Opinion

FJALIMI - Nga Edi Rama: Do uleni në çdo tryezë të Europës si shqiponja

Shkruar nga Liberale

FJALIMI - Nga Edi Rama: Do uleni në çdo tryezë të

* Edi Rama
 
Arsyeja pse zgjodhëm këtë sallë, duke pasur parasysh edhe rrezikun që një pjesë të mos mundej të hynte brenda është se unë, meqë ky është takimi i fundit përpara zgjedhjeve, do të dëshiroja që, jo vetëm të mbaj një fjalim dhe të ikja, por dhe të merrja disa pyetjeve nga ju. Do t’i përgjigjesha disa pyetjeve nga ju dhe ndërkohë që jo do vij pas zgjedhjeve, por pas zgjedhjeve, ju jap fjalën që do vijmë të bëjmë një festë të madhe falënderimesh për të gjithë ju dhe do vijmë pas zgjedhjeve për t’ju thënë që ne nuk i deshëm votat tuaja për të marrë 4 vite më shumë ulur në karrige, por me votat tuaja, ne duam të vrapojmë së bashku për të realizuar më në fund ëndrrën shekullore të shqiptarëve që të jenë pjesë e Europës, europianë të barabartë me europianët.

Më vjen shumë mirë që disa nga miqtë, shokët, shoqet që më shoqërojnë më treguan se gjatë ditës së sotme, duke lëvizur nëpër Athinë, duke bërë takime, duke marrë taksi, e kështu me radhë, kanë ndeshur diçka që pak a shumë është e përbashkët tek shqiptarët e Athinës, që të gjithë kanë filluar ta pyesin veten nëse duhet të kthehen apo jo, qoftë edhe pyetja e vetes nëse duhet të ktheheni apo jo është një tregues që është shumë inkurajues.
Ashtu sikundër më pëlqeu shprehja e një taksisti shqiptar këtu që tha “Kur erdhëm ishim 100 shkallë më poshtë se këta këtu, sot jemi vetëm 1 shkallë afër tyre” dhe jemi këtu së bashku pikërisht për ta ngjitur dhe shkallën e fundit dhe për t’u bërë njësh këtu me këta dhe me të gjithë europianët e tjerë që jetojnë në vendet e tjera të Bashkimit Europian, duke u bërë dhe ne pjesë e të njëjtës familje dhe duke u ulur në sofrën e përbashkët të familjes së bashkuar europiane si të barabartë mes të barabartësh.

Mua më vjen shumë mirë që, në ndërkohë që sot ne kemi ardhur këtu, jemi në gjendje që të ndajmë bashkë me ju, jo vetëm çfarë kemi bërë për ta ngritur Shqipërinë aty ku nuk ka qenë asnjëherë, për ta vendosur Shqipërinë në pikën ku të huajt cilëtdo qofshin, afër apo larg, nuk na shohin dot nga lart-poshtë por janë të detyruar të respektojnë dhe të na vlerësojnë për atë që jemi, por nga ana tjetër edhe për ta ngritur Shqipërinë në një pike, ku e ardhmja nuk duket më aq e largët saç dukej dikur, ku ëndrrat dhe shpresat nuk duken më aq të paarritshme saç dukeshin dikur, ku ndryshe nga vendi që ne gjetëm kur morëm detyrën, sot Shqipëria është një vend që e ka në dorën e vet fatin e vet dhe nuk është në mëshirën e askujt dhe nuk është as në mëshirën e asnjë loje tjetër të fatit.

Sot fati ynë është në dorën tonë.

Kur ne morëm detyrën, Shqipëria ishte e zhytur në borxhe, kishte një borxh rreth 80% dhe në ndërkohë të gjitha punët kishin ndalur, të gjitha shërbimet kishin ndalur, spitalet nuk kishin më as furnizim me ilaçe sepse furnitorët ishin ndalur për shkak të borxheve të panumërta, që qeveria nuk i paguante më.

Shkollat nuk kishin më as shkumësa sepse furnitorët ishin ndalur për shkak të borxheve të panumërta që qeveria nuk u paguante më.

Të gjitha ato planet e Shqipërisë së rrugëve kishin mbetur të gjitha rrugëve sepse ishin prerë shiritat, por nuk ishin vendosur në dispozicion paratë dhe rrugët e mbetura rrugëve lëngonin, ndërkohë që kompanitë ishin ndalur sepse qeveria nuk u kishte paguar detyrimet dhe ata rrezikonin falimentimin.

Sot, Shqipëria e ka vënë plotësisht nën kontroll borxhin dhe me një borxh rreth 55% renditet në normalitetin e një vendi europian.

Kur ne morëm detyrën, bankat ishin të zhytur në kredi të këqija, 25% kredi të këqija është një shifër alarmante, është një dritë e kuqe që paralajmëron një rrezik të madh, rrezikun që ne shqiptarët dhe që shumëkush ndër shqiptarët e Greqisë e ka jetuar në lëkurën e vet, kur piramidat u kthyen në gropa dhe kur në ato gropa u varros njëherë e mirë një pjesë e madhe e pasurisë së tyre të vënë me djersë, të vënë me gjak, të vënë me shumë sakrifica.
Sot kreditë e këqija janë nën 5% njësoj si të gjitha vendet e tjera dhe Shqipëria nuk ka as edhe një rrezik, përkundrazi.

Kur ne morëm detyrën të ardhurat për frymë ishin vetëm 3200 euro, sot janë mbi 10 mijë euro dhe në Shqipërinë 2030 do të jenë 15 mijë euro.

Kur ne morëm detyrën paga mesatare ishte diku tek 370 euro, ndërkohë në sektorin publik, imagjinoni, në sektorin ku njerëzit punësohen për t’u shërbyer të tjerëve, 370 euro pagë, ndërkohë që sot, me vitin 2024 të mbyllur me pagën mesatare në sektorin publik 1000 euro, ne e shohim me shumë optimizëm mandatin e katërt, ndërkohë që ky është lajmi për të gjithë ju dhe për të gjithë ata që kanë filluar ta shohin Shqipërinë si vendin ku mund të kthehen, si vendin ku duan të kthehen, por ende ngurrojnë për shkak se janë të pasigurt, janë të pasigurt nëse do të gjejnë aty të paktën atë, që kanë këtu, ndërkohë që unë ju them që kush do të ketë kurajon të kthehet sot, do të gjejë aty mundësinë që nesër të ketë më shumë seç do të ketë këtu, duke qëndruar këtu.

Paga mesatare asokohe ishte 320 euro, sot paga mesatare e përgjithshme pra midis sektorit publik dhe privat është 830 euro dhe në mandatin e katërt do ta çojmë 1000 euro.
Tani, ju me siguroni dëgjoni ata që na përqeshin, ju me siguri dëgjoni ata që bazohen tek pasqyrat e moçaleve, e moçaleve që fatkeqësisht edhe ju jeni të detyruar t’i shihni kur hyni në ato ekranet e telefonave tuaj për të marrë lajme nga Shqipëria, kur hyni aty të mësoni se çfarë po bëhet në Shqipëri dhe ndër shumë përqeshjet është përqeshja se kur ne morëm detyrën premtuan 300 mijë vende pune dhe sipas tyre kjo nuk ndodhi.

Mirëpo, mjafton që të shikosh regjistrat e shtetit, aty ku në fakt të punësuarit janë të regjistruar me emër dhe me mbiemër, aty ku burojnë edhe të ardhurat nga tatimet mbi pagën dhe kur ne morëm detyrën, aty ishin 1 milionë e 23 mijë shqiptarë dhe shqiptare që figuronin të punësuar, ndërkohë që në regjistrin e pagave dhe të kontributeve të Republikës së Shqipërisë, sot janë 1 milionë 327 mijë.

Ne e dinë të gjithë që këneta ka probleme të rënda me aritmetikën, por unë besoj se aritmetika, ashtu siç e kemi mësuar në shkollë, thotë se mes 1 milionë e 23 mijë dhe 1 milionë 327 mijë janë pak më shumë se 300 mijë diferencë, që janë sot të punësuarit në Republikën e Shqipërisë.

Pra, në atë Shqipëri nga ku sipas kënetës nuk ikte askush, punonin 1 milionë e 23 mijë njerëz, në këtë Shqipëri që sipas kënetës kanë ikur të gjithë punojnë 1 milionë e 327 mijë njerëz.

Sigurisht që Shqipëria është një vend, nga ku njerëzit bëjnë zgjedhjet e tyre të lira dhe patjetër largohen në destinacione të tjera një pjesë e tyre për një jetë më të mire, por si mund t’ju them unë juve që ju gabuat kur morët përsipër të vini në Greqi për një jetë më të mirë dhe nuk qëndruat në Shqipëri që të luftonit për atdheun?

Në fakt, duke ardhur këtu në Greqi ju bëtë një zgjedhje shumë të guximshme, ju bëtë një zgjedhje shumë të vështirë, ju bëtë zgjedhjen që t’i hynit detit në këmbë, por jo vetëm që duke bërë këtë zgjedhje ju shpëtuat veten dhe familjen tuaj, por duke bërë këtë zgjedhje, ju shtuat fuqitë e Shqipërisë atje që të ngrihet më shpejt dhe që të ecë më shpejt.

Unë dua t’ju them një gjë. Nëse doni të dini se për çfarë ka nevojë Shqipëria në 11 maj, duhet thjeshtë dhe vetëm të qëndroni një moment dhe të bëni vetëm historikun e thjeshtë tuajin dhe të familjes suaj, të ktheheni një moment mbrapa dhe të kujtoni kur u nisët nga Shqipëria dhe të merrni pak minuta për të gjithë kapitujt e jetës këtu, qoftë ata që sot janë këtu dhe ishin ata që morën iniciativën kur u nisën, qoftë ata që ishin të vegjël kur erdhën këtu me prindërit e tyre dhe sot janë të rritur dhe kanë fëmijët e tyre, të gjithë kanë parë momente të rrugës ku vështirësitë, ku poshtërimet kanë qenë të patregueshme dhe ku për të ardhur në ditën që fqinjëve tuaj rreth e rrotull juve tu thoni “Mirëmëngjesi” kur ju thonë “Mirëmëngjesi” dhe të mos u thoni asgjë, kur nuk ju thonë “Mirëmëngjesi”, ju është dashur të luftoni shumë dhe për një kohë të gjatë ju është dashur të thoni “Mirëmëngjesi” kur ju thonin “Plaç”.

Sot ju të gjithë i jeni imponuar këtij vendi, ju të gjithë i jeni imponuar lagjes, ju të gjithë i jeni imponuar atij këndit ku hyni e dilni çdo ditë me fëmijët tuaj dhe përshëndesin në mëngjes fqinjët grek apo kur i thoni natën e mirë atyre, sepse sot ju keni arritur që të jepni respekt, siç keni dhënë gjithmonë, por të merrni respekt, siç nuk merrnit këtu në krye të herës.
Tani, në të njëjtën situatë është edhe Shqipëria sot fiks, i ka kaluar Shqipëria të gjitha këto, i ka parë dhe i ka vuajtur të gjitha këto, falë edhe faktit që ka pasur në krye njerëz, të cilët nuk kanë pasur kurajën të qëndrojnë drejtë përballë fqinjëve dhe përballë të mëdhenjve të Europës dhe të botës.

Nuk kanë pasur kurajon të jepnin respekt dhe të kërkonin respekt, po kanë dhënë servilizëm dhe kanë pranuar edhe poshtërim, duke bërë që të huajt të na shikojnë si përfaqësues të një shteti që nuk meriton respekt dhe që nuk meriton vlerësim.

Sot, kjo ka ndryshuar dhe sot ju i duheni vendit në 11 maj për të vënë vulën mbi gjithë këtë process, që ne së bashku kemi ndërmarrë me shumë vështirësi dhe për të realizuar atë që është detyrimi i fundit që çdo prind këtu, çdo prind në të gjithë botën jashtë kufijve të Shqipërisë i ka fëmijëve të vet që t'i japë pasaportën europiane dhe t'i thotë “Mësoje gjuhën greke, mësoje kulturën greke, mësoje gjuhën italiane, mësoje kulturën italiane, mësoje gjuhën franceze, mësoje kulturën franceze, mësoje të gjitha gjuhët e Europës, mësoje kulturën e Europës, por nuk ke nevojë të ndryshosh atë që je, veç që e ke shkruar në pasaportën tënde shqiptar”. “Sepse me këtë pasaportë që unë, yt atë, unë jot ëmë të bëra të mundur duke u bashkuar me Edi Ramën dhe me Partinë Socialiste në 11 majin e 2025, ti ke mundësi të qëndrosh këtu, të shkosh në çdo vend që do, të Europës dhe të respektohesh si
Europian i barabartë mes Europianëve”.

Sepse kur unë prindi yt, kur ne prindërit e tu erdhëm këtu, u detyruam të bëjmë shumë gjëra për të mbijetuar. U detyruam ta ulin kurrizin deri në tokë, për të mos e humbur betejën. U detyruam të bëjmë punë që ti, biri apo bija jonë, as nuk mund të imagjinosh sot që i ke të gjitha të mirat dhe shkon në shkollë, shkon në universitet dhe të duket se jeta ka qenë gjithmonë kështu, por të gjitha këto i bëmë për ty, i bëmë për ju dhe tani jemi shumë të lehtësuar, sepse juve duhet ta respektoni atë kryqin e bardhë në flamurin e Greqisë, sepse është vendi që ju ka adoptuar, por ama nuk keni nevojë që shqiponjën në flamurin e kuq ta harroni, apo aq më keq, ta ndërroni.

Ju jeni shqiponja dhe ju do të jeni gjithmonë shqiponja dhe me pasaportën europiane të shqiptareve dhe shqiptareve ju do të uleni në çdo tryezë të Europës, përgjithmonë si shqiponja.

Dhe ashtu sikundër në të gjitha tryezat, ku mblidhet Europa përfaqësuesit e shteteve janë poshtë dhe lart nëpër ballkon janë përkthyesit e të gjitha gjuhëve, ashtu do të jetë aty edhe përkthyesi i shqipes, kur përfaqësuesi i shqipes të flasë shqip dhe të gjithë të tjerët të vënë kufjet për të dëgjuar se çfarë po thotë shqiptari.

Tani, ky është momenti dhe unë dua t'ju them pse ky është momenti, sepse sot, për herë të parë, qysh se ne e kemi filluar këtë rrugëtim, ju keni filluar rrugëtimin tuaj personal, Shqipëria ka filluar rrugëtimin e vet kolektiv. Ju keni bërë këtu përpjekjet për t’u integruar, Shqipëria i ka bërë përpjekjet për t’u integruar në botën e madhe. Për herë të parë, Bashkimi Europian nuk është vetëm në pozitën që thotë “një ditë do jemi bashkë”, por sot thotë jemi gati që brenda 2027 ta mbyllim marrëveshjen me ju dhe brenda kësaj dekade ne të jemi bashkë.

Tani, natyrisht që kjo ka ardhur në radhë të parë si pasojë e atyre që kemi bërë ne. Në radhë të parë si pasojë e këmbënguljes sonë që të kalonim nga një situatë ku në krye të herës na shikonin në rastin më të mirë me keqardhje, në rastin më të mirë me keqardhje, në rastin e zakonshëm me bezdi, në rastin më të keq me përçmim, në një situatë kur na shikojnë me respekt dhe na shikojnë me besim.

Por kjo ka ardhur edhe si rezultat i situatës ku është sot Europa. Ju e dini shumë mirë, ju e shifni, ju e ndiqni se si gjërat po lëvizin, se si Europa, bota po lëkundet dhe për këtë arsye, nuk jemi vetëm ne që si gjithmonë duan të hyjmë në Bashkimin Europian 1 orë e më parë, por është edhe Bashkimi Europian që ka hapur 1 derë dhe thotë, ejani, hyni 1 orë e më parë.
Ama janë dy gabime. Janë dy gabime, që asnjë shqiptar sot, pavarësisht se a është, i majtë, a është i djathtë, a beson tek Partia Socialiste, a ka mbetur peng i kënetës. Pavarësisht gjitha këtyre, nuk duhet t'i bëjë.

E para, nuk duhet të bëjë gabimin që të mendojë se kjo derë e hapur do të jetë aty e hapur përgjithmonë, siç është hapur dera mundet të mbyllet. Në të shkuarën, Bashkimi Europian e ka hapur derën, ka marrë disa brenda, e ka mbyllur. E ka hapur prapë, ka marrë ndonjë brenda, e ka mbyllur. Sepse ata janë të mëdhenjtë e këtij kontinenti dhe natyrisht janë interesat e tyre që vendosin, kështu që kjo derë e hapur mundësie për të mbyllur negociatat deri në 2027, ne duhet të na gjejë në këmbë ditë natë, që ne të bëjmë detyrën tonë.

Gabimi i dytë që nuk duhet të bëjnë shqiptarët përballë këtij trenit të historisë që ka ndaluar dhe në kushtet kur fati ynë europian është përputhur me fatin e Europës, është që të mendojnë se këtë gjë mund ta bëjë çdokush, jo këtë gjë nuk mund ta bëjë çdokush. Këtë gjë nuk mund ta bëjë çdokush, siç nuk mund ta bënte çdokush atë që bëri Partia Demokratike, siç nuk mund ta bënte çdokush atë që bëri Partia Demokratike në ‘91, ‘92. Shumë nga ata që shkuan edhe votuan për Partinë Demokratike nuk ishin as simpatizantë të Partisë Demokrartike, por vajtën e mbështetën fuqimisht Partinë Demokratike për një arsye që ishte shumë më e madhe sesa të gjitha arsyet e një palë zgjedhje. Që ishte shumë më e rëndësishme sesa kush do fitonte mes partish, vajtën dhe mbështetën Partinë Demokratike masivisht, sepse ishte një takim me historinë për të mbyllur një herë e mirë kapitullin e një historie të dhimbshme dhe për t'u ndarë një herë e mirë nga një sistem i vjetër, duke përqafuar një sistem të ri.

Partia Demokratike në atë kohë ishte në kohën e duhur dhe në vendin e duhur dhe me të gjitha rezervat që njerëzit mund të kishin, shkuan masivisht atje dhe e votuan Partinë Demokratike dhe kaq e vërtetë është kjo, sa 6 muaj më pas, kur erdhën zgjedhë vendore, shumica e kundërvotoi Partinë Demokratike, por ama kishte garantuar që sistemi ishte përmbysur një herë e mirë.

Sot jemi në një situatë ku koha e duhur dhe vendi i duhur është ky.

Në histori, nëse ajo derë mbyllet, gjërat mund të marrin vite e vite të tëra. Mos harroni se ju thonë dhe i dëgjoni ç'është kjo punë, Ka dalë prapë Edi Rama kanë dalë prapë socialistët, kërkojnë madatin e katërt dhe thonë do ju fusin në Bashkimin Europian, sikur nuk iu mjaftuan tre mandate. Mos harroni Mali i Zi i ka nisur negociatat në 2012-ën dhe akoma nuk është futur në Bashkimin Europian, i ka nisur negociatat përpara se sa ne të vinim në qeveri. Serbia i ka nisur negociatat në 2014-n dhe jo vetëm nuk është futur akoma, po tani është mbrapa nesh. Maqedonia e Veriut është bërë kandidate për të hyrë në Bashkimin Europian në 2005, këtu me siguri ka vajza dhe djem kanë qenë 2 vjeç, 3 vjeç, 4 vjeç, 2005, ose rrezik kanë lindur në 2005 dhe Maqedonia e Veriut është akoma shumë mbrapa, pse? Sepse ajo derë hapet dhe ajo derë mbyllet.

Dhe sot Shqipëria, që i ka nisur negociatat, vetëm vjet ka marrë një marrëveshje për t'i mbyllur brenda tre vitesh, 2024-2027 dhe prandaj, askush, asnjë shqiptar i ndërgjegjshëm, asnjë prind, nuk duhet të luajë me votën e 11 majit, që përveçse një votë për të gjitha llojet e problemeve, për të gjitha llojet e dëshirave, për të gjitha llojet e programeve të projekteve është në radhë të parë një votë për të hyrë në atë derë që historia ka hapur me kohë të kufizuar.

Që të mos them pastaj që nuk duhet asnjë shkencë, nuk duhet asnjë, asnjë përgatitje në histori e nuk duhet asnjë urtësi e madhe për të menduar vetëm një moment. Imagjinojeni që Bashkimi Europian me ne është angazhuar në negociata. Janë 1000 vajza dhe djem që punojnë çdo ditë për negociatat. Në datën 15 maj, Bashkimi Europian i gjithi, të gjithë liderët e Bashkimit Europian vijnë në Tiranë në datën, 16 maj vijnë të gjithë liderët e Europës jashtë Bashkimit Europian, që nga Britania e Madhe tek Turqia, tek Ukraina, tek Azerbajxhani, e kështu me radhë, dhe vjen dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Vijnë të gjithë në Shqipëri, vijnë në Tiranë, datë 16. Imagjinoni tani ç'a ndryshimi  ka midis një mesazhi të 11 majit, ku shqiptarët, pa dallim partie, ku shqiptarët përtej të gjitha ndasive politike, i çojnë Europës mesazhin që “ne të gjithë duam të hyjmë në BE dhe të hyjmë tani”, dhe një mesazhi të paqartë.

Pastaj imagjinoni sikur, - se kjo nuk ndodh, po sikur papritur e pakujtuar, - atyre t'iu rishfaqet bufi i kënetës si një bashkëbisedues. Imagjinoni Europa dhe NATO që bashkëbisedon me bufin e kënetës. Se jemi, dhe këtu në Athinë dhe bufi kishte dalë një ditë edhe thoshte, “unë jam krenar, e kam për nder të jem buf sepse bufi ka qenë simboli i Athina-së dhe i Minervës dhe bufi ka qenë simboli i urtësisë, edhe i bukurisë”, se i duket vetja dhe i bukur atij. Edhe me thënë të drejtën, ju e dini vetë që se sa super seksi është, por problemi është që nuk bëhet fjalë për të njëjtin buf.

Bufi i grekëve dhe i romakëve është bufi që quhet bufi i vogël, ndërkohë që ky bufi ynë, është ai për të cilin populli thotë “ç’më rri aty akoma o buf kënete”.
Ai bufi i urtësisë, ai rri në male, rri në ullishta, ndërsa ai bufi rri dhe mbretëron në një llum që e ka penguar Shqipërinë dhe i ka penguar shqiptarët për kaq e kaq shumë vite dhe atë bufin në Tiranë, ne nuk e kemi trashëgimi nga qytetërimi ynë i vetëm, por ne e kemi peshqesh nga diktatura komuniste.

Tani, unë dua që t’ju them pse unë besoj se çdo prind këtu, në Itali, Francë, Gjermani kudoqoftë, në Shqipëri po e po, që i ka fëmijët të vegjël ose që i ka adoleshentë, ose që i ka në prag të studimeve, duhet ta harrojë fare se në 11 maj janë disa parti në garë dhe duhet të votojë vetëm tek kutia numër 5 për arsye se nëse i jep fëmijëve të vet pasaportën, i ka dhënë mundësinë që të studiojnë këtu apo kudo qoftë, jo si student të huaj, por si studentë europianë dhe ndryshimi është që sot, kur shqiptarët shkojnë e studiojnë jashtë ose kur fëmijët tuaj që janë fëmijë shqiptarësh që nuk kanë pasaportën greke studiojnë këtu, janë të huaj, futen me kuota dhe paguajnë tarifa më të larta sesa tarifat e studentëve të këtushëm ose atje. Me atë pasaportë nuk ka më asnjë dallim, të gjithë janë të barabartë, janë studentë europianë.

Tjetra, vjen njeriu, zbret në aeroport këtu në Athinë dhe i thonë, “dil këtej, hapu andej, futu atje” dhe kudo ku shkojmë na thonë “dilni këtej, futu atje” e futemi në rradhë, akoma sot megjithëse kemi pasaportën shqiptare që lëvizim lirisht ne nuk bëjmë dot pa një polic nga mbrapa. Na del polici, “ku po shkon, kush të ka ftuar, ke rezervuar hotel”? Sa lek ke me vete? Sa do rrish? Kur do ikësh? Vetëm ne shqiptarëve na ndodh kur hyjmë në BE.

Me atë pasaportë, ne thjesht do tregojmë shqiponjën e do kalojmë bashkë me europianët e tjerë dhe jo vetëm do kalojmë bashkë me europianët e tjerë, por do mund të qëndrojmë ku të duam.

Taulanti ju tha se ne do të mbyllim marrëveshjen për pensionet. Kjo është ajo që ne duam, pa diskutim, por ka dy rrugë sot ,nuk ka vetëm një. Deri dje kishte vetëm një rrugë, që të negociojmë e negociojmë me qeverinë greke me të cilat kemi marrëdhënie shumë të mira sot dhe të bëjmë atë që bëmë me italianët, që na morën frymën me vite të tëra sepse janë marrëveshjet më të vështira, sepse bëhet fjalë për shumë njerëz, por ka dhe një rrugë tjetër, që të gjithë ju, të gjithë shqiptarët e Shqipërisë të votojnë aty tek numri 5 dhe në njohjen tuaj të pensioneve të mos e marrim përmes marrëveshjes me qeverinë greke, por ta marrim përmes anëtarësisë në Bashkimin Europian sepse në momentin që ne bëhemi anëtarë të BE, pasaporta kuqezi që ju do të keni të gjithë në dorë, do të jetë e mjaftueshme e do të jetë njësoj e barabartë me pasaportën greke, që nuk do ju duhet më fare.

Kini parasysh, pasaporta greke mund t’ju duhet vetëm nëse ndonjëri ose ndonjëra do të ketë ambicie të bëhen deputet në parlamentin grek. Pse jo? Ndërkohë që, kijeni parasysh, me pasaportën shqiptare të BE-së, shqiptarët me atë pasaportë mund të kandidojnë për kryetar bashkish, mund të kandidojnë për këshilltarë bashkiakë në Greqi e në të gjitha vendet e BE-së sepse europianët me atë pasaportën e BE-së, kudo ku rrinë, janë në shtëpinë e tyre. Nuk kanë vetëm të drejtë të zgjedhin parlamentin që u takon ta zgjedhin ata që janë me pasaportën e atij vendi, por për çdo gjë tjetër janë në shtëpinë e tyre. Prandaj me atë pasaportë e prandaj në 11 maj Shqipëria hyn në një proces që në pak vite bëhet e madhe sa BE-ja dhe Be-ja bëhet e vogël sa Shqipëria e të shkosh nga BE-ja në Shqipëri, në Portugali apo në Suedi,  shkon me të njëjtën lehtësi përveç distancës, siç shkon nga Korça, në Shkodër apo në Durrës dhe nuk ka as dogana, as kontrolle,  as të thotë njeri ku po shkon, as të thotë njeri sa do rrish, as të thotë njeri kur do kthehesh sepse e vendos ti.

Tani a mundet dot të diskutohet pesha e kësaj mundësie? Pesha e kësaj  zgjedhje? A mund të diskutohet kjo kryefjalë që është një kryefjalë kuqezi e zgjedhjeve të 11 majti, për faktin se disa janë majtas, disa janë djathtas. Disa janë me PS-në, por disa të tjerë nuk e duan PS-në. A mund të diskutohen këto? Këto unë mendoj që nuk mund të diskutohen përpara kësaj. Është e pamundur, do të ishte një gabim i madh historik, ndërkohë që historia ka qëndruar para nesh me trenin e saj dhe 11 maji është një ftesë për t’u bashkuar të gjithë në trenin e historisë.

Nga ana tjetër, ju e dini shumë mirë që Shqipëria sot po ndryshon dhe në një aspekt dhe këtë dua t’jua them sepse është shumë e rëndësishme për mua dhe për ne, po ndryshon në aspektin e barazisë para ligjit. Për herë të parë, që nga koha që Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë, njerëz të lidhur me pushtetin politik, figura me fuqi më të madhe se sa njerëz të zakonshëm, po shkojnë përpara drejtësisë prokurorë dhe gjykatës të pavarur nga pushteti politik po i marrin në pyetje, po i hetojnë, po i akuzojnë e po i dënojnë, për herë të parë.
Tani, ju dëgjoni që këta, të gjithë këta, është shumë interesant, të gjithë këta me bufin e kënetës në krye edhe me dashurinë time Lulin, të gjithë këta ishin armiq, jo kundërshtarë, të gjithë këta ishin armiq të betuar të reformës në drejtësi. Të gjithë këta nuk donin të votonin reformën në drejtësi, nuk donin të votonin vetting-un, nuk donin të votonin SPAK-un nuk donin të votonin asgjë dhe u mbyllën të tërë në çadër dhe kërcënuan që nuk do hyjnë as në zgjedhje. Sot, shpresa e tyre e vetme e dëshpëruar, e mjerë është që SPAK-u dhe gjykata speciale do të shkatërrojnë Partinë Socialiste dhe më në fund do t’u vijë dita atyre.
Ndërkohë që ajo që ata nuk kuptojnë dhe ajo që nuk kuptojnë të gjithë të tjerët bashkë me këta shitësit e vegjël të qilimave, - se kam parë që vijnë këtu e thonë merre qilimin tim të fluturosh, -që janë të gjithë vegla dhe që të re kanë vetëm fytyrën dhe moshën se nuk kanë asgjë të re tjetër, se i patë që dhe kur bënë listën e deputetëve, futën baballarë dhe xhaxhallarë dhe krushq e teze. Të gjithë këta nuk kuptojnë një gjë, që ne nuk jemi në një punë, ne jemi në një mision.

Misioni ynë është që të bëjmë Shqipërinë pjesë, një herë e mirë të familjes europiane dhe ne e dimë shumë mirë që, për të bërë këtë, barazia e ligjit është një kusht, ashtu sikundër, ne mund të mos jemi shumë të mençur, por nuk besoj se na merr njeri për aq budallenj, sa që t’i hynim detit në këmbë dhe të mos e dinim që duke i dorëzuar drejtësisë shpatën që në çdo vend normal demokratik e ka drejtësia ndërkohë që në Shqipëri që nga 1912 e kishte i pari i qeverisë, nuk parashikonim që ajo shpatë do të binte edhe mbi kokat tona, mbi kokat e disave nga ne. Ne e dinim këtë, nuk jemi penduar për këtë, jemi krenarë për këtë.

Pavarësisht se mund të kemi rezerva, pavarësisht se mund të habitemi në ndonjë moment për ndonjë lajthitje të pushtetit tjetër, ne jo vetëm që nuk kemi ndërmend të kthehemi mbrapa, por ne jemi të vetmit garant që ajo shpatë do të mbetet në duart e drejtësisë.

Ama, nëse doni, nëse shqiptarët duan që barazia para ligjit të mos diskutohet më, të mos jetë më një çështje e partive, të mos jetë më një çështje e liderave dhe që liria individuale të mos diskutohet më, duhet që Shqipëria të hyjë në Bashkimin Europian sepse kush hyn në BE, nuk mund  më, të vërë në diskutim barazinë para ligjit dhe lirinë individuale dhe sa e rëndësishme është kjo, mjafton të dëgjoni bufin që thotë në 11 maj do marr votat, në 12 maj do shkrij SPAK-un dhe sa të rëndësishëm jemi ne në këtë moment.

Për Shqipërinë dhe për këtë histori europiane të Shqipërisë, e tregon një fakt.

Sot, të gjithë shqiptarët e dinë kush është Altin Dumani. Altin Dumani nuk lindi dje. Altin Dumani nuk u bë prokuror dje. Ka qenë prokuror me vite të tëra. Asnjë nuk e njihte, askush nuk dinte që Altin Dumani ekzistonte dhe Alitin Dumani kurrë më parë nuk kishte thirrur ndonjë politikan t’i thoshte: Hajde këtu një çikë na trego si ke bërë këtë, si ke bërë atë. E lëre pastaj të ngrinte akuza etj, etj. Pse? Ai është po ai që ishte, një njeri i ndershëm dhe i drejtë, por nuk kishte shpatën, sepse drejtësia nuk e kishte shpatën, se shpatën e mbanin ata që ishin në zyrën e kryeministrit, shpatën e mbante bufi i kënetës që e përdori për të futur në burg Fatos Nanon dhe sot ne të gjithë e  çmojmë punën e SPAK-ut, por mos harroni që ajo punë është bërë e mundur vetëm duke i dorëzuar drejtësisë pushtetin e vet të pavarur dhe ajo punë nuk do të përmbyset, por do të thellohet dhe Shqipëria do të bëhet një vend i denjë që do të garantojë barazi para ligjit për të gjithë, vetëm nëse ne e bashkojmë flamurin kuq e zi dhe flamurin e Evropës dhe e fusim shqiponjën brenda atyre yjeve, që nuk e prek dot më asnjë buf kënete, nga të cilët Shqipëria ka nxjerrë plot edhe në të shkuarën.

Dhe në mbyllje të kësaj fjale përpara se t’iu kërkoj nëse dëshironi të bëni dhe pyetje dua t’iu them që është në të drejtën dhe në detyrën tuaj t’i verifikoni, por dua t’ju them që kush punon këtu në Greqi në ndërtim apo në turizëm, duhet të jetë absolutisht i bindur që, nëse do të shohë nga Shqipëria, do të gjejë paga më të mira, edhe në ndërtim edhe në turizëm.
Sot që flasim këtë gjë mos e dëgjoni nga unë, mos më besoni mua, pyesni, interesohuni dhe shikoni mundësitë për punë që ka Shqipëria në ndërtim dhe në turizëm për të thënë dy sektorë, ku e di shumë mirë që ka shumë shqiptarë këtu që punojnë dhe që ka shumë shqiptarë që e kanë të varuar ekonominë e tyre nga këta dy sektorë.

Nga ana tjetër, edhe nëse nuk mendoni që të ktheheni, nëse keni një tokë, nëse keni një rrënojë  të trashëguar nga gjyshi në cilindo fshat, nëse keni miq, të afërt, kushërinj që kanë një tokë, që kanë një rrënojë investojini kursimet tuaja për të ndërtuar atje një agroturizëm, për të ndërtuar atje një pikë përpunimi të produkteve, për të ndërtuar atje diçka nga eksperienca e fituar këtu në  Greqi. Se keni punuar aq shumë dhe i keni dhënë aq shumë këtij vendi, i keni dhënë aq shumë bujqësisë në këtë vend, saqë keni dijen e një agronomi që ka mbaruar, jo një, po dy universitete. Prandaj, shikoni këtë mundësi.

Ne kemi bërë një ligj të ri, që të do të hyjë në fuqi mbas zgjedhjeve për shkak se është miratuar nga parlamenti, por nuk do të hapen thirrjet para zgjedhjeve, sepse në Shqipëri, këto quhen krime elektorale. Se gjithçka po bëjmë, po kot e kemi, se ne mund edhe të të heqim çdo gjë, çdo gjë, çdo gjë dhe prapë, po ia u them unë sot këtu, përgatituni nga data 12 mbasdite domethënë, do të shikoni datën 11 në darkë bufi i kënetës do thotë “fitore”.

Në datën 12 mbasdite, do shikoni që nga këneta do fryjë ajo era dhe pastaj në 13 në mëngjes do denoncohet vjedhja më e madhe në histori e votave.

Ne e dimë këtë, por pas zgjedhjeve, ajo që ne na intereson është çfarë do bëjmë për t'iu vënë juve në dispozicion Paketën e Maleve, ku 500 aplikantët e parë do mund të investojnë pa taksa, pa të TVSH, pa asnjë detyrim tjetër, 10 vjet rresht. Dhe në ndërkohë që Banka e Shqipërisë e ka vënë në dispozicion një shumë 250 milionë euro për kredi që janë nën 3% me 70% të kolateralit të garantuar nga shteti për të gjithë ata që do të duan të ndezin, të rindezin oxhakun në shpinë e gjyshit apo stërgjyshit.

Kështu që shikojeni këtë dhe ju takoni ju të vendosni!

Në ndërkohë, që 65 mijë prej jush janë regjistruar për 11 maj. Unë kam shumë besim që nga Greqia do të na vijë një mbështetje shumë e madhe, por do t'ju lutesha shumë që ta ndiqni procesin me shumë vëmendje. Sepse jo në Greqi, se këta këtu janë si ne, po në hënë të na çosh ne shqiptarëve, ne të gjitha punët do i lëmë për orën e fundit. Mos e lini për orën e fundit që të shënoni, të shënoni aty tek kutia 5, Bashkimin Europian. Domethënë, vini një shenjë aty që jeni për Bashkimin Europian, edhe ta çoni e ta hidhni në postë, që kur t'i dorëzoni pasaportën europiane fëmijëve tuaj, t'i thoni, “merre tani, ta bëri dhe këtë mëma apo babai, tani ik, se nuk kemi ç'bëjmë më për ty. Shiko ç'do bësh ti për ne tani”, - megjithëse ata nuk e dinë ç'do bëjnë për ne, por rëndësi ka që ne t'i bëjmë të gjitha ç'kemi për ata.

*Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama në takimin me shqiptarët në Athinë, 30 mars 2025.

 

Poll
SHQIPENGLISH