Opinion

POST FACTUM nga Roland Lami: Beteja me krimin zgjedhor, test për SPAK

Shkruar nga Liberale

POST FACTUM nga Roland Lami: Beteja me krimin zgjedhor, test për SPAK

Roland Lami

Krimi zgjedhor vazhdon të jetë një nga sfidat më të mëdha të demokracisë në Shqipëri, duke minuar integritetin e proceseve zgjedhore, besimin e qytetarëve te institucionet dhe legjitimitetin e përfaqësuesve politikë. Fenomene si blerja e votës, presioni ndaj votuesve, përdorimi i burimeve shtetërore në fushatë, manipulimi i listave zgjedhore dhe ndërhyrjet në numërimin apo raportimin e rezultateve kanë qenë të dokumentuara në mënyrë të përsëritur nga organizatat vendase dhe ndërkombëtare që monitorojnë zgjedhjet. Në vend që përmirësimi i legjislacionit apo rritja e vëmendjes ndërkombëtare të frenonte krimin zgjedhor ajo që në fakt ka ndodhur është përkeqësimi i situatës për shkak të mosndëshkueshmërisë sistematike nga ana e institucioneve ligjzbatuese.

Kjo mosndëshkueshmëri ka funksionuar si garanci për vijimin e pandërprerë të shkeljeve, duke u dhënë aktorëve politikë dhe rrjeteve kriminale sinjalin se rreziku i ndëshkimit është minimal ose inekzistent.

E reja në këto zgjedhje ishte se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Prokuroria e Posaçme) parashikoi një qasje strategjike për të parandaluar dhe hetuar veprat penale nën juridiksionin e saj gjatë zgjedhjeve për Kuvendin 2025, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Strategjia synonte të parandalonte ndikimin e krimit të organizuar në integritetin e procesit zgjedhor, përmes masave konkrete dhe përdorimit sa më efektiv të teknikave të posaçme hetimore. Korniza ligjore për hetimin dhe ndjekjen penale të veprave penale në kuadër të zgjedhjeve në Shqipëri përcaktoi juridiksionin e posaçëm të Prokurorisë së Posaçme dhe institucioneve të tjera përkatëse me qëllim mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor.

Kjo qasje e re e SPAK, rriti pritshmëritë te publiku dhe subjektet zgjedhore që fenomenet e së shkuarës do të jenë më të reduktuar në këto zgjedhje. Kjo jo pa arsye, pasi autoriteti i fituar i Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Prokuroria e Posaçme) vitet e fundit duke hetuar në mënyrë më të sofistikuar dhe të vendosur korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar krijoi shpresa dhe besim që këto zgjedhje ndryshe nga cfarë ka ndodhur deri tani, dukuri të paligjshme si blerja e votës, presioni ndaj votuesve, përdorimi i burimeve shtetërore në fushatë, manipulimi i listave zgjedhore dhe ndërhyrjet në numërimin apo raportimin e rezultateve do te ishin me te reduktuar. Mirëpo, e kundërta ka ndodhur, pavarësisht shpëndarjes së prokurorëve të SPAK në disa prej qarqeve problematik disa ditë para zhvillimit të zgjedhjeve, fenomenet e njohura të krimit zgjedhore jo vetëm nuk u reduktuan por tashmë janë më sistemike, komplekse dhe të shtrira gjeografikisht.

Këto aspekte i denoncuan kandidatë të subjekteve të ndryshme, media, rrjete sociale si dhe raporti paraprak i OSBE – ODHIR. Pra, përfshirja e Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Prokuroria e Posaçme) në fazën e zhvillimit të fushatës dhe ditës së zgjedhjevë nuk arriti të frenoj zakonin e vjetër të subjekteve politike për të mosrespektuar kodit zgjedhorë. Subjektet politike dhe organizatat kriminale u udhëhoqën edhe në këto zgjedhje u udhëhoqën nga forca e interesave sesa forca e ligjit. Këtë betejë të parë sic është ajo e parandalimit, kjo strukturë e humbi duke mos sjell asgjë të re në drejtim të parandalimit të sjelljeve korruptive dhe kriminale.

Mbetet për t’u parë në ditën në vazhdim beteja e dytë ajo që është më e rendësishme dhe që ndikon tek e para, shkalla e ndërshkueshmërisë post-zgjedhore. Pasi, referuar të shkruarës institucionet ligjzbatuese si prokuroria, policia dhe më së fundi SPAK-u, rrallëherë kanë arritur të ndëshkojnë individë që përfshihen në manipulimin e procesit zgjedhor, pavarësisht se shkeljet janë dokumentuar në mënyrë të përsëritur nga vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë. Kjo mosndëshkueshmëri ka prodhuar një kulturë imuniteti dhe pandëshkueshmërie, ku manipulimi i votës shihet më shumë si një "instrument i fitores" sesa si një krim kundër rendit demokratik. Në vend që krimi zgjedhor të frenohet nga drejtësia, ai është normalizuar dhe institucionalizuar si pjesë e praktikës zgjedhore, duke dëmtuar rëndë besimin e qytetarëve te procesi elektoral dhe duke penguar konsolidimin e shtetit të së drejtës. Nëse Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Prokuroria e Posaçme ) e humbet edhe këtë betejë, atëhere edhe reputacioni i këtij institucioni i fituar në këto kohë te publiku dhe faktori ndërkombëtar do të bjerë duke u klasifikuar njëlloj dështak si institucionet e tjera ligjzbatuese në Shqipëri.

Ndërkohë, ndëshkueshmëria e krimit zgjedhor nuk është thjesht një çështje teknike apo procedurale; është një kusht themelor për demokratizimin e Shqipërisë. Nëse zgjedhjet nuk janë të lira, të ndershme dhe të besueshme, atëherë vetë parimi i përfaqësimit politik bie poshtë dhe demokracia mbetet vetëm formale. Asnjë reformë politike, institucionale apo kushtetuese nuk mund të ketë sukses real pa garantimin e integritetit të zgjedhjeve.

 

  

Liberale Newsroom

A duhet ta ftojë PS-ja PD-në në një bashkëpunim më të hapur në qeverisje, për të arritur objektivin e përbashkët të anëtarësimit në BE?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH