Opinion

OPINION nga Luan Rama: Telefoni i një mëngjesi

Shkruar nga Liberale

 

OPINION nga Luan Rama: Telefoni i një mëngjesi

Për të uruar Hamit Boriçin

Nuk e kam zgjedhur rastësisht titullin e filmit të regjisorëve Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro, me skenar të shkrimtarit Nasi Lera, për t’i prirë këtij shkrimi për HAMIT BORIÇIN.

Jo ngaqë në shenjë mirënjohjeje dhe nderimi, unë e nisa ditën sot duke e marrë në telefon për ta uruar HAMIT BORIÇIN në 95-vjetorin e tij të lindjes, pasi telefonata ime e urimit nuk ka asnjë lidhje me telefonatën e filmit.

Por, sepse m’u duk shumë pak ta mbaja urimin për të, brenda asaj telefonate.

Ndaj, për ta ndarë me ju, zgjodha pikërisht titullin e filmit “Telefoni i një mëngjesi”, edhe sepse ai film ka për subjekt punën e një redaksie gazete, me gjithë dinamikat, problemet, shqetësimet e dukuritë e një kohe tashmë të largët.

Por, edhe sepse për shumë e shumë vite jeta e HAMIT BORIÇIT si kryeredaktor ka qenë “Telefoni i një mëngjesi”.

Mbase e kam gabim, por me sa mbaj mend, edhe shumë plane të atij filmi janë xhiruar në redaksinë e gazetës “Bashkimi” ku Hamit Boriçi ka qenë kryeredaktor.

Pa e ditur se kë kryeredaktor ka patur parasysh shkrimtari Nasi Lera kur ka shkruar veprën, unë dua të besoj se kryeredaktori i filmit, është vetë kryeredaktori i shkrimit tim, i cili sot feston 95-vjetorin e lindjes.

Ka qenë pedagogu im i letërsisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, Prof. Selami Tabaku, që më dha mundësina ta njoh HAMIT BORIÇIN kur unë isha student e ai kryeredaktor i gazetës “Bashkimi”.

Që prej atij momenti e në çdo rast tjetër më pas, mirësia, thjeshtësia dhe dashamirësia, janë për mua cilësitë e spikatura të tij.

Besoj shumë se me ato cilësi më “ftoi” e më motivoi të zgjidhja e t’i jepesha më pas profesionit të gazetarit, ku modelet apo shembujt janë të rëndësishëm për të mundur të mbërrish tek ëndërra që zgjedh të bësh realitet.

OPINION nga Luan Rama: Telefoni i një mëngjesi

HAMIT BORIÇI është pa asnjë mëdyshje historia e gjallë e shtypit shqiptar në gati një shekull.

Që prej mesit të viteve 1950 e tëhu, ai është po aq edhe historiani më me autoritet i asaj historie ku qe dhe ku mbetet protagonist me kontribute të çmuara si gazetar e si kryeredaktor, si lektor dhe profesor themelues i shkollës së gazetarisë në Shqipëri.

Kërkues këmbëngulës e qëmtues i vëmendshëm, punëtor i palodhur dhe i kujdesshëm ndaj çdo episodi a detaji sado periferik apo i parëndësishëm në dukje, HAMIT BORIÇI ka ditur të krijojë profilin e intelektualit fisnik dhe emërmirë.

Fjalëpak kur i duhet të flasë për vete, fjalëmbël dhe fjalëmirë për të tjerët, i matur e shumë serioz kur i duhet të vlerësojë punën e gazetarëve, drejtues i të cilëve ka qenë, e po aq fisnik në çdo fjalë që thotë për kolegët që nuk jetojnë më, HAMIT BORIÇI vjen sot në 95-vjetorin e lindjes edhe si modeli i qytetarit të angazhuar dhe veprimtarit të palodhur, që s’rreshti e as nuk rresht së punuari pavarësisht moshës, për të shpërfaqur dhe për të na e bërë të njohur gjithçka ka mundur të zbulojë, të njohë a të mësojë në jetën e tij të gjatë.

Ja, për këto arsye unë zgjodha ta ndaj me ju urimin në ditëlindjen e 95-të të Hamit Boriçit.

Sepse për Hamit Boriçin duhet shkruar e duhet folur me zë të lartë. Ai meriton vetëm nderim.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH