Opinion

FJALIMI/ Nga Elisa Spiropali: Ëndrra jonë Europiane sot, e njëjtë me atë të burrave të Kongresit të Lushnjës 105-vjet më parë

Shkruar nga Liberale

FJALIMI/ Nga Elisa Spiropali: Ëndrra jonë Europiane sot, e

Parlamentarizimi, Republika dhe Demokracia*

Nga Elisa Spiropali

Sot kremtojmë 105-vjetorin e Kongresit të Lushnjës, i cili vendosi gurët e themelit të parlamentarizmit shqiptar.

Në më pak se një dekadë pas shpalljes së pavarësisë, Kongresi i Lushnjës, i cili i zhvilloi punimet në datat 21-31 janar 1920, shënoi një moment historik për popullin shqiptar, sepse hodhi hapat e parë drejt një shteti të organizuar.

Parlamentarizmi kurorëzoi e jetërsoi përpjekjet e popullit shqiptar për të ndërtuar një shtet të bazuar në drejtësi, liri dhe barazi.

Parlamentarizmi ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e institucioneve, konsolidimin e parimeve, vlerave e standardeve demokratike, duke krijuar e forcuar përgjatë historisë së tij  lidhjen midis qeverisë dhe të qeverisurve.

Kongresi i Lushnjës rrëzoi në sy të Fuqive të Mëdha, Europës dhe botës mbarë paragjykimin dhe stigmën mbi paaftësinë e shqiptarëve për t’u bashkuar, për të marrë vendime kombëtare dhe për të ndërtuar institucione  qeverisëse dhe, si të tillë, nuk e meritojnë shtetin e tyre të pavarur.

Mirënjohje protagonistëve të Kongresit të Lushnjës:

Familjes patriote Fuga, e cila vuri në dispozicion shtëpinë për të zhvilluar punimet e Kongresit;

Komisionit organizator;

Mbajtësit të fjalës së hapjes Ferit Vokopola;

Kryetarit të Kongresit Aqif Pashë Elbasani;

Njërit prej nismëtarëve kryesorë të Kongresit, dëshmorit të parë të parlamentarizmit Abdyl Ypi, i cili u vra gjatë përgatitjeve për Kongresin, si një përpjekje për të ndaluar organizimin e tij;

Kryetarit të parë të Këshillit Kombëtar zgjedhur nga Kongresi, Xhemal Naipi, dhe anëtarëve të Këshillit, si trupa e parë parlamentare dhe legjislative e Shqipërisë;

Delegatëve të Kongresit, përfaqësues të krahinave të Beratit, Skraparit, Mallakastrës, Lushnjes, Fierit, Dibrës, Matit, Durrësit, Shijakut, Kavajës, Tiranës, Elbasanit, Peqinit, Gramshit, Dumresë e Sulovës, Gjirokastrës, Libohovës, Përmetit e Këlcyrës, Delvinës, Tepelenës, Korçës, Pogradecit, Kolonjës, Leskovikut, Hasit e Lumës, Gjakovës, Gashit e Shkodrës dhe Diasporës;

Organeve të zgjedhura nga Kongresi, Këshillit të Lartë të përbërë Imzot Luigj Bumçi, Aqif Pashë Elbasani, Abdi Toptani, Mihal Turtulli,  dhe qeverisë së kryesuar nga kryeministri Sulejman Delvina;

Për mendjet e ndritura të Diasporës si Fan Noli e Faik Konica që vet-dijen për zgjimin kombëtar dhe konsolidimin e shtetit shqiptar e patën mision të jetëve të tyre;

Për veprën e tyre madhore për historinë dhe të ardhmen e Shqipërisë, me vendimet jetike që morën në këtë Kongres dhe zbatimin e tyre.

Kongresi  plotësoi vendimet e Kuvendit Kombëtar të Vlorës dhe Kuvendit të Durrësit dhe rindërtoi institucionet përfaqësuese të shtetit të ri.

Zgjedhja e Këshillit Kombëtar, me atributet e Parlamentit, ishte ndër vendimet më të rëndësishme të Kongresit të Lushnjës.

Vendimi për krijimin  e trupës legjislative, e para pas shpalljes së pavarësisë, ishte fillesa e parlamentarizmit shqiptar, sot me një  histori 105-vjeçare.

Nga Lushnja nisi konsolidimi i Shqipërisë së pavarur, parlamentare e republikane. Kongresi i Lushnjës, duke themeluar parlamentarizmin, përveç kontributeve për Republikën, shënoi edhe fillesat e para të ndërtimit të demokracisë.

Fryma e Kongresit nuk e fshehu orientimin e parlamentarizimit shqiptar drejt republikanizmit.

Prandaj mund të themi se krijimi i Parlamentit të parë shqiptar shënoi një pikë kthese historike në formësimin e republikës dhe, përgjatë historisë së tij të dekadave të fundit, edhe në konsolidimin e demokracisë.

Me formimin e Këshillit Kombëtar, si parlamenti i parë shqiptar dhe afirmimit të parimeve të parlamentarizmit, u vendosën bazat e një institucioni përfaqësues që do të përfaqësonte interesat e kombit dhe do të kontribuonte në ndërtimin e një rendi ligjor: emërimi i Qeverisë dhe kontrolli parlamentar ndaj saj.

Kongresi miratoi gjithashtu Statutin e Lushnjës, si një ligj kushtetues dhe disa ligje të tjera të rëndësishme.

Kongresi nisi ndërtimin e administratës shtetërore, krijimin e sistemit arsimor, forcave të rendit dhe diplomacisë në mbrojtje të tërësisë territoriale dhe integritetit të Shqipërisë.

Kongresi gjithashtu njoftoi kancelaritë evropiane, Kongresin Amerikan dhe Presidentin Ëillson se shqiptarët do të luftonin pa kompromis për një Shqipëri të pavarur e të lirë.

Parlamentarizmi shqiptar, një proces që vazhdoi të zhvillohej me kalimin e dekadave, sot është në fillimet e shekullit të tij të dytë.

Ashtu si shumë vende të tjera, parlamentarizmi në Shqipëri kaloi nëpër faza të ndryshme, të karakterizuara nga një përpjekje për të përfaqësuar qytetarët dhe për të promovuar dialogun politik.

Gjatë këtij mbi një shekull jete, parlamentarizmi shqiptar i ka provuar të gjitha sfidat e mundshme të rrugëtimit të tij.

Nëse përpiqemi të bëjmë një kronologji të fazave të zhvillimit të parlamentarizmit shqiptar, ajo nuk mbetet thjesht një renditje etapash në një shtrirje kohore mbi njëshekullore, por një ndërthurje procesesh e betejash politike e shoqërore.

Historia e fazave të parlamentarizmit mplekset me zhvillimin e formave të qeverisjes, me zigzaket e formësimit, zhvillimit, kthimit mbrapa dhe rivendosjeve të Republikës.

 Por mblekset edhe me përpjekjet për vendosjen e sistemit politik, për lulëzimin e demokracisë apo shndërrimin e saj në një sistem formal, nën diktaturën apo të ashtuquajturën demokraci proletare, si edhe rivendosjen e pluralizmit politik në dhjetor 1990.

Gjatë viteve të para, 1920-1924, veprimtaria parlamentare kishte një natyrë dhe përmbajtje të vërtetë pluraliste, Shqipëria kishte një parlament ku përplaseshin vizione demokratike dhe autoritariste, ide progresive dhe regresive, qëndrime dhe interesa kombëtare e meskine, ku debatonin parlamentarë oratorë, që nuk i linin gjë mangut oratorëvë më të zhdërvjellët të vendeve perëndimore.

Me fjalët e priftit rebel Nolit në Parlamentin e 1924-s: “Këtu idealet e errëta, të shtrembëra e të mumifikuara të Fanarit të Buharës përfyten e përleshen në luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit.”

Mes rebelimesh, përmbysjesh e revolucionesh, vetëm pesë vjet pas themelimit të parlamentarizmit, Shqipëria hodhi një hap tjetër vendimtar drejt konsolidimit të shtet-formimit. Shpallja e Republikës në vitin 1925 ishte një hap i rëndësishëm drejt një qeverisjeje që mbështetej tek sovraniteti popullor.

Republika u vendos si forma e duhur për të garantuar barazinë dhe liritë qytetare, megjithëse pengesat politike dhe shoqërore e vështirësuan funksionimin e saj të plotë.

Por më 1 shtator 1928 Shqipëria përjetoi një prapakthehu të fortë, nga Republika drejt Mbretërisë.

Kjo kthesë në formën e qeverisjes, dukuri jo shumë e zakontë për kohën dhe jo fort e ngjashme me mënyrën e formimit të mbretërive në vendet e tjera, nuk ishte vetëm një goditje ndaj Republikës.

Ajo shpuri në zhvlerësimin e parlamentarizmit, i cili kishte marrë disa goditje paraprake prej vitit 1925. Për rrjedhojë, gjatë viteve 1925-1939 veprimtaria parlamentare mbeti formale dhe e nënshtruar ndaj vullnetit të Presidentit, më vonë Mbretit, Qeverisë  dhe përgjithësisht pushtetit ekzekutiv.

Në vitet që pasuan, gjatë periudhës 1939-1944, kur Shqipëria u  pushtua dhe u përfshi në Luftën e Dytë Botërore, parlamentet ishin trupa kolaboracioniste, të ashtuquajtura  të zgjedhura, të cilat u shërbenin hapur pushtuesve.

Një dritë shprese që lindi me zgjedhjen e Asamblesë Kushtetuese të 2 dhjetorit 1945, u shua shumë shpejt dhe veprimtaria parlamentare u bë inekzistente, thuajse u asfiksua. Për më tepër, menjëherë pas shuarjes së këtyre shpresave, parlamentarizmi pësoi një goditje tjetër të fortë, të padëgjuar më parë.

Vitet 1946-1947 shënuan faqen më të errët të goditjes ndaj parlamentarëve shqiptarë. Nuk është se parlamentarizmi u bë formal dhe deputetët u detyruan t’i nënshtrohen regjimit. Deputetët u shkuan në plumb, nën akuza të sajuara ndaj të ashtuquajturëve “grupe të deputetëve.”

Pas kësaj, ndodhi ajo që pritej. I ashtuquajturi parlamentarizëm komunist ishte nga fillimi në fund një krijesë formale, fasadë e regjimit, e cila duhej të krijonte perceptimin e legjitimitetit të sistemit politik.

Vetë Republika, e cila u rikthye si formë qeverisjeje në 11 janar 1946, mori një formë autoritare e diktatoriale, duke u larguar nga parimet demokratike dhe duke shtypur liritë demokratike, si tipare të republikanizmit.

Jeta e vërtetë parlamentare pluraliste e demokratike nisi pas vitit 1990, kur Shqipëria rifilloi procesin e konsolidimit të Republikës e institucioneve demokratike.

Kushtetuta e vitit 1998 forcoi bazat e shtetit të së drejtës dhe demokracisë parlamentare.

Por as kjo kohë nuk u shpëtoi deformimeve dhe autoritarizmit, duke shënuar, përveç arritjeve, edhe episode të errëta e tragjike, siç ishin vrasjet në bulevard në 21 janar të vitit 2011, në përvjetorin e 91-të të krijimit të parlamentit të parë shqiptar.

Për fat të keq, kemi 14 vjet që çdo 21 janar, përveç ditës së parlamentarizmit, të cilën e kujtojmë me krenari legjitime, përkujtojmë me dhimbje e indinjatë edhe katër dëshmorë të atdheut, të vrarë prej shtetit.

105-vjetori i Parlamentit Shqiptar është një mesazh për  të reflektuar mbi arritjet dhe sfidat, kontributin tonë në konsolidimin e institucioneve dhe vlerave demokratike, por edhe bashkëpunimin për të inkurajuar kulturën politike që promovon dialogun dhe respektin për diversitetin e ideve dhe alternativave.

Kuvendi i Shqipërisë është institucioni që përfaqëson vullnetin e popullit, një shtyllë e rëndësishme e sistemit demokratik, me një rol vendimtar për të siguruar përfaqësim të drejtë, proces legjislativ e vendimmarrje transparente, kontrollin parlamentar efektiv, thellimin e reformave, lidershipin, gjithëpërfshirjen dhe legjitimimin demokratik të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndërveprimin e partneritetin me institucionet e pavarura, shoqërinë civile, publikun, mediat dhe qytetarët.

Procesi i konsolidimit demokratik vazhdon të përballet me sfida të shumta. Reforma në sistemin e drejtësisë dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian janë dy objektivat të rëndësishme për Kuvendin, për të konsoliduar demokracinë dhe fuqizuar institucionet.

Rritja e angazhimit qytetar dhe pjesëmarrja aktive në proceset politike mbetet thelbësore për demokracinë. Duke u përkushtuar për integritetin e institucioneve, duke forcuar demokracinë parlamentare dhe duke promovuar unitetin përtej ndarjeve politike, mund t’i shndërrojmë, duhet t’i shndërrojmë dhe po i shndërrojmë aspiratat integruese në një realitet të prekshëm.

Vitet e fundit Shqipëria ka arritur një prestigj të lartë ndërkombëtar. Presidenca e suksesshme e OSBE-së gjatë vitit 2020, kontributi i vlerësuar si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së gjatë viteve 2022-2023 si edhe shndërrimi i Shqipërisë dhe Tiranës në qendrën e gravitetit të proceseve të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit europian të vendeve tona janë vetëm disa nga arritjet e shumta dhe treguesit e këtij prestigji.

Gjatë dekadës së fundit kemi ndërmarrë reforma të rëndësishme, si reforma në drejtësi, e cila synon të krijojë e konsolidojë një sistem drejtësie në shërbim të Republikës dhe qytetarëve, të zëvendësojë kulturën e pandëshkueshmërisë me një sistem ku askush nuk është mbi ligjin, por edhe askush nuk është nën ligjin, një sistem që të mbrojë e të garantojë drejtësi për qytetarët.

Këto arritje kanë përshpejtuar ritmet e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Shqipëria është sot një vend lider në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, madje vendi kandidat me vendosmërinë e shpejtësinë më të madhe drejt familjes europiane dhe ka shpallur si objektiv strategjik kombëtar anëtarësimin në Bashkimin Europian brenda vitit 2030. Të gjithë po punojmë që Kuvendi dhe Republika e Shqipërisë gjatë legjislaturës së ardhshme të jenë Kuvendi dhe Republika e një vendi anëtar të  Bashkimit Europian.

Për t’u kthyer përfundimisht në rrënjët, identitetin dhe ëndrrën tonë europiane, e cila ishte njëkohësisht ëndrra e burrave të Kongresit të Lushnjës.

* Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë. Fjala në veprimtarinë “Parlamentarizmi, Republika, Demokracia”, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Universiteti Europian i Tiranës më 21 janar

FJALIMI/ Nga Elisa Spiropali: Ëndrra jonë Europiane sot, e

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH