Roland Lami
Vështirë se dikush ka ndonjë dilemë se cili subjekt politik do të jete forcë e parë në këto zgjedhje, përfshirë këtu edhe vetë kandidatët e Partisë Demokratike. Partia Socialiste ka shumë gjasa të fitojë mandatin e katërt duke krijuar një precedent të ri me jo dy por katër mandate radhazi, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë bllokun e ish-lindjes komuniste. E vetjma dilemë në këto zgjedhje mbetet nëse do të arrijë Partia Socialiste e vetme të formojë shumicën e thjeshtë, duke përsëritur rezultatin e 2017 dhe 2021 me 74 mandate apo jo? E shprehur ndryshe, a do të arrijë Partia Socialiste të mos kushtëzohet në formimin e qeverisë nga ndonjë subjekt apo koalicion siç ishte rasti i PD në 2009 dhe i PS në 2013?
Zgjedhjet e 2025 ofrojnë disa rrethana që mund të kemi një Kingmaker – parti ose grup deputetësh të dalë nga partitë e reja që mund të kushtëzojnë sigurimin e shumicës qeverisëse e ngjashme me rastin e LSI në 2009 dhe 2013 ndryshe nga çfarë pretedon PS-ja që deklaron se jo vetëm do të përsërisë suksesin e 2017 dhe 2021 por mund të fitojë edhe 80 mandate. Arsyet janë disa për të besuar në formimin e një poli të tretë pas këtyre zgjedhjeve.
Së pari, referuar KQZ janë regjistruar për të votuar më shumë se 230.000 votues nga diaspora; përkthyer në mandate janë rreth 22-23 mandate potencialisht që mund të ndikojnë ndjeshëm në rezultatin zgjedhor. Shpërndarja e emigranteve të regjistruar sipas qarqeve është e perqëndruar në qarqet që prodhojnë më shumë mandate si Tirana, Fieri, Durrësi, Elbasani, Korça, Vlora, kështu që ka më pak gjasa që vota të humbasë apo të mos përkthehet në mandate krahasuar me qarqe të tjera si Gjiokastra, Kukësi dhe Dibra ku numri i emigrantëve të regjistruar është shumë hërë më i ulët. Grup mosha 25-35 dominon më së shumti votuesin e diasporës.
Janë pikërisht këto dy të dhëna që rrisin gjasat që vota e diasporës të kanalizohet jo vetëm te dy partitë kryesore PS dhe PD por edhe te partitë e reja, për disa arsye.
A) Është votues kryesisht urban dhe preferon parti të reja që dominohen kryesisht nga të rinjtë, ky është trendi i sjelljes së bashkëmoshatarëve në çdo vend në perëndim.
B)Është brez që është larguar jashtë pikërisht nga mungesa e shpresës që ka krijuar si qeveria nga keqqeverisja dhe mungesa e alternativës serioze nga PD duke u perceptuar si të ngjashëm jo të ndryshme nëse ndryshon qeveria nesër. C) Vet mosha referuar bashkmoshatarëve në perëndim janë kundra establishmentit politik dhe pro ndryshimit të klasës së vjetër politike. Së fundmi, janë brez që joshen nga populizmi i partive të reja në rrjetet sociale më shumë se grup moshat 45 vjecç e lart. Të gjitha këto arsye rrisin shanset që në këto zgjedhje të kemi disa deputetë nga forcat e reja politike që mund të formojnë një grup parlamentar.
Së dyti, larmia e shpërndarjes së votës në Shqipëri në këto zgjedhje është e tillë që kercënon si votën e majtë të PS por më shumë atë të djathtë të PD. Për spektrin e qendrës së djathtë dhe të djathtë parti si: Aleanca Euroatlantike, Partia Mundësia, Djathtas për Zhvillim marrin kryesisht vota tek e djathta dhe qendra e djathtë dhe shumë më pak tek e majta. Ky konfigurim te e djathta ul mundësitë që Koalicioni Shqipëria Madhështore të maksimizojë votat dhe të ketë një rezultat më të mirë se në 2021. Në krahun tjetër, partitë e reja që garojnë brenda së djathtës kanë gjasa të nxjerrin disa deputetë.
Referuar spektrit të majtë është e vertetë që ka më pak parti që kërcënojnë votën e së majtë siç është partia Lëvizja Bashkë e cila është qartësisht e pozicionuar majtas, madje disa pika të programit të kësaj force politike sot i ka huazuar PS si pjesë të programit të saj, por rreziku mbetet aq sa mund të konsiderohet. Gjithashtu, në spektrin e qendrës së majtës është pozicionuar koalicioni Thurje dhe Shqipëria Behet të cilët pavarësisht se janë parti populiste dhe synojnë të marrin vota në të gjithë krahët, kanë shumë probabilitet të marrin votat e socialistëve të zhgënjyer, të papërfaqësuar, të neveritur nga niveli i korrupsionit qeverisës etj.
Së treti, strategjia e organizimit të fushatë së PS duke u mbështetur më së shumti te trurbofolku dhe nxitja e imagjinatës së shqiptarëve me projektin “Shqipëria Eruopiane e 2030” sesa te bilanci dhe projektet që do të shoqërojnë mandatin e katërt, ulin mundësinë e maksimizimit të votave të së majtës duke përjashtuar votuesin gri. Kjo tipologji votuesish që analizon programet, ekipet, gjykon premtimet, krahason alternativat qeverisëse, shkon përtej interesit të ngushtë personal dhe sheh sa siguri ofron për të ardhmen e investimeve të tij/saj, në sigurinë e fëmijve etj, kjo formë organizimi fushate, ndryshe nga tipologjitë e tjera të votuesve nuk e gjen veten dhe nuk joshet apo bindet të votoj.
Sigurisht, një fushatë e ngjashme e PS në 2017 dhe 2021 ka sjell suksese dhe pse mos pretendohet të sigurohet i njëjti sukses dhe në 2025 pavaresisht voton apo jo votuesi gri? A) Vota e majtë në këto zgjedhje kercënohet më shumë të kanalizohet edhe në parti të tjera të spektrit të majtë dhe qendrës së majtë sesa në zgjedhjet e 2017 dhe 2021 të cilat sot kanë fuqi organizative dhe PR në media sociale që nuk e kishin më përpara. B ) Përsëritja e të njëjtës strategji të të bërit fushatë nga ana e PS siç po bën edhe PD në krahun tjetër nuk përmbush pritshmiritë e të gjithë tipologjive të votuesve por vetëm të disave. C- zbavitja, spektakli, batuta me video apo sloganet ëndërrimtare kënaqin votuesin irracional apo siç njihet ndryshe votuesi i qendrueshëm por jo votuesi racional që ndryshe njihet si skeptik.
Së fundmi, arrestimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj sjell kufizime të ndjeshme në rritjen e mundësive të maksimizimit të votave në qarkun që prodhon më shumë mandate si dhe të perdorimit të pushtetit lokal në funksion të zgjedhjeve të 11 Majit. Ndryshe nga 2017 dhe 2021, kryetari i Bashkisë nuk është në krah të Kryeministrit Rama. Mos harrojmë që imazhi që tentohet të krijohet në kohë fushate nga ana e Bashkisë Tiranë duke inaguruar punë të përfunduara edhe të papërfunduara në funksion të përforcimit të perceptimit te publiku në nivel qarku dhe kombëtar se qeveria punon dhe mban premtimet. Mos harrojmë se nevoja për protagonizëm i kryetarit të Bashkisisë Veliaj sidomos në kohë fushatash për të krijuar idenë e numrit dy në PS i ka shërbyer PS-së, jo e kundërta. Mungesa e protagonizmit të tij dhe institucionit që drejton në këtë periudhe nuk do kaloj pa efekte te vota socialiste dhe më gjërë.