Bujar Meholli
Letërsia komparative është në thelb krahasim metodik dhe diferencial i fenomeneve letrare, interkulturore e ndërgjuhësore që me ndihmën e historisë, filozofisë dhe kritikës, orvatet ta njohë më mirë letërsinë si funksion specifik të frymës njerëzore.
Në këtë shkrim, objekt do të jetë poeti arbëresh Zef Serembe (1844-1901), tek i cili do të përpiqemi t’i hetojmë shëmbëllesat apo pikëtakimet me poetin italian Leopardin. Serembe është poet me prirje të jashtëzakonshme për sonetin, të cilin e krijon me shumë sens, çka e bën të jetë një nga shenjat identifikuese të artit të tij poetik.
Formimi i tij intelektual i krijuar në tokën italiane është pa dyshim përcaktues në përkushtimin e Serembes ndaj sonetit, i cili u lind dhe zhvillua në Itali, duke u bërë formë e njohur në mbarë botën. Dante Alighieri e Francesco Petrarca janë dy figurat kryesore që e konsoliduan formën e tij. Zef Serembe krijon vëllim poetik me sonete të cilat i shkruan në italisht, por pa ndjekur modelet e poetëve të lartpërmendur.
Sonetet e Serembes janë shpërthime spontane që evidentojnë përjetime konkrete, si në poezinë “Fytyra e saj”:
Si vajza ime e bukur s’ka asnjë:
e prerë, e holl’ si kumbull, drejt më rri:
kur ecën, shkon si zogë e mbase më
zërin e saj e ngre plot harmoni.
I ndan flokët në mes dhe rrethas vë
gërshetin që i shkëlqen krejt në të zi,
i feks balli që rreze drite zë
si gryka e detit n’agim’n e ri.[1]
Pra, kemi të bëjmë me adresim që vazhdon tutje me konkretizim poetik duke skicuar portretin e vajzës dhe duke përshkruar bukurinë fizike të saj – sonetet e Serembes janë krijime autentike, formësim i ndjenjave dhe ideve të tij.
Leopardi dhe Serembe
Poeti italian Giacomo Leopardi (1798-1837) i njohur për pesimizmin me të cilin karakterizohet, përafrohet më së shumti me poetin arbëresh.
Konteksti i romantizmit i afron poezitë e tyre, por Serembe është i ndikuar edhe nga pesimizmi kozmik i italianit. Tek të dy poetët, haset bota e parë përmes gjuhës së zemrës, pastaj qëndrimi ndaj natyrës, po ashtu vend të veçantë në krijimtarinë e tyre ka personalizimi i temave dhe botëkuptimeve. Tërë jeta e italianit ishte radhë dëshpërimesh intime, dashurish të papranueshme e ideale të parealizuara në konflikt me vërtetësinë e zymtë të Italisë së asaj kohe. Serembe është konsideruar romantik atipik në kuadër të romantizmit shqiptar. Nga kritikët letrarë është quajtur poet i cili vetëm jep, pa marrë asgjë në shkëmbim. Pra, poet që nuk posedon asgjë. Gjithë krijimtarinë e tij poetike pohohet, është tërësisht autobiografike, që e dallon nga Dante apo Petrarka.
Tek krijimtaria poetike e Lepoardit, siç ka vërejtur kritiku italian Benedetto Croce, dominon koncepti i dashurisë dhe vdekjes. Këto dy koncepte i hasim dendur në poezitë e tij, tek të cilat ai nuk ka kurrfarë shpjegimi, as përçon ndonjë ton filozofik a didaktik, vetëm paraqet të vërtetat jetësore duke i përcjellë me pesimizmin e famshëm si te poezia “Vetvetes”.
Tash do të pushosh përgjithmonë,
e lodhura zemra ime. U tret i fundmi iluzion,
që t’përjetshëm e kujtova. U tret. Dhe e ndjej vërtet,
se tek unë iluzioneve të dashura,
u është shuar shpresa, po dhe dëshira për jetë.
Resht përgjithmonë. Asgjë s’ia vlen të krahasohet
me rrahjet tua, as për psherëtimën tënde
toka s’është e denjë. E hidhur e gjithë mërzi
është jeta, e asgjë tjetër; e një llum e tërë bota.
Ti qetësohu tashmë. I fundmi le të qëndrojë
ky pikëllim. Racës njerëzore fati i dhuron
veç vdekjen. Ndaj tash veten përçmoje,
natyrën, të shëmtuarën fuqi, që, mistershëm,
të keqen bën të mbretërojë,
bashkë me gjithë të pafundmen kotësi.[2]
Leopardi, përveçse shpreh zhgënjim e mosngushëllim, pajtohet me rrënimin: Dhuratë e vetme që fati na e ndau, është vdekja…
Nga ana tjetër, Serembe si poet tipik është kudo i njohur për zymtësinë e tij, të cilën mjeshtërisht e shkrin në vargje, por nuk e arrin dot metafizikën e Leopardit.
Poezia e Serembes akuzon, por është edhe shpresuese, (karakteristikë e poetëve romantikë), ndërsa për Leopardin nuk ka kthesë as shpëtim, as protestë, vetëm tundimi i vdekjes është gjithherë i pranishëm dhe e mundon, madje ai është i pasionuar pas vdekjes të cilën e thërret me dëshirë.
Filozofia e Leopardit është vuajtje e padurueshme ekzistenciale, ndërsa kënaqësia jetëshkurtër. Njohja e arsyes dhe jetës janë boshti kryesor leopardian që mund të lidhet me fatkeqësinë personale, përtej kësaj edhe me rrethanat e kohës kur Leopardi u zhgënjye me ngjarjet aktuale; nga kriza e Evropës me revolucionin francez; nga analfabetizmi i bashkëkombësve të tij, që ishte në nivel të lartë atë kohë. Pasi dëmtoi sytë në rini duke lexuar klasikët grekë, latinë e romakë, iu ndez zjarri i një jete heroike, rrethuar me ëndrra e dashuri ndaj atdheut, lirisë, por u trondit nga ngjarjet e epokës napoleoniane me plot kontradikta. Poezia e Leopardit shpreh qëllim filozofik origjinal që është i determinuar nga pesimizmi kozmik; poeti dhe filozofia gërshetohen e njësohen. Jean-Jacques Rousseau (1712-1778) ka qenë ndikues te djaloshi Giacomo, i cili u nis nga botëkuptimet e filozofit zviceran mbi pastërtinë e natyrës ndaj arsyes, por më pas mori hov qëndrimi i tij pesimist dhe sensibiliteti romantik. I formuar nga filozofia frënge e shek. XVIII, ai bëhet kundërshtar i arsyes “së ftohtë”; përmes pesimizmit jep notë të humanitetit mbi solidaritetin ndërmjet njerëzve që janë në dhimbje, si ai vetë.
Me tronditje shoqërore e kombëtare kemi të bëjmë edhe në poezinë e Serembes, i cili me romantizmin e tij që ishte reagim imagjinativo-emocional iu kundërvu rrethanave konkrete, u përpoq për ndjeshmërinë e pastër, derisa qëllim të poezisë bëri shqetësimin dhe tundimin personal. Në krijimet e tij zë vend melankolia dhe pikëllimi, si shenjëzime shpirtërore. Pra, krijimtaria është identifikuar në masë të madhe me jetën e tij, por edhe me ngjarjet e kohës në të cilën veproi. Sikurse Leopardi, edhe Serembe brohoriti me entuziazëm për luftërat çlirimtare. Poezia e tij bëhet poezi e së ardhmes e njëkohësisht e vetmisë; me këto tipare, ajo paralajmëron një botë të re, më të mirë dhe fisnike. Ajo përfshin motive të ndryshme si: dhimbja, shoqëria, filozofia, erotika e të tjera. Serembe përshkruan mallin, gëzimin e hidhërimin, vdekjen e mërzinë, që të gjitha e përbëjnë jetën e tij.
Elementet kyçe janë: melankolia, zymtësia, mjegulla, e errësira. Jeta dhe fatkeqësitë që i pësoi shfaqen në poezitë filozofike, ku Serembe përgjithëson fatin e tij dhe vuajtjet që ia solli. Kështu futet në misticizëm, duke pasqyruar dramën që e përjetoi, si te poezia me titull “Një ditë është jeta”:
Po vërej si Agimi, ja, nga deti ngjitet,
Dëgjoj si era mbushet me freski:
Shoh si dheu me dritë krejt stoliset,
Jeta me shpresë qesh dhe ëmbëlsi,
E hapet gazi edhe gëzimi rritet,
Largohet mjegulla ngado që rri.
Koha shkoi e mesdita na pllakosi;
Mërzimi nëpër sheshet mbaron,
Do të thotë se koha e mirë sosi.
Mbrëmja hap dyert e natës e nxin,
Gjumi gjinden e zë dhe s’e lëshon,
Njerinë fati ashtu në varr përpinë[3],
ku paraqitet fati tragjik i ngjizur me fatin e njerëzve të tjerë nëpër botë. Serembe shquhet për zymtësinë që përcjell, si në rastin e poezisë “Vashës së largët”, ku në njëfarë mënyre pajtohet me fatin e trishtë dhe mungesën e asaj që e dëshiron.
Fati është mjaft i fortë,
jep lëngime e jep mort,
posi hënës, posi djellit,
që kërkohen kot qjellit,
se i shkreti fat zbon
edhe kurrë s’i bashkon.
E kur fatin tim kujtoj
derdh un’ lot e psherëtoj.[4]
Filozofia e ndryshueshmërisë dhe pafundësisë, veç të tjerash, ishin karakteristika të romantikëve. Te poetët romantikë mbizotëron theksimi i sensibilitetit, relacioni me natyrën, si dhe dhimbja e shekullit.
Në poemthin “Elegji”, Serembe përshkruan ëndrrat dhe iluzionet; ai dëshiron “të ngjitet lart, i rrëmbyer nga dashuria e qiejve, ku do të harronte gjithçka: dheun, tokën, e të ligat e botës.” Por kjo utopi, përnjëherë rrënohet, zhbëhet. Vetmia është ajo që mbizotëron. Poeti arbëresh, për nga përvojat personale dhe fati i keq mund të krahasohet edhe me poetin gjerman Nikolaus Lenau (1802-1850), i cili po ashtu i takon romantizmit dhe është pesimist. Lenau, krijoi në kohë të trazuar nga ngjarjet socio-politike, derisa shkroi i frymëzuar nga pasioni dhe dashuria e madhe dhe e pashpresë për Sophie von Lowenthal, gruan e mikut të tij (që na kujton dashurinë dhe vuajtjet e djaloshit Verter). Më vonë te Lenau, u vërejtën shenja të sëmundjes mendore, njëjtë si tek Serembe.
Përafrim mes Leopardit dhe Serembes është edhe vdekja. I pari e kërkon atë, ndërsa i dyti është i mllefosur me jetën dhe dëshiron ta hedhë atë. Pra, tek të dy poetët jeta personale bëhet e rëndësishme në krijimtari. Përveçse shpirtërisht, ata janë të lënduar edhe fizikisht sepse Leopardi humb sytë qysh në moshë të re kur lexon pandërprerë dhe përcillet nga deformimet trupore, ndërsa Serembe pas problemeve të vazhdueshme që pati me veshët, humb të dëgjuarit dhe këto përvoja të hidhura jehojnë në vargje, përmes zërit të vetëm të tyre – poezisë.
[1] Zef Serembe, V1, Vjersha, Rilindja, Prishtinë, 1985, f. 155
[2] Giacomo Leopardi, Antologji e prozës dhe e poezisë, Plejad, 2001, (Përktheu Dritan Thomollari) f.119-120
[3] Zef Serembe, V1, Vjersha, Rilindja, Prishtinë, 1985, f.235
[4] Po aty, f. 87