Opinion

POST FACTUM nga Roland Lami: Partitë e reja janë në thelb si Partia Demokratike

Shkruar nga Liberale

POST FACTUM nga Roland Lami: Partitë e reja janë në thelb si

Roland Lami

Së pari, megalomania. Mentaliteti mos ndaj pushtet për të marrë pas zgjedhjesh të gjithë pushtetin u demostrua si te PD ashtu edhe te partitë e reja. Këtë bëri PD duke mos bërë aleancë së paku me asnjë parti të dalë nga Partia Demokratike. Inatet, prepotenca, qejf-mbetjet e shkuara, miopia elektorale apo identiteti i ashtëquajtur ideologjik iu zbehu analizën e ftohtë elektorale. Shiko ku janë sot! Shumë më ndryshe do të ishte rezultati i humbjes për PD nëse do kishte në koalicion "Euroatlantikët", "Mundësia" dhe "Djathtas për Zhvillim". E njëjta logjikë vlen edhe për partitë e vogla, që e kishin domosdoshmëri maksimizimin e votave për t’i bërë ballë efektit të formulës D'Hont dhe ajo që është më e rendësishme, luftës frontale të binomit PS dhe PD.

Ata duke menduar si parti të mëdha nuk ndan pushtet për të përqëndruar pas zgjedhjeve më shumë pushtet por bën të kundërtën. Më së shumti u çiftëzuan por nuk bën një front anti - establishment duke siguruar vetëm 5 mandate. Nëse do të ishin bashkë do kishin sot së paku 15 mandate.

Së dyti, personalizimi i së keqes. Teza qëndrore përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore për Partinë Demokratike ishte: "Rama largohu", "Rama kryebandit", "Rama narkoshteti", pra i gjithë problemi lokalizohej te individi duke nënkuptuar se largimi i tij sjell shpëtimin e zgjedhjeve dhe rifunksionimin normal të sistemit politik në Shqipëri Jo më kot, deri vonë, ishte slogani i PD, zgjedhje me Ramën kryeministër nuk ka.

Tezë e ngjashme në thelb u manifestua te partitë e vogla. Fajin e ka Rama dhe Berisha, dyshja autoritare kanë kapur çdo hallkë të sistemit, largimi i të dyve sjell rikthimin e demokracisë dhe shpresën. I gjithë ligjërimi në fushatë ishte i përqëndruar te teza e personalizuar e dy liderve historikë Rama dhe Berisha. Populizëm i pastër si te PD dhe partitë e reja, asgjë në thelb ndryshe.

Së treti, fushata "One Man Show". Si Partia Demokratike dhe partitë e reja e përqëndruan fushatën te liderët politikë. Në mediat kryesore dhe rrjetet sociale spikaste figura kryesore e partisë jo ekipet. Partitë e reja nuk bënin dallim nga Partia Demokratike në ndërtimin e imazhit.

Së katërti, kultura e dorëheqjes. Qëndrimi i lidershipit të PD dhe partive të reja është i ngjashëm në raport me qëndrimin ndaj rezultatit. Pavarësisht objektivave "pranverë e dytë" thonte lideri i PD do jenë këto zgjedhje, "uragan votash mbi 70 mandate " deklaronte lideri i "Shqipëria bëhet", kushtëzojmë formimin e qeverisë pas zgjedhjeve shprehej lideri i " Nisma Thurrja" apo " do t’u vëmë rruspën oligarkëve pas zgjedhjeve" deklaronte drejtuesi i partisë " Lëvizja Bashkë", sot asnjëri prej tyre nuk mban përgjegjësi për rezultatin e dobët. Asnjë doreheqje deri tani as te PD por as te partitë e reja.

Së pesti, kultura e fajësisë së tjetrit jo të vetes. Nga PD deri te partitë e vogla, ata kojnë narkoshtetin, shitblerjen e votës, politizimin e administratës publike, intimidimin e zgjedhësve nga bandat dhe efektin e sistemit zgjedhor për rezultatin e dobët. Të gjithë këto faktorë kanë ndikimin e tyre dhe është e nevojshme të denoncohen që të minimizohet roli i tyre në zgjedhjet e 2027 por kjo nuk fsheh problemin kryesor, përformancën e dobët të partive opozitare. Kultura 34 vjeçare e partive politike që fajin e shohin jashtë jo brenda ka infektuar edhe partitë e reja.

Shkurt, partitë e reja në vite eksperiencë dhe moshë nuk arrijnë të bëjnë dallimin nga partia më e madhe opozitare. Ata shfaqin të njëjtat simptoma si partia kryesore, prandaj dështuan, pasi vetëm fjalën kanë të rinj, në mendësi janë po aq të plakur si Partia Demokratike.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH