Opinion

ANALIZË nga Enxhi Heti: Mirazhi i "të resë" në samitin e Tiranës

Shkruar nga Liberale

ANALIZË nga Enxhi Heti: Mirazhi i "të resë" në

Enxhi Heti * 

Gjatë punimeve të Forumit Ekonomik Botëror në janar të këtij viti, Donald Trump i vërviti në tryezë Bashkimit Evropian sfidën e rishpikjes së vetvetes. Për t’iu përgjigjur kësaj sfide me sukses, sikurse shprehu tërthorazi António Costa, Komuniteti Politik Evropian zbarkoi në Tiranën e zymtë nën sloganin e “të resë”. Ajo çka, për nga titulli, u konceptua si shpalosje e narrativës njomëzake të rikrijimit të identitetit politik, u transformua në një trumbetim anakronik të aftësisë së Evropës për t’u përshtatur shpejt me ekuilibrat e çakërdisur të një bote që është në prag të ndërrimit të faqes.

Ndonëse pritej që të trajtonte dinamikat e reja botërore nga këndvështrimi i rolit të ri të BE-së, samiti i Tiranës erdhi si një shkrirje e lëndëve ndërtuese të samiteve pararendëse, të cilën përfaqësia kishte vendosur që ta derdhte këtë radhë në kallëpin gjeografik të Ballkanit Perëndimor. Siguria, rezilienca ekonomike dhe emigracioni që formuan triadën tematike të samitit të Tiranës, janë tepër të rrahura dhe aspak të reja për samitin e Pragës së vitit 2022, samitin e Bulboakës së vitit 2023 dhe samitin e Oksfordshirit të vitit 2024.

Në seancën e fjalëve përshëndetëse, ku këto tre tema të vjetra sa vetë Bashkimi Evropian u cekën krejt ceremonialisht, përfaqësuesit politikë evropianë paralajmëruan Putinin, kushedi për të satën herë në tre vjet, se do të përballet me pasoja serioze sanksionuese nëse nuk ulet në negociata, e megjithatë Rusisë nuk i janë thyer ende gjunjët nga pasoja të tilla. Më evropianët ndër evropianë thanë se vlerat për të cilat po luftojnë sot në Ukrainë, janë të njëjta me vlerat për të cilat u përpoqën në Luftën e Dytë Botërore, paçka se Evropa e sotme nuk është palë ndërluftuese. Të gjithë njëzëri siguruan njëri-tjetrin se do të ketë forcim aleancash, por marrëdhënia me Turqinë mbeti prapëseprapë e nderë, ndërkohë që me Indinë e largët nuk u pikas as ngurrimi më i vogël për të shtrënguar duart e partneritetit.  BE-ja premtoi se do t’i qëndrojë më pranë Ballkanit Perëndimor, ndonëse vijon të shpërblejë me fonde Serbinë për rusofilinë e saj me justifikimin e të drejtës për vetëvendosje dhe këmbëngul të mbajë të mbërthyer Kosovën evropëdashëse në leqe sanksionesh pikërisht për shkak të kësaj të drejte, si të ishte shkapërthyesja e paqes rajonale.

Për t’i ardhur verbalisht në mbështetje Evropës së Re, Ursula von der Leyen deklaroi, me entuziazëm të përkorë e deri diku stoik, se Evropa ishte zgjuar. Këtë dalje nga përgjumja, u rrek ta provonte duke shtuar se, pas çdo krize, Evropa ka dalë më e fortë dhe më e bashkuar. Sipas saj, një aftësi të tillë për t’u kalitur, Evropa e ka demonstruar me pandeminë Covid-19 dhe me agresionin rus të viteve të fundit.  Por, kujtesa nuk është venitur aq sa për të mos mbajtur mend se si BE-ja ia mbylli kufijtë Italisë me të parë kolapsin që po i afrohej dhe se si i braktisi vendet e Ballkanit Perëndimor në mëshirën diplomatike të Turqisë dhe të Kinës. Sërish, është ende shumë herët për të harruar se, zgjidhja e çështjes së Ukrainës në të mirë të kësaj të fundit, sikurse synohet nga BE-ja, përfshiu si hap të parë pranimin e imperativës së shitjes së nëntokës ukrainase për të ngirë grykësinë amerikane. Ndërkohë, në Shtëpinë e Evropës, jehonin grishjet e zakonshme nanuritëse: unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët!

Gilles Deleuze besonte se “e reja” nuk vjen nga përsëritja, por nga ndryshimi. Në samitin e  Tiranës u trajtuan tema të vjetra, u rikonfirmuan problematika ekzistuese, u propozuan zgjidhje të sprovuara dhe u përdor ligjërimi i kahershëm llokoçitës, që vetëm Bashkimi Evropian di ta servirë me elegancë. “E reja” mbeti dukshëm vetëm në nivel fjalësor. BE-ja vijon të pandehë se mund të gdhendë sisteme të reja, apo se mund të riformësojë identitete politike në cirkumvolucione fjalësh. Të prezantohesh në arenën ndërkombëtare me mendësinë e një Sartri të papjekur në një kohë kur lipsen veprime vendimtare, do të thotë të luash me besueshmërinë dhe reputacionin.

BE-së nuk i duhet të rishpikë vetveten sikurse është shprehur Donald Trump dhe rishprehur Kryeministri i Shqipërisë në samit. Për të mos humbur joshjen e saj, BE-së i duhet të hedhë një hap të thjeshtë ndryshimi dhe të ndërtojë urën e koherencës mes fjalës dhe veprimit, sepse një krijim ex nihilo sipas linjës së mendimit të Nietzsche-s, është thuajse mision i pamundur për këtë dekadë.

* Enxhi Heti ka përfunduar studimet në nivelin Master Shkencor për Marrëdhënie Ndërkombëtare në UET

Liberale Newsroom

A duhet ta ftojë PS-ja PD-në në një bashkëpunim më të hapur në qeverisje, për të arritur objektivin e përbashkët të anëtarësimit në BE?

  • Po!
  • Jo!
SHQIPENGLISH