Aranit Muraçi
Minimumi Jetik është kartë e njohur e partive të majta ose të qendrës së majtë kudo në botë. Politikat e tyre sociale-ekonomike për të përkrahur shtresat më në nevojë nga njëra anë dhe dilema se kush do ta paguajë faturën mbeten tema debati të nxehta jo vetëm në fushatë, por edhe më pas, kudo. E majta në parim përdor kartën e zgjerimit të hartës së përkrahjes sociale ndërsa e djathta mbron idenë e ndikimit më të paktë të shtetit në shoqëri dhe e një taksimi sa më të ulët për biznesin. Të dyja kartat janë ideologjike, përdoren për efekte elektorale. Nuk është provuar praktikisht se cila prej dy kartave është më e drejtë.
Me një kartë të tillë, të majtë, Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha, lideri i saj historik me të cilin ka ardhur dy herë në qeverisje gjatë periudhës post-komuniste, kërkon të rikthehet për herë të tretë në pushtet pas tri humbjeve radhazi në zgjedhjet e fundit parlamentare. Karta e PD-së ndonëse e majtë është morale për arsyen se një të tillë e kanë shumica dërrmuese e vendeve të tjera në Europë, ku duam të integrohemi dhe një qeveri e majtë në Shqipëri nuk po e mundëson dot.
Si shembull, Girogia Meloni, kryeministrja italiane e vendit fqinj për të zbutur krizën e çmimeve si dhe për të përkrahur shtresat e prekura nga rritja e kostos së jetesës me qëllim që të mos goditej fuqia blerëse dhe ekonomia e Italisë ndërmori ndër politikat fiskale më radikale të majta. Qeveria e Melonit për të grumbulluar në arkën e shtetit paratë që i duheshin për të paguar faturën taksoi deri në 90 për qind biznesin që kishte përfituar direkt nga kriza e çmimeve.
Një politikë të tillë ndoqën thuajse të gjitha vendet e BE-së, nën qeverisje të majta apo të djathta, ndërsa niveli i taksimit vendosej në përputhje me intensitetin e krizës ose të vullnetit të partisë në qeverisje. Çuditërisht një e tillë nuk u ndoq nga një parti e majtë, në qeverisjen e vendit tonë. Minimumi jetik nuk njihet ende ligjërisht në Shqipëri dhe dhe as është përmendur ndonjëherë nga partia e majtë në pushtet. Nëse do të njihej, siç e premton PD, askush në Shqipëri nuk do të përfitonte pension ose përkrahje sociale nën 200 euro.
Nga raporti i INSTAT rezulton se minimumi jetik në vend në vitin 2022, është vlerësuar 184 euro muaj. Referuar këtyre shifrave Avokati i Popullit, thotë në raportin vjetor se 1/3 e popullsisë jeton në varfëri. Në raport vlerësohet se as masat mbështetëse nuk kanë arritur të japin rezultatin e duhur për të dalë nga varfëria. Duke e njohur ligjërisht qeveria do të ishte e detyruar të paguante faturën.
Sipas të dhënave zyrtare deri në fund të vitit 2024 vlerësohen 503.747 pensionistë në qytet, të cilët jetojnë mesatarisht me 190 Euro në muaj dhe 86.902 pensionistë në zonat rurale të cilët jetojnë mesatarisht me 115 Euro në muaj. Ndërkohë, skemës së pensioneve i shtohen edhe 60. 956 invalidë të punës në qytet që jetojnë mesatarisht me 180 Euro në muaj rreth 6 mijë invalidë të punës në zonat rurale që jetojnë mesatarisht ne 90 Euro ne muaj. Listës i shtohen 60 mijë familje që përfitojnë ndihmë sociale, me një mesatare 85 euro në muaj. Numërohen mbi 72 mijë invalidë me aftësi të kufizuar të jetojnë mesatarisht me 134 Euro në muaj dhe rreth 44 mijë persona me pension familjar në qytet të cilët jetojnë mesatarisht me 89 Euro në muaj. Janë në total rreth 600 mijë persona që mund të përfitojnë nëse do të mund të realizohet premtimi elektoral i fushatës së Partisë Demokratike, në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Fatura për të mundësuar minimumin jetik llogaritet në të paktën 970 milionë euro në vit. PD ka premtuar se do të vendosë minimumin jetik brenda 100 ditëve të para dhe janë shumë ata të cilët pyesin: a është i realizueshëm një premtimi tillë?
Me vullnet të mirë politik minimumi jetik është i mundur dhe i realizueshëm. Në kushtet që jemi dhe me buxhetin që kemi minimumi jetik realizohet përmes politikave fiskale, duke ndryshuar buxhetin dhe duke hequr dorë nga shpenzime të tjera, të nevojshme ose të panevojshme që mund të prekin edhe investimet në infrastrukturë. Por mund të realizohet edhe duke përdorur “metoda” të tjera që ndjekin qeveritë përmes mekanizmave të ndryshëm financiarë, siç ishte për shembull vendimi i rritjes së pagave në sektorin publik, që u shoqërua me rritje të inflacionit dhe ku praktikisht rritja reale është e vështirë të preket nga shumica e qytetarëve.
Realizimi më i mundshëm dhe që është më pak i realizueshëm nga një parti që ka qenë dy herë në pushtet është përmes luftës ndaj korrupsionit. Sipas KLSH-së dëmi financiar i identifikuar i institucioneve të Administratës shkon mesatarisht në 1 miliard euro në vit, diçka më shumë se fatura që duhet të paguhet për minimumin jetik. Dëmi real mund të jetë edhe më i lartë se 1 miliard dollarë në vit, i vlerësuar nga institucione të ndryshme ndërkombëtare. Pra, mjafton të ndalet abuzimi me paratë publike për të paguar faturën e minimumit jetik që premton PD-ja.
Por korrupsionin si kudo në botë nuk mund ta frenojë dhe as mund ta luftojë politika, shkaktarja e një fenomeni të tillë. Korrupsionin e luftojnë institucionet ligjzbatuese, me të cilat opozita ka një të kaluar të errët dhe për më tepër nuk ka ndërtuar një platformë bindëse për rigjallërimin e tyre.
Retorika për të luftuar institucionet e reja të drejtësisë, të mbështetur aq fort nga institucionet ndërkombëtare bien në kontadiktë të plotë me të ardhmen e vendit në BE, që është një objektiv më madhor politik i Shqipërisë. Ndaj edhe premtimi elektoral i PD-së, për të mundësuar minimumin jetik, është moral, i arritshëm por i pamundur të realizohet nga një parti e udhëhequr nga një lidership i cili nuk ka dhënë dhe nuk jep besueshmëri për respektimin e institucioneve që do të jepnin garanci për luftën ndaj korrupsionit si kudo në vendet anëtare të BE-së.
Përsa i takon vendeve të BE-së, vendi me nivelin më të lartë të minimumit jetik për vitin 2021 është Luksemburgu, me një vlerë 2.124 euro/muaj për person. Vendi i dytë është Danimarka me vlerën 1.604 euro/muaj. Pasojnë Holanda, Irlanda, Austria e me radhë. Vendet me vlerën më të ulët të minimumit jetik brenda familjes Europiane janë Rumania (242 euro/muaj), Bullgaria (258 euro/muaj), Hungaria (331 euro/muaj).
Mesatarja e minimumit jetik për vendet e BE-së vlerësuar në rreth 869 euro/muaj për vitin 2022. Edhe krahasimi me vendet e BE-së zbulon se minimumi jetik duhet të ishte mundësuar dhe duhet të ishte sot një realitet për shqiptarët. Ndoshta PD e premton atë më tepër si një premtim elektoral në pamundësi për të ardhur në pushtet e për ta realizuar atë.