare të veprës së parë, që më shumë kishin tendencë për nxitjen e shqiptarëve kundër pushtuesve, në veprën Ëndrra e lotë, gjegjësisht në ciklin “Atdheu”, dominojnë poezitë mallëngjyese, himnizuese, retrospektive e ironike-fshikulluese. Kësisoj kemi të bëjmë me një reagim poetik më “të pjekur” sesa në përmbledhjen e parë, qoftë për nga ana formale, qoftë nga ana përmbajtjesore.
Asdreni shkruante nga mërgimi, andaj edhe malli për vendlindjen e kishte mbërthyer poetin, që shkroi poezi shumë mallëngjyese, të cilat hetohen në ciklin “Atdheu”. Poezi të tilla mund të jenë: “Mallëngjim”, “Malli i shkretë”, etj., por rasti më tipik është poezia “Në mërgim”, dhjetë strofat e së cilës sublimojnë ndjenjat e autorit në raport me atdheun e tij:
Aty lark i mallëngjyer
Porsi murgu në shkreti,
Po mejtohem zemërthyer:
Vall’ a kthehem përsëri!
Edhe në këtë cikël me poezi, Asdreni nuk mund t’i shmanget vjershave që trajtonin figurën historike të Skënderbeut dhe bëmave të tij, me ç’rast kemi poezitë: “Varrit të Skanderbegut”, “Armët e Skanderbegut”, “Krujës”.
Në ciklin “Atdheu”, veç tjerash, hetojmë edhe poezi që ironizojnë dhe fshikullojnë të gjithë ata të cilët ishin kundër vendit të tyre dhe bënin gjëra të pahijshme në raport me atdheun. Rasti më tipik i një poezie të tillë është “Krerëve tradhëtorë”. Aty poeti shprehet se populli asnjëherë nuk do t’i harrojë bëmat e tradhtarëve:
Ju njohim cilët jini, s’ësht’ nevojë
T’u hapet libri i veprave të bëra
Se populli i përment papra me gojë;
Me kut i mat, me syt’ i sheh të tëra.
Cikli “Atdheu” përbëhet edhe nga shumë poezi që kanë karakter himnizues; të tilla janë: “Besa jonë”, “Zani i lahutës”, “Dëshmorëve të kombit” etj. Krejt e veçantë është edhe poezia “Kosovës”, në të cilën poeti me fjalët më të mira i drejtohet Kosovës dhe gjithashtu shpreh indinjatën e tij me ata që duan t’i thonë Serbi e vjetër ose Maqedhoni.
Në përmbledhjen poetike Ëndrra e lotë, gjegjësisht në ciklin “Atdheu” kemi të bëjmë me poezinë e famshme himnizuese “Betimi mi flamur”, që ka arritur të kthehet në tekst letrar të aplikuar. Pra, kjo poezi është shndërruar në himn kombëtar të Shqipërisë, dhe vija melodike që i është bashkuar tekstit, ka bërë që vargjet e saj të nguliten në mendjen e shqiptarëve në përgjithësi.
Përmbledhjet poetike Rreze djelli dhe Ëndrra e lotë, paraqesin shkëndijat e para poetike të Asdrenit. Në të dy përmbledhjet, poezitë me karakter atdhetar përbëjnë pjesën më të madhe të tyre, ndonëse nuk mungojnë edhe poezitë që trajtojnë tema të tjera. Ndërkaq, poezitë e tilla ndërtohen me një gjuhë të thjeshtë-popullore, me ç’rast paraqesin një shprehje poetike të drejtpërdrejtë.
[1] Gazeta “Fjala”, viti V, nr. 4, Rilindja, Prishtinë, 1972, fq.1.
[2] ASDREN: Vepra 1, Akademia e Shkencave të RPSSH, Tiranë, 1981, fq. 59. (të gjitha vargjet e tjera do të citohen nga i njëjti burim)
[3] Rexhep Qosjsa: Transformime dhe kontinuitete, Gazeta “Fjala”, viti IV, nr.4, Rilindja, Prishtinë, 1971, fq. 8.