Prof. Asoc. Dr. Arlinda Ymeraj *
Zgjedhjet mbaruan, jo me ndonjë lavdi, por ia dolën të emërojnë 136 deputetë. Ka aty servila, karrieristë, investitorë strategjikë, anarkistë, askushër, edhe ndonjë specialist. Megjithatë të gjithë ”të emëruar”, produkt i një sistemi anti-demokratik, më anti-demokratiku i post-tranzicionit. Ky sistem është më i paturpshëm edhe se ligji zgjedhor i kohës së Enver Hoxhës, që të paktën nuk lodhej t'i paraqiste zgjedhjet si demokratike dhe votën të fshehtë.
Në seancën e hapjes të konferencës vjetore më dinjitoze të Universitetit Europian të Tiranës (1), ”Ditët e Studimeve Shqiptare”, Av. Spartak Ngjela, 10 vite më parë, pyetjes se në cilën fazë të zhvillimit ndodhej Shqipëria, iu përgjigj, me argumenta: në fazën e fundit të komunizmit. Kishte plotësisht të drejtë.
Unë nuk jam analiste zgjedhjesh, dhe as nuk është analiza e zgjedhjeve qëllimi i këtij shkrimi. Këtë kënaqësi po j'ua lë gazetarëve tanë llafollogë, të Top Channel e Klan kryesisht, edhe më të gjithditshëm se sa politikanët tanë të papërgjegjshëm, që në çdo orë të ditës janë në TV duke mbrojtur ose justifikuar ata që ju ”hedhin” kocka për t'i lëpirë.
Qëllimi im është më modest: të mbroj me argumenta zgjedhjen më 11 maj të atyre që nuk kanë patur dhe nuk kanë zë, as fuqi, të qytetarëve të nëpërkëmbur, që vërtiten nga një fushatë elektorale në tjetrën, duke nanurisur thellë në shpirt shpresën se kushedi këtë herë zëri i tyre do të dëgjohet, pa e ditur se të gjithë, edhe pse flasin për ta, në të vërtetë janë kundër tyre.
Menjëherë pas zgjedhjeve, filluan të vërshojnë si lumë kronikat e komentet rreth vjedhjes së votës. Por grabitja ose më saktë zhvlerësimi i votës u projektua shumë më herët, me miratimin e Ligjit nr. 81/2024 (2). Mjafton të vëzhgojmë rezultatet për të kuptuar se ligji jo vetëm është farsë anti-demokratike, sepse nuk garanton parimin më themelor të demokracisë, barazinë e qytetarëve, por është edhe produkt i një marëveshje diabolike ndërmjet dy partive, asaj që qeveris dhe asaj që pretendon se është opozitë.
Koalicioni ”Nisma për Shqipërinë” ka fituar 64,224 vota ose 4%. Së bashku me dy partitë e tjera, Mundësia dhe Lëvizja Bashkë, kjo shifër shkon në 137,837 ose rreth 9%. Për shkak të ligjit anti-demokratik elektoral, 9% e votës popullore përkthehet në vetëm 4 deputetë ose mesatarisht 34 mijë vota për një deputet. Tek të dy partitë ”fituese”, 1 deputet është zgjedhur mesatarisht me 10 mijë vota (PS 10,309 vota për një deputet, PD 10,582 vota për një deputet), d.m.th tre herë më pak se sa të zgjedhurit nga tre partitë e reja që ia dolën të përfaqësohen në Kuvend.
Vetëm katër të rinj janë realisht ”të zgjedhurit”, të tjerët janë ”të emëruar”. Gjykoj që të tre partitë e reja, përkatësisht Nisma për Shqipërinë, Mundësia dhe Lëvizja Bashkë, meritojnë përgëzime për këmbënguljen, vullnetin, seriozitetin, me të cilin u përfshinë në zgjedhje. Edhe për kurajon për t’u përballur me përgjegjësi me dy ulkonja të sprovuara e të paskrupullta, që zotërojnë çdo mjet e nuk kanë asnjë kompleks që t'i përdorin ato, dhe për të fituar, sepse në fakt rezultati i votës popullore është tepër domethënës. Kjo gjë nuk ndodhte qysh nga koha e të Djathtës së Bashkuar Shqiptare, 1996-1997. Fatkeqësisht shumica e atyre që llomotisin sot në TV nuk e njohin historinë e as nuk duan ta njohin sepse për shumicën e shqiptarëve jeta fillon kur lindin vetë.
Ndërsa aritmetikën e votave të mjaftueshme për t'u ulur në Kuvend e dinë edhe nxënësit e shkollave, pyetja e drejtë duhet të ishte: përse Rama&Berisha që shajnë e ofendojnë njeri-tjetrin me një fjalor të turpshëm, edhe për njerëzit e rrugës, që drejtojnë dy parti ”gjoja” diametralisht të kundërta në spektrin politik, të papajtueshme në program dhe në politikëbërje, e gjetën gjuhën e përbashkët për të ndërtuar një ligj që qartësisht favorizon vetëm ata të dy? Sepse të dyve ju intereson të qeverisin të vetëm, për të miratuar me lehtësi lejet e ndërtimit, investimet ”strategjike”, ruajtur e fshehur paratë e tyre dhe vjedhjet e grabitjet. Jo vetëm kaq: duhet të qeverisin edhe me dorë të hekurt, me dhunë, prandaj ju duhen deputetë të ”emëruar” jo të zgjedhur, që të kërcejnë vallen sipas këngës ”Enver Hoxha tungjat jeta”.
Ky ligj shkon përtej vjedhjes së votës. Ky është nëpërkëmbje, përbuzje, zhvlerësim i mendimit qytetar, shndërrim i një populli të tërë në një tufë delesh, dhe këto të cilësive të ndryshme, dele më ”pjellore” dhe ”më pak pjellore”.
Ajo që më trondit më shumë është pyetja se ku ishte OSCE&ODHIR, EU dhe të gjithë institucionet e agjencitë ndërkombëtare, që anashkaluan shkeljen e të drejtës së barazisë përpara votës të shqiptarëve? Sigurisht që mund të ”justifikohen” me politikën e mosndërhyrjes, por ka gjasa që kjo të mos jetë e vërtetë, përderisa nuk e kujtojnë këtë parim as edhe konfliktin e interesit kur drekojnë apo darkojnë tek restorantet e anëtarëve të qeverisë, as edhe kur kontraktojnë zonjën e parë, atë që ishte dhe këtë që është. Me sa duket, edhe këto institucione udhëhiqen nga interesat e tyre, jo domosdoshmërisht të njëjta me interesat e popullit, pavarësisht formulimeve në raportet e progresit.
Prandaj ndjehem edhe më keq kur dëgjoj që të gjithë ”kapen” me elektoratin, në vend që të kërkojnë përgjegjësi tek institucionet. Ngado dominojnë vlerësimet se: shqiptarët kanë qenë, janë e do të mbesin të majtë; qahen kot se janë keq ekonomiksht sepse e treguan me votën për PS që janë të kënaqur; janë të paditur e besojnë gjithçka që ju thonë patronazhistët; janë edhe të shitur sepse me 5 mijë lekë e dy tallona karburanti nuk e kanë për gjë të ndryshojnë opinion, e sa sa konsiderata të tilla fyese.
Ku ka dallim në Shqipëri ndërmjet të majtës dhe të djathtës! Në program! Në përbërje! Në mënyrën e përdorimit të instrumentave politikë apo në sjelljen përballë publikut! Fatkeqësisht në asnjërën nga këto. Të dyja partitë, kryesisht për meritë të dy drejtuesve të tyre drejtojnë dhe qeverisin me dorë të hekurt. Shqipëria, pavarësisht Kushtetutës dhe sistemit shumë partiak, në thelb është ende diktaturë, e ndryshme nga ajo e para-tranzicionit, sepse diktatorët tashmë vetëm ndryshojnë vendet, por mënyra e qeverisjes është e njëjtë.
Si mund të quhet Sali Berisha “i djathtë”? I mbrujtur, i ushqyer, i rritur, i privilegjuar dhe i promovuar nga kupola e Partisë së Punës të Shqipërisë, të vetmet reforma të djathta që mund e duhej të bënte, përkatësisht “dënimin politik të diktaturës të Enver Hoxhës” dhe “Pronën tek i zoti”, nuk i bëri, pa harruar që sa herë ka drejtuar ai, është derdhur gjak i pafajshëm. Ku duket “djathtizmi i Sali Berishës”? Tek shkatërrimi me dhunë i çdo mendimi kundër në parti? Tek minimi i konkurencës së lirë në çdo fushë, apo tek promovimi i të gjithë ish sigurimsave dhe shndërrimi i tyre në deputetë, drejtues, biznesmenë e gazetarë, dhe që kanë monopolizuar çdo hapësirë, përfshirë ato virtuale.
Po Rama, çfarë mund të quhet? Ai nuk e di as vetë, dhe për të qenë të drejtë, as nuk do t'ia dijë. Me një prejardhje po aq të privilegjuar sa Berisha, pasi u përpoq pa sukses që të bëhej ”i parë” në PD, i hapi udhën vehtes tek PS, sepse atje gjeti një ”qytetar liberal” më të djathtë se Rama e Berisha së bashku. Rama dhe programet politike nuk kanë asnjë pikë të përbashkët. Rama, është një diktator i kulturuar dhe artikuluar, amalgamë cilësish tepër e rrezikshme, që me të njëjtin menefregizëm që përdor penelin e ngjyrat, drejton edhe bandën e vet të hajdutëve.
Duke votuar PS, shqiptarët votuan të keqen më të vogël sepse ndërmjet ”qeverisjes nëpërmjet vjedhjes” dhe ”qeverisjes nëpërmjet gjakderdhjes” zgjodhën të parën, me mendimin se kushedi nuk ka ngelur më gjë se çfarë të vjedhin, e mund t'i kthehen punës. Ose, mbase, meqenëse Kryeministri ynë i nderuar do të na fusë në BE, ”të huajt” do t’i vënë kufinj makutërisë të pafre të shtetarëve tanë, veç në mos i pjestofshin bashkë paratë dhe pronat e grabitura. Sigurisht në këtë hamendësim për llogjikën e shqiptarëve përpara kutisë së votimit nuk përfshihet armata e 191 mijë të punësuarve në administratën publike bashkë me familjarët e tyre, që çdo ditë ka qenë e përfshirë në fushatë elektorale, gjatë orarit të punës, nga zyrat e shtetit, me paratë e shtetit, në të vërtetë me paratë tona. Edhe në mos e adhurofshin kryetarin, vendit të tyre të punës, atij vendi ”pëllumbash”, ku paratë derdhen nga tavani e dyshemeja, i falen 10 vakte me ritet e të tre feve. Në këtë hamendsim nuk përfshihen as fanatikët e të dy krahëve sepse të tillë ka e do të ketë. Të paktën ata janë të ndërgjegjshëm për besimin e tyre.
Pse nuk patën më shumë besim tek tre alternativat e reja? Kjo është pyetja tjetër e drejtë. Përveç ligjit, që qartësisht favorizon dy më të “fortët”, të dyja partitë (PS dhe PD), në përbërje, mendësi dhe kapacitete, janë pjella të Partisë së Punës, strukturat e së cilës prej 80 vitesh drejtojnë këtë vend, me të njëjtën mendësi të diktimit dhe të shfrytëzimit. Duhet ende shumë punë e mund për t'i ndërgjegjësuar shqiptarët që të shohin dritë jeshile në terrin e tyre të mjerimit.
Prandaj lufta politike e hapur, e egër, e vërtetë, sapo ka filluar. Të rinjtë nuk duhet të tërhiqen, as të shiten e blihen, në mundshin të bashkohen. Tashmë e kanë mundësinë për të folur e për t'u dëgjuar.
Edhe këtyre deputetëve të sapo emëruar të PD dhe PS që do të ulen në Kuvend në sesionin e ardhshëm, një kujtesë: të mendojnë se pas katër vitesh, kur sapo do ju jetë ”lezetuar” aq shumë karrigia, mund të mos ri-emërohen nga drejtuesit e tyre vizionarë, prandaj sa janë në kohë të përpiqen për të ndryshuar Kodin Zgjedhor. Le t'iu bëjnë një shërbim të vetëm këtij vendi dhe këtij populli, që me dashje ose pa dashje, i mban në ato karrige me punën, djersën dhe paratë e veta.
Shqiptarët janë të zgjuar, edhe të drejtë. Ndonëse të harruar në mjerimin e tyre, ata përsëri ia dolën të përcjellin mesazhin, edhe pse në vesh të shurdhër. Deri kur do të vazhdojë shurdhëria e politikës shqiptare………………..????
* Përgjegjësja e Departamentit të Menaxhimit dhe Marketingut në UET
[1] "Transformimi i madh: 25 vjet përvoja shqiptare e tranzicionit dhe demokratizimit", 24-25 prill 2015
[2] “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”