Opinion

OPINION nga Dr. Florian Çullhaj: Sovranitet i huazuar, demokracia që nuk guxon të veprojë pa 'cc' nga jashtë

Shkruar nga Liberale

OPINION nga Dr. Florian Çullhaj: Sovranitet i huazuar, demokracia që

Florian Çullhaj PhD

Në horizontin politik shqiptar është shfaqur një krijesë e re: demokracia e kujdestarisë. Nuk është më ajo e ndërtuar mbi votë, besim qytetar dhe institucione të brendshme, por mbi një varg reagimesh diplomatike, platformash ndërkombëtare dhe miratimesh nga jashtë. Kjo demokraci e re ka rregulla të pashkruara: nuk je reformator nëse nuk je fotografuar me një ambasador, nuk je pro-perëndimor nëse nuk përmend “partneritetin strategjik” çdo dy fjali, dhe nuk je serioz në luftën kundër korrupsionit pa një konferencë për shtyp me përkthim simultan. Institucionet nuk gjykohen më përmes veprimtarisë së tyre konkrete, por përmes nivelit të përkrahjes që marrin në raportet ndërkombëtare. E gjithë kjo ngjan me një reality show politik, ku juria është jashtë skene, por ka të drejtën të eliminojë kë të dojë.

Mekanizmat e ndërhyrjes janë të sofistikuar. Nuk flitet për ndërhyrje, por për “ndihmë”, “këshilla”, e “mbështetje”. Por, rezultati është po ai: një vend që nuk vepron pa pëlqimin e ndërkombëtarëve dhe që e konsideron pavarësinë paksa si një luks të rrezikshëm. Për shumëkënd kjo është një “garanci”. Për të tjerë, është simptomë e një autonomie të rreme. Një vend që nuk i beson vetes dhe që kërkon përditësime morale dhe institucionale nga jashtë, më shumë ngjan me një sistem operativ në proces prove, sesa me një demokraci të qëndrueshme.

Me këtë model Kultura Politike nuk ndërtohet, por përkthehet, ndërsa idetë vijnë të gatshme, ligjet përshtaten sipas shablloneve, dhe retorika e brendshme matet me indeksin e “integrimit”. Gjegjësisht, vendimmarrja e brendshme fillon të zëvendësohet me konsulencë të jashtme, jo sepse mungojnë mendjet, por sepse mungon besimi; jo sepse institucionet nuk ekzistojnë, por sepse konsiderohen gjithnjë e më të paafta pa mbështetjen e “partnerëve”.

Ky është bash një moment që ngre pikëpyetje të thella për kuptimin e sovranitetit në një botë globale. A mund të quhet demokraci një sistem që nuk e ushtron dot vetë përgjegjësinë e vet? A është zhvillim kur çdo përpjekje për drejtësi matet me pëlqimin nga jashtë? Ndoshta, në fund të fundit, problemi nuk qëndron tek ndërkombëtarët. Ata bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë: ndikojnë, këshillojnë, prioritarizojnë. Pyetja është: çfarë bëjmë ne? Dhe a kemi guximin që të besojmë se mund të ndërtojmë diçka të vlefshme pa pëlqimin nga jashtë? Ironia më e madhe është se, ndërsa flasim për pavarësi dhe zhvillim, shpesh jemi të lidhur pas një modeli që na sheh si projekte, jo si partnerë të barabartë; dhe nga një demokraci që duhet të jetë shprehje e vetëvendosjes, kthehemi në një manual zbatimi të standardeve të dikujt tjetër.

Nëse për çdo krizë politike në Shqipëri presim reagimin e ambasadorëve, atëherë e kemi humbur të drejtën për të pretenduar se kemi sovranitet. Nëse për një hetim të SPAK-ut ne kërkojmë miratim ndërkombëtar, atëherë kemi pranuar se sistemi ynë i drejtësisë nuk gëzon legjitimitet. Mbi të gjitha, Demokracia është, një akt i brendshëm. Ajo nuk përkufizohet nga ndihma, por nga autonomia. Ajo nuk ushqehet me kontroll, por me liri. Dhe nëse shoqëria shqiptare nuk është në gjendje të prodhojë vetë drejtësi dhe legjitimitet, atëherë duhet të pranojmë me ndershmëri se demokracia jonë është një iluzion i mirë-organizuar.

Unë nuk e idealizoj sovranitetin si një fanar i vetëmjaftueshëm. Por e shoh si një parakusht për çdo emancipim të vërtetë. Demokracia që nuk mund të korrigjojë vetveten, është një regjim i brishtë. Por demokracia që nuk lejohet të korrigjojë vetveten, është një regjim i bllokuar nga frika e kontrollit të humbur. Dhe ky është rreziku real i varësisë që kemi krijuar nga “aleatët tanë strategjikë”.

Shpesh më thuhet: “Po mirë, çfarë do të ndodhte pa mbikëqyrjen ndërkombëtare? A nuk po gëlon korrupsioni, padrejtësia, kapja e shtetit?” Pyetja është e drejtpërdrejtë, por përgjigjja është më e thellë: nëse një shoqëri mbijeton vetëm nën mbikëqyrje, atëherë nuk duhet të luftojmë më as shoqëri civile, as për klasë politike të ndershme, as për qytetari (civic culture) – por, do përfundojmë si një trup i rraskapitur që pret transfuzion nga jashtë për të mos dhënë shpirt.

Ne nuk jemi më një vend post-konflikti, as një demokraci e sapolindur. Jemi një vend me mbi tre dekada tranzicion dhe me institucione formalisht të ndërtuara. Mungesa e drejtësisë apo e funksionit të shtetit nuk është më rezultat i një “tranzicioni të vështirë”, por produkt i një mentaliteti që përpiqet të dorëzojë çdo ideal të autonomisë. Po jetojmë një infantilizim të demokracisë – ku qytetarët shohin te ambasadat zëvendësuesit e shtetit dhe drejtësisë. Kjo është kriza e vërtetë.

Unë dua që Shqipëria të bëjë drejtësi, pa pasur nevojë të konsultohet më parë me ambasadat. Dua që një hetim të nisë sepse një prokuror beson te ligji, jo sepse ambasadori dha “dritën jeshile”. Dua një demokraci që nuk ka tutorë, por qytetarë, dhe në këtë sens, unë nuk jam kundër Perëndimit – jam për një marrëdhënie të barabartë me të. Me respekt, por jo nënshtrim. Me bashkëpunim, por jo me varësi. Pushteti real është këtu, jo diku tjetër.

Liberale Newsroom

A ishin zgjedhjet e 11 majit 2025 një farsë elektorale, siç pretendon opozita?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH