Vera Tika *
Në teorinë dhe praktikën e demokracisë përfaqësuese, pushteti vendor përbën jo thjesht një hallkë administrative, por një shtyllë thelbësore të ekuilibrit institucional. Në këtë nivel, qytetari përfaqësohet më drejtpërdrejt, ndërsa decentralizimi i pushtetit kontribuon në një arkitekturë demokratike poliqendrore. Një demokraci funksionale nuk është thjesht një sistem zgjedhjesh periodike, por një sistem ku qendrat e pushtetit janë të shumëfishta, të ndara dhe të pavarura në funksion.
Kjo logjikë bazohet në një nga parimet themelore të teorisë politike moderne: ndarjen e pushteteve, siç është konceptuar që në shekullin XVIII nga Montesquieu, i cili argumentonte se “çdo pushtet ka prirjen të abuzojë me autoritetin e vet dhe për këtë arsye duhet të ndalet nga fuqia e një pushteti tjetër”. Në këtë optikë, ekzistenca e pushtetit vendor autonom nuk është luks institucional, por një mekanizëm i domosdoshëm për të frenuar përqendrimin e pushtetit dhe për të garantuar përfaqësim real.
Në këtë kontekst, zhvillimet më të fundit në Shqipëri meritojnë vëmendje kritike. Ndërhyrja direkte e pushtetit qendror në administratën e njësive vendore – përmes kërkesave për dorëheqje kolektive të administratave apo përmes delegimit të figurave të besuara për të kryer "kontrolle" dhe "ristrukturime" – nuk mund të konsiderohet një praktikë neutrale e menaxhimit publik. Përkundrazi, bëhet fjalë për një rishkrim të heshtur të marrëdhënies midis qeverisjes qëndrore dhe asaj vendore, që ka pasoja të drejtpërdrejta mbi cilësinë e demokracisë në vend.
Në thelb, ky proces nuk është thjesht teknokratik: është një proces politizimi të thellë të pushtetit vendor, ku vetëkuptohet se pushteti qendror mund të imponojë vullnetin e tij mbi nivelet e tjera të qeverisjes. Kjo përbën shkelje të konceptit të autonomisë lokale, siç njihet në teorinë politike dhe në modelet evropiane të administratës publike.
Përballë këtij realiteti, ngrihet pyetja thelbësore: çfarë modeli demokracie përfaqëson Shqipëria sot? - Në analizë konceptuale, kemi të bëjmë me një model të demokracisë procedurale të përqendruar, ku zgjedhjet zhvillohen rregullisht, por kontrolli i efektiv i pushtetit përqendrohet gjithnjë e më shumë në duart e një qendre ekzekutive të vetme. Në këtë konfigurim, qeverisja vendore nuk funksionon si hapësirë e pavarur përfaqësimi të interesave lokale, por shndërrohet në një zgjatim institucional të pushtetit qendror.
Ky model nuk është specifik shqiptar. Fenomeni i përqendrimit të pushtetit ekzekutiv mbi struktura që në teori duhet të jenë të pavarura, është i njohur në kontekste të ndryshme post-komuniste dhe në sisteme ku liderët politikë të fortë kanë ndërtuar regjime hibride, që lëvizin midis demokracisë formale dhe kontrollit autoritar të institucioneve.
Në këtë kuadër, Shqipëria po ndjek një trajektore të njohur: ajo e kapjes së pushtetit vendor si instrument të kontrollit politik. Struktura të destinuara për të reflektuar pluralizmin lokal trajtohen si elemente të administratës qendrore, ndërsa ndërhyrjet direkte nga qeveria ekzekutive krijojnë një sistem kontrolli vertikal, në të cilin vlera e autonomisë lokale zbehet deri në zhdukje.
Nga këndvështrimi i teorisë institucionale, ky transformim përfaqëson një dobësim të theksuar të poli-qëndrimit institucional dhe, rrjedhimisht, një zvogëlim të cilësisë demokratike të sistemit. Ajo që mbetet është një demokraci e zbrazët nga autonomia institucionale, ku legjitimiteti prodhohet përmes votës, por kontrolli ushtrohet nëpërmjet besnikërisë politike dhe ndërhyrjes nga lart.
Shqipëria nuk është rasti i vetëm. Modele të ngjashme mund të identifikohen në Hungari, Poloni apo në Turqi, ku kapja e institucioneve lokale është përdorur si mekanizëm për të zgjeruar kontrollin politik të qendrës. Në të gjitha këto raste, rezultatet janë të ngjashme: centralizim i pushtetit, reduktim i pluralizmit institucional dhe krijimi i një sistemi të përfaqësimit të kontrolluar.
Rasti shqiptar meriton të lexohet pikërisht në këtë çelës analitik. Në një sistem ku çdo vendimmarrje strategjike në nivel vendor përcaktohet ose autorizohet nga pushteti qendror, nuk mund të flasim për demokraci substanciale. Bëhet fjalë për një sistem ku autonomia vendore është vetëm një nocion formal, ndërsa realisht ka ndodhur një ri-absorbim i saj nga ekzekutivi.
Përfundimisht, thelbi i çështjes nuk është nëse ndërhyrjet e fundit janë të ligjshme apo të nevojshme, por çfarë tregojnë ato për raportin midis pushtetit dhe qytetarit në Shqipëri sot. Një sistem ku qytetari nuk përfaqësohet më në nivel lokal përmes mekanizmave të pavarur institucionalë, por vetëm përmes filtrave të kontrollit qendror, nuk është më një demokraci e shpërndarë, por një sistem i përqendruar në funksion të ruajtjes së një rendi politik të vetëkontrolluar.
Në këtë kuptim, rasti i pushtetit vendor në Shqipëri nuk është një përjashtim lokal: është një simptomë strukturore e përqendrimit të pushtetit, që sfidon parimet themelore të qeverisjes demokratike, ashtu siç i artikuloi Montesquieu më shumë se dy shekuj më parë.
Kjo dinamikë merr rëndësi të veçantë në rastin e Shqipërisë, një shtet që ka ndërtuar diskursin e tij strategjik mbi integrimin europian dhe mbi zotimin për të ndjekur modelet institucionale të demokracive të konsoliduara. Në këtë optikë, ndërhyrja e pushtetit qendror në fushat e pushtetit vendor nuk është thjesht një çështje e rendit të brendshëm institucional, por një tregues i asaj që mbetet ende e pazgjidhur në tranzicionin politik të vendit: raporti midis pushtetit dhe institucioneve.
Integrimi europian nënkupton jo vetëm përafrim ligjor dhe adoptim të standardeve formale, por ndërtimin e një kulture institucionale të ndarjes së pushteteve, të respektit për autonominë vendore dhe të garantimit të një përfaqësimi real në çdo nivel të qeverisjes. Në këtë kuptim, praktikat e centralizimit vertikal të pushtetit përfaqësojnë një kontradiktë strukturore me aspiratën e integrimit europian.
Shqipëria, në mënyrë historike, ka pasur një marrëdhënie problematike me konceptin e decentralizimit institucional. Duke kaluar nga modeli otoman, ku pushteti lokal ishte një zgjatim i drejtpërdrejtë i autoritetit të perandorisë, tek regjimet autoritare të shekullit XX, ku çdo formë përfaqësimi lokal u asfiksua nga kontrolli i partisë-shtet, vendi mbart ende një trashëgimi të gjatë të përqendrimit të pushtetit dhe të mosbesimit ndaj pluralizmit institucional.
Kjo trashëgimi historike ndihmon të shpjegojë pse edhe sot, në një regjim nominalisht demokratik, tendenca për të kontrolluar nga lart çdo hallkë të administratës, perceptohet si një proces “normalizues” dhe jo si një devijim nga parimet demokratike. Ajo që në vendet me demokraci të konsoliduar do të konsiderohej kapje e institucioneve, në Shqipëri mund të trajtohet si një akt qeverisjeje “efikase”.
Pikërisht këtu qëndron veçantia shqiptare: në një kontekst ku një histori e gjatë e pushteteve të përqendruara ka lënë të pazhvilluar kulturën institucionale të kontrollit reciprok, demokracia procedurale mund të bashkëjetojë me logjikën e sundimit personal dhe të kontrollit politik mbi çdo nivel qeverisjeje.
Nëse Shqipëria synon vërtet të ndërtojë një rend demokratik europian, nuk mjafton me adoptimin e retorikës së reformave apo me afrimin me legjislacionin e Bashkimit Europian. Kërkohet transformim thelbësor i raportit me institucionet: ndarja e pushteteve, respektimi i autonomisë vendore dhe ndërtimi i një sistemi qeverisjeje poliqendrore nuk janë çështje teknike, por kusht thelbësor për cilësinë demokratike të shtetit.
Përndryshe, integrimi europian do të mbetet një projekt i zbrazët: një narrativë politike e një shteti që, në praktikë, vijon të ndërtojë një sistem kontrolli të përqëndruar, duke ruajtur marrëdhëniet patrone-klient edhe brenda strukturave të veta institucionale.
* Vera Tika është eksperte për çështjet e ekstremizmit, Universiteti Panteion në Athinë