Politike

Për modelin e sotëm opozitar të abuzimit me pushtetin nesër!

               Publikuar në : 21:22 - 02/03/21 liberale

Alfred Peza

Nëse doni që të dini që sot, sesi do të jetë qeveria e opozitës nesër nëse do të vinte ndonjëherë në pushtet, atëherë shihni sesi po e drejton Ilir Meta, institucionin e Presidentit të Republikës.

Nëse doni të dini sot, sesi do të jetë raporti i opozitës nesër, me besimin e popullit opozitar dhe votuesve shqiptare, atëherë kujtoni sesi u sollën këto 4 vjet me mandatet e tyre të deputetit.

Nëse doni të dini sot, sesi do të jetë drejtimi dhe funksionimi i Parlamentit nesër, nëse PD dhe LSI do të kenë ndonjëherë mazhorancën e saj, atëherë kujtoni sesi e braktisën atë dje, për herë të parë në historinë 30 vjeçare të pluralizmit në Shqipëri.

Nëse doni të dini sot, sesi do të jenë institucionet politike, demokratike dhe kushtetuese të vendit nesër, nëse opozita do të vinte në pushtet atëherë mos harroni sesi i braktisën e I sulmuan me “Molotov” këto 4 vjet pasi dolën si kurrë më parë në histori, në rrugë të madhe.

Nëse doni të dini sot, sesi do të jetë pushteti nesër, nëse opozita do të drejtonte qeverinë qëndrore, atëherë mjafton të mos harroni sesi i braktisi zgjedhjet lokale më 2019 duke e lënë popullin opozitar pa asnjë lloj përfaqësimi në administrimin e punëve të tyre në territor.

Kështu mund të vijonim pafundësisht, jo vetëm me raportin e opozitës dhe liderëve të saj me institucionet, por edhe me shumë indikacione të tjera të cilat janë të mjaftueshme për të kuptuar që tani, qasjen e tyre nesër në raport me qytetarin, shoqërinë, median, shoqërinë civile dhe të gjithë individët dhe grupet e ndryshme të interesit.

Nëse Presidenti i Republikës Ilir Meta sot nuk është ai “Kryetari i Shtetit që përfaqëson unitetin e popullit” shqiptar që përcakton Kushtetuta, por vetëm atë të popullit opozitar, atëherë kuptohet sesi do të jetë nesër Lulzim Basha përshembull, nësë një ditë do ti plotësohej ëndrra e tij e pashuar për tu bërë Kryeministër i vendit.

Nëse Ilir Meta do të jetë pas zgjedhjeve ministër i Brendshëm i qeverisë së opozitës aktuale, imagjinoni se çmund ti ndodhi një qytetari të thjeshtë nesër, pasi të kujtojë se çfarë tentuan që ti bënte lidershipi i PD me “babalen”, ministrit të Brendshëm atë kohë në detyrë.

Këto paj shembuj janë marë vetëm nga sjellja e Lulzim Bashës, Sali Berishës, Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit në raport me qytetarët dhe intitucionet kushtetuese të vendit, pas zgjedhjeve të 2017 e deri tani në prag të zgjedhjeve të 25 prillit 2021.

Vetëm duhet të keni paksa kujtesë dhe fantazi normale, për të vijuar me pafundësinë e shembujve të tjerë nga 2013 e deri tek çadra e “Republikës së Re” të Lulzim Bashës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Pa llogaritur më pas gjëmat dhe bëmat e opozitarëve të sotëm, kur kanë qenë në qeverisjen e vendit nga viti 1992 e deri më 1997 dhe nga 2005 e deri në vitin 2013.

Mjafton të kujtoni se kush ishte ministër i Brendshëm kur u vranë 4 qytetarë të pafajshëm matanë “gardhit” të Kryeministrisë, për të kuptuar sesi do të jetë Lulzim Basha Kryeministër nesër.

Mjafton të kujtoni se kush ka qenë ministër i Transporteve ku prokuroria hetoi dhe çoi për gjykim abuzimin me mbi 230 milionë eurot e ndërtimit të Rrugës së Kombit, për të kuptuar sesi do zbatohet programi qeverisës që paraqet kandidati i opozitës së sotme për Kryeministër.

Mjafton të kujtoni sesi u firmos marrëveshja e detit me Greqinë, që u rrëzua më pas nga Gjykata Kushtetuese me një vendim unanim prej 9 votash me zero, për të kuptuar sesi do të jetë raporti i qeverisë së nesërme të opozitës së sotme, me fqinjët dhe me interesat tona kombëtare në rajon dhe arenën ndërkombëtare.

Nesër nuk do të jenë ata që janë edhe sot. Jo. Do të jenë edhe më keq. Sepse pushteti ka vetinë që ti rrisë me progresion gjeometrik, gabimet e sotme “aritmetike” të Lulzim Bashës…, Ilir Metës dhe liderëve të tjerë opozitarë.

Tags:


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back