Bjorni Tane *
Në këtë fushatë zgjedhore, po bëhet gjithnjë e më e qartë se kush bën më shumë zhurmë, ecën përpara. Kandidatët që shfaqen në skenë me këngëtarë të famshëm apo me video plot ritëm, shpesh kanë më shumë sukses se ata që përpiqen të flasin për çështje reale. Mjafton një këngë popullore dhe një skenë me tupan, dhe fushata konsiderohet e suksesshme edhe nëse nuk është thënë asgjë me vlerë për qytetarët.
Në gjuhën e PR-it, këtë e quajmë “kërcitje”: zhurmë që duket si komunikim, por që nuk sjell asnjë ide reale. Është një efekt tymi që fsheh boshllëkun e përmbajtjes. Kandidati shfaqet, buzëqesh, ngre duart me ritëm, por nuk thotë dot çfarë do të bëjë me arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën apo jetën e qytetarit të zakonshëm.
Është e vërtetë: teknologjia ka përparuar dhe rrjetet sociale janë sot mjeti më efikas për të komunikuar. Por kur këto përdoren vetëm për zhurmë, pa asnjë ide, pa asnjë thelb, atëherë nuk po bëjmë komunikim po bëjmë show.
Fushata politike është kthyer në një performancë skenike, ku fjala humb kuptimin dhe imazhi bëhet gjithçka. Nuk ka më rëndësi nëse kandidati ka vizion, nëse kupton problemet e komunitetit apo nëse ka një plan konkret për të ardhmen. Rëndësi ka që videoja të jetë “viral”, që ndjekësit të reagojnë dhe që atmosfera të jetë e ndezur. Në këtë logjikë, politika nuk matet më me ndikimin e saj afatgjatë, por me statistikën momentale të një postimi në Instagram. Dhe kjo nuk është thjesht një çështje estetike është një krizë e thellë përfaqësimi.
Kjo krizë është veçanërisht e dukshme për brezin e ri, i cili është njëkohësisht më i lidhur me rrjetet sociale dhe më i zhgënjyer nga politika. Kur një kandidat ngjit popullaritet me një video të koreografuar mirë, por nuk ka asnjë ide për arsimin e lartë, papunësinë apo emigracionin, atëherë ne nuk kemi thjesht një problem komunikimi kemi një boshllëk serioz përmbajtjeje. Dhe ky boshllëk përkthehet në mosbesim, në indiferencë, në mungesë votimi dhe, më tej, në dobësim të vetë demokracisë.
Sot, qytetari nuk trajtohet si një individ me mendim kritik, por si një konsumator emocional, të cilit i shitet një paketim, jo një zgjidhje. Dhe kur e vetmja kërkesë për të fituar zgjedhjet është që të jesh i pranishëm online, atëherë politika shndërrohet në një konkurs popullariteti, jo në një përpjekje për të ndryshuar realitetin.
Kemi kaluar nga pyetjet “çfarë propozon?” dhe “si do ta realizosh?” te matja e impaktit me “sa share mori?”. Fushata është kthyer në një garë për klikime, jo për përfaqësim. Dhe në fund, ajo që mbetet është vetëm një pyetje që askush nuk po e bën: Kujt i shërben gjithë kjo zhurmë pa thelb? Sepse qytetarëve, sigurisht që jo. Zhurma nuk ndërton rrugë. As nuk rrit pagat. As nuk mbron interesat e publikut. Zhurma është kalimtare, si çdo trend që sot ngjitet lart dhe nesër harrohet. Por pas çdo zhurme, mbetet heshtja e premtimeve të pambajtura dhe zhgënjimi i atyre që votuan duke parë spektaklin, e jo substancën.
Zgjedhjet janë një akt serioz, jo një event festiv. E nëse vazhdojmë të votojmë ata që “kërcasin” më fort e jo ata që kuptojnë nevojat e njerëzve, atëherë nuk kemi pse të habitemi që politika nuk na përfaqëson më. Sepse e kemi bërë ne të tillë: një politikë me zë të lartë, por mendim të ulët.
Për këtë arsye, është koha të kërkojmë një ndryshim rrënjësor në mënyrën si bëhet komunikimi politik. Nevojitet një strategji komunikimi reale, e ndërtuar mbi dëgjim aktiv, përmbajtje të vlefshme dhe angazhim të vërtetë me qytetarët. Kjo do të thotë të flasësh për problemet konkrete të njerëzve, të ofrosh zgjidhje të detajuara dhe të shpjegueshme, jo vetëm premtime të zbukuruara me ngjyra dhe muzikë. Duhet t’u kthejmë njerëzve ndjesinë se fjala ka vlerë, se politika është mjet për ndryshim dhe jo për zbavitje. Vetëm atëherë zhurma do të zëvendësohet me përmbajtje dhe spektakli me substancë.
* Bjorni Tane është ekspert i ri në komunikim dhe marrëdhënie me publikun. Aktualisht, konsulent komunikimi në dy kompani të njohura dhe ndjek studimet Master në Shkenca Komunikimi – Marrëdhënie me Publikun pranë Universitetit Europian të Tiranës