Opinion

FORUMET UET - Ambasadori i INDISË JAISWAL: Për studentët tanë Shqipëria është destinacion i nivelit Europian

Shkruar nga Liberale

FORUMET UET - Ambasadori i INDISË JAISWAL: Për studentët

Ravindra Prasad Jaiswal - Ambasador i Republikës së Indisë në Shqipëri, i ftuar në forumet e UET, foli për persektivën e një bashkëpunim më të mirë mes dy vendeve tona.

Zoti Ambasador, le të nisim dhe të flasim për marrëdhëniet mes Indisë dhe Shqipërisë – besoj se do të kemi shumë surpriza interesante.

Ambasadori Ravindra Prasad Jaiswal:
Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që jam sot këtu. Ne kemi hapur ambasadën tonë në Shqipëri vitin e kaluar. Në fillim të janarit paraqita kredencialet e mia dhe aktualisht po operojmë përkohësisht nga apartamenti ynë, por shumë shpejt do të kemi selinë tonë zyrtare.
E kemi nisur me një ekip të vogël, por synojmë të zgjerohemi në një shtrirje të plotë.
Është një hap shumë i rëndësishëm për të ndërtuar një përfaqësi diplomatike – kemi një numër të vogël personeli për misionin tonë, por me shumë entuziazëm.

Jemi shumë të lumtur që edhe Shqipëria do të hapë ambasadë në Indi, gjithashtu. Sa më shpejt, aq më mirë.
Në fakt, Shqipëria e ka pasur një ambasadë në Indi në vitin 2008, por ajo u mbyll në vitin 2014 për arsye ekonomike.
Tani shpresojmë të mbulojmë atë hendek të krijuar në marrëdhëniet tona përmes mekanizmave të bashkëpunimit.

India është tashmë ekonomia e katërt më e madhe në botë, me një rritje mbresëlënëse vitet e fundit, që pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Me një popullsi kaq të madhe, ndoshta së shpejti India do të bëhet edhe ekonomia e tretë në botë, pas SHBA-së dhe Kinës.
Kemi parë se Kina është shumë e pranishme në të gjithë botën – në Afrikë, Azi dhe madje edhe në Amerikën Latine – por tani kemi edhe Indinë, që po bëhet gjithnjë e më e dukshme në skenën ndërkombëtare.
Çfarë pritet nga India në vitet në vijim?

Ambasadori Jaiswal:
India ka qenë gjithmonë e pranishme si vend, edhe para rritjes së saj së fundmi.
Para se të kolonizoheshim nga Britania, India kontribuonte me 25% të GDP-së botërore. Në fund të kolonializmit, ky kontribut ra në vetëm 1%.
Sot jemi ekonomia e katërt më e madhe në botë, dhe parashikimet tregojnë se deri në vitin 2028 do të bëhemi ekonomia e dytë më e madhe.

Por kontributi ynë nuk është vetëm ekonomik apo monetar. India është një qytetërim me vlera që janë të përjetshme në natyrë dhe shumë të rëndësishme për qëndrueshmërinë dhe mbijetesën e njerëzimit.

Ne fokusohemi më shumë në aspekte shpirtërore dhe në çështje që lidhen me mirëqenien – jo vetëm ekonomike, por edhe humane dhe shpirtërore.

Folëm për Kinën dhe rritjen e saj të fuqishme ekonomike. Nga pikëpamja politike, Perëndimi ka disa sfida për të zgjidhur me Kinën. Por me Indinë duket ndryshe – jeni një ndër demokracitë më të mëdha në botë dhe kjo është diçka pozitive, sidomos kur folët për vlera që i paraprijnë përfitimeve ekonomike.
Kemi edhe një lidhje të veçantë mes dy vendeve përmes një figure të madhe: Nënë Tereza, e lindur shqiptare, që ka jetuar dhe vepruar në Indi për dekada. A është ajo një urë lidhëse mes dy kombeve?

Ambasadori Jaiswal:
Nënë Tereza është pa dyshim një trashëgimi e përbashkët mes Shqipërisë dhe Indisë në kohët moderne.
Por në fakt, lidhjet tona shkojnë edhe më larg – ndoshta jo drejtpërdrejt nga Shqipëria, por nga kjo anë e botës. Në antikitet kemi një figurë që në Indi njihet si një “mbret i madh” – Aleksandri i Madh. Ai ishte me origjinë nga ky rajon (lindur në Maqedoni), por mbretëria e tij u përhap në të gjithë Ballkanin dhe pushtoi pjesën perëndimore të Indisë, përfshirë Pakistanin, Bangladeshin, Afganistanin dhe rajone të tjera.
Kjo është një lidhje e lashtë që mund të shërbejë si pikë reflektimi – ndoshta duhet ta eksplorojmë më tej këtë trashëgimi të përbashkët. Nuk e dimë sa larg shkon, por është me rëndësi që ta njohim.

Duke u kthyer te Nënë Tereza – ajo lindi nga prindër shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe shkoi në Kalkuta, ku u dashurua, u nderua dhe u respektua jashtëzakonisht shumë nga populli indian. Jemi shumë krenarë që ajo zgjodhi Indinë si atë që ju e quani Karma Bhumi, apo “vendi i punës dhe shërbimit” të saj.
Jemi shumë të lumtur që kemi një lidhje kaq të veçantë me Indinë përmes figurës së Nënë Terezës.

Po, Nënë Tereza është padyshim një nga urat më të forta shpirtërore dhe historike mes dy vendeve tona. Ajo është vlerësuar thellësisht në Indi dhe ne e konsiderojmë një nder që ajo zgjodhi vendin tonë si fushën e saj të shërbimit dhe dashurisë për njerëzimin. Kjo lidhje është shumë e çmuar për ne.

Duke u kthyer te ekonomia – shkëmbimet ekonomike midis Shqipërisë dhe Indisë nuk janë ende në nivele të larta. Cilat janë fushat ku mund të bashkëpunojmë më shumë?

Ambasadori Jaiswal:
Marrëdhëniet tona ekonomike nuk janë ende të forta. Aktualisht, vëllimi tregtar është mbi 100 milionë euro, por gjatë vitit 2023-2024 arriti edhe në mbi 1 miliard euro. Në të kaluarën ishte vetëm 15-16 milionë. Kjo tregon një rritje domethënëse – por padyshim ka vend për përmirësim.

Nuk jam i sigurt për shkallën e investimeve indiane në Shqipëri, por kemi dëgjuar për disa kompani indiane, që operojnë jashtë Indisë por janë në pronësi të shtetasve indianë. Ka disa biznese të vendosura këtu.
Ka potencial të madh për bashkëpunim në fusha si çimento, gurë ndërtimi, tulla, gurë të çmuar, naftë dhe produkte të tjera minerale.

Në sektorin farmaceutik, India është një nga prodhuesit dhe eksportuesit më të mëdhenj në botë. Megjithatë, kemi hasur vështirësi në hyrjen e produkteve tona në tregun shqiptar për shkak të rregulloreve të brendshme – kam kuptuar që ligji kërkon që produktet farmaceutike të jenë të regjistruara më parë në SHBA ose BE për t’u regjistruar në Shqipëri. E kuptojmë nevojën për standarde të larta, por do të ishte më e thjeshtë nëse ndiqej njëra nga këto dy rrugë, jo të dyja njëkohësisht.

Deri më tani, në Shqipëri janë të pranishëm vetëm prodhues indianë që kanë filiale të regjistruara në BE. Ndaj, edhe pse barnat tona janë të përballueshme dhe të aksesueshme në SHBA e BE, në Shqipëri çmimet janë shumë të larta për shkak të këtij kufizimi. Po punojmë që ta përmirësojmë këtë situatë.

Fusha të tjera me potencial të madh bashkëpunimi:

Teknologjia e Informacionit (IT):
Shqipëria po ecën mirë, por kam dëgjuar se disa shërbime në këtë fushë ende ndjekin standarde bazike. Jemi të interesuar për bashkëpunim në trajnime, zhvillim të software-it dhe ngritje kapacitetesh.
Arsimi:
Kemi programe të shumta për vendet partnere dhe jemi të hapur për kandidatë privatë. Ofrojmë mijëra bursa dhe programe të financuara nga qeveria indiane.
Mjekësia:
India ka kërkesë të madhe për edukim mjekësor. Kemi mbi 40 mijë kolegje, por ende nuk mjaftojnë për të përballuar kërkesën. Shumë studentë indianë studiojnë në vende të Azisë Qendrore. Kam dëgjuar për mundësi që studentë indianë të vijnë edhe në Shqipëri, sidomos për infermieri.
Zhvillimi i qëndrueshëm:
Kemi shumë për të ofruar në fushat si bujqësia, pyjet, energjia e rinovueshme. Shqipëria është e avancuar në prodhimin e energjisë hidro, dhe mund të bashkëpunojmë edhe në sektorin e energjisë diellore.
India, së bashku me Francën, ka nisur Aleancën Ndërkombëtare për Energjinë Diellore (International Solar Alliance), ku Shqipëria mund të bashkohet pa asnjë kosto. Nuk ka detyrime formale – gjithçka është e hapur për vendet anëtare.

Bujqësia dhe biodiversiteti:
India është vend shumë i madh me klimë të ndryshme – rrisim pothuajse çdo kulturë. Kemi programe të avancuara për pyjet dhe ruajtjen e florës/faunës. Këto janë fusha ku mund të ndajmë përvoja dhe praktika të mira me Shqipërinë.
Kultura dhe trashëgimia:
India ka një trashëgimi kulturore shumë të pasur dhe e dimë që edhe Shqipëria ka një trashëgimi të lashtë dhe të çmuar. Kemi punuar në projekte të shumta kulturore në Azinë Juglindore dhe do të donim të bashkëpunojmë edhe me Shqipërinë në këtë drejtim.

Kemi shumë fusha ku mund të punojmë bashkë – dhe jemi të gatshëm të ndajmë praktikat tona të mira me vendet partnere si Shqipëria.

Pyetja është: Kur do ta nisim bashkëpunimin serioz?Aktualisht e kuptojmë që Shqipëria është e përqendruar te anëtarësimi në Bashkimin Europian, dhe kjo agjendë e ngjeshur ndonjëherë pengon bashkëpunime të tjera. Nga këndvështrimi ynë, nuk duket ende një mjedis i gatshëm për një partneritet të thellë – por ne shpresojmë që kjo do të ndryshojë shpejt.

Marrëdhëniet diplomatike i kemi rivendosur në vitin 1956, që është një datë e hershme. Fatkeqësisht, për një kohë të gjatë Shqipëria ishte shumë e lidhur me Kinën dhe kjo ndikoi negativisht në marrëdhëniet tona. Kjo situatë zgjati deri në vitin 1995.
Pas kësaj, filluam të kapim kohën e humbur. Sigurisht që do të kërkojë kohë, por ne shpresojmë që një ditë India dhe Shqipëria do të bëhen partnerë të fortë dhe të besueshëm.

Jemi shumë të lumtur që kemi tashmë ambasadën e Indisë këtu në Tiranë – kjo është një gjë e mirë për të ardhmen tonë të përbashkët.

Le të flasim pak për Universitetin Europian të Tiranës. Siç e përmendëm më herët, diplomat tona njihen ndërkombëtarisht dhe kemi marrë akreditimin ndërkombëtar nga agjencia britanike QAA. Shqipëria po ecën përpara hap pas hapi – nuk e dimë saktësisht kur do të bëhemi anëtare e BE-së, por jemi pothuajse atje.

A do t’u rekomandonit studentëve indianë të vijnë për të studiuar në Shqipëri?

Ambasadori Jaiswal:

Studentët janë të lirë të zgjedhin vetë ku duan të studiojnë. Ne si shtet nuk kemi një institucion qeveritar që i orienton apo i detyron të studiojnë jashtë.
Por kemi shumë programe për të huajt që duan të studiojnë në Indi – mijëra bursa, shumica e të cilave shkojnë për studentët nga Afrika. Jemi të hapur të ofrojmë bursa edhe për studentët shqiptarë.

Kemi ofruar tashmë mundësi në fusha si artet liberale, por deri tani nuk kemi pasur aplikantë nga Shqipëria.
Studentët indianë janë shumë të hapur për të studiuar jashtë vendit. India është një nga vendet që dërgon më shumë studentë në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar. Gjithashtu, shumë studentë studiojnë në vendet e Azisë Qendrore – sidomos për mjekësi dhe infermieri – por edhe në fusha të tjera.

Unë mendoj që Shqipëria mund të përfitojë nga kjo tendencë, sepse studentët indianë shpesh kërkojnë një diplomë ndërkombëtare. Kjo është një pikë plus për ju.
Mund të punojmë së bashku për të ndërtuar programe shkëmbimesh studentore – një vit jashtë vendit, ose kurse të përbashkëta. Është një fushë ku mund të nisim konkretisht bashkëpunimin.

A do ta konsideronit si një ide të mirë krijimin e një Dhome Tregtie të Indisë në Shqipëri? A do të ndihmonte kjo si një pikë kontakti ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë edhe çështjen e vizave?

Ambasadori Jaiswal:

Në fakt, ka disa dhoma tregtie në Indi dhe Shqipëri, dhe disa përpjekje janë bërë që në vitin 2012.
Ka pasur bashkëpunim mes “Confederation of Indian Industry” dhe Dhomës Shqiptare të Tregtisë, por, për fat të keq, nuk është ndjekur në mënyrë të vazhdueshme. Kemi pasur delegacione dhe takime me Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë në vitin 2024 për të rindezur këto iniciativa.

Ne si ambasadë, së bashku me Dhomën e Tregtisë së Tiranës dhe partnerët ndërkombëtarë, po përpiqemi të aktivizojmë bashkëpunimin në këto fusha. E dimë që Shqipëria është një treg relativisht i vogël, por për ne është e rëndësishme që të jemi të pranishëm dhe të ndërtojmë bazat.

Sa i përket regjimit të vizave, India ka aplikuar sistemin e vizave elektronike – e-visa, e cila është shumë e thjeshtë për aplikim, njësoj si edhe Shqipëria. Vetëm vitin e kaluar, India u vizitua nga rreth 20 mijë turistë shqiptarë.
Ndërkohë, për bizneset po punojmë që të hapim viza fizike për biznesmenët, që do të aplikojnë direkt në ambasadë.

Pse mendoni se ka kaq shumë studentë indianë që duan të studiojnë jashtë Indisë? A ka mungesë kapacitetesh në universitete, apo janë arsye të tjera?

Ambasadori Jaiswal:

India ka një popullsi shumë të madhe dhe për rrjedhojë, kërkesa për arsim të lartë është jashtëzakonisht e lartë – më e madhe sesa mund të përballojë infrastruktura aktuale arsimore.
Kjo është veçanërisht e vërtetë për fusha si mjekësia dhe infermieria, ku konkurrenca është jashtëzakonisht e madhe dhe kapacitetet janë të pamjaftueshme.

Për më tepër, të ardhurat e familjeve janë rritur dhe prindërit duan që fëmijët e tyre të kenë mundësinë të eksplorojnë botën dhe të marrin një diplomë ndërkombëtare.
Diplomat nga jashtë shpesh shihen si një avantazh në tregun e punës – jo vetëm në Indi, por edhe globalisht.

Studentët indianë janë gjithashtu të interesuar për programe shkëmbimi, dhe shumë prej tyre shkojnë në vendet e Azisë Qendrore, ndërsa në Evropë janë shumë të pranishëm në Mbretërinë e Bashkuar, Holandë, Itali, Zvicër dhe Gjermani.
Mendoj se nëse Shqipëria vazhdon të promovojë veten si një vend arsimor i aksesueshëm dhe cilësor, do të tërheqë gjithashtu vëmendjen e studentëve indianë.

Nga të dhënat tona, rreth 90 biznese indiane operojnë aktualisht në Shqipëri. A keni ndonjë informacion nëse kërkojnë fuqi punëtore? Ka ndonjë kërkesë për lehtësimin e regjimit të vizave për punëtorët indianë?

Ambasadori Jaiswal:
Shqipëria, siç e dimë, po përballet me mungesë të fuqisë punëtore për shkak të emigracionit të lartë. Ndërkohë, India ka një numër shumë të madh të rinjsh dhe fuqi punëtore të kualifikuar.

Ne jemi duke punuar me qeverinë shqiptare për të krijuar korniza ligjore për emigracion të ligjshëm, qoftë për afat të shkurtër apo të gjatë, në varësi të kërkesave të tregut.

Sa i përket kompanive indiane që operojnë në Shqipëri – ka disa, por shumica janë të vendosura jashtë Tiranës dhe nuk kemi ende kontakt të drejtpërdrejtë me to.
Po punojmë për të krijuar një bazë të dhënash të kompanive indiane në Shqipëri dhe për të kuptuar nevojat e tyre për punësim. Po ashtu, kemi dëgjuar që edhe kompani shqiptare kanë interes për të punësuar punëtorë nga India – të cilët njihen për etikën e tyre në punë dhe janë të vlerësuar në kompani shumëkombëshe në gjithë botën. Shpresoj që së shpejti të ketë bashkëpunime të frytshme edhe në këtë drejtim.

 

Liberale Newsroom

Lirimi i hapësirave publike, a duhej bërë në mes të sezonit turistik?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH