Opinion

OPINION nga Kristaq Xharo: Në një botë që po rend drejt së shkuarës...

Shkruar nga Liberale

OPINION nga Kristaq Xharo: Në një botë që po rend drejt

Kristaq Xharo

‘Bota ndodhet në udhëkryqin më të madh të historisë’ ... u shpreh kryeministri britanik Sir Keir Starmer, ‘Europa duhet të riarmatoset me urgjencë’ ... plotësonte komisionerja Va nder Lein.
Historia po rend drejt përsëritjes në skenarin më të keq të saj...luftës. Dhe nëse ishim në buzë të greminës po rrezikojmë të bëjmë një hap përpara...

I. Duke Renduar Drejt së Shkuarës: Analogji të Frikshme. Më shumë se çdo herë tjetër, e tashmja po përngjan me kohën midis dy luftërave të mëdha botërore (’20-’39), jo thjesht për retorikën aq të gjendur në liderët perëndimor, por në dukuri, që frikshëm po shprehet: krizë ekonomike; izolim e proteksionizëm ..ngritje muresh; polarizim politik e gjeopolitik, dobësim aleancash; braktisja e institucionet ndërkombëtare që vet i krijuan, multipolariteti e deri tek përballja e mundshme midis fuqive të mëdha. Ideologjia po tejkalohet nga populizmi. Kjo është pamja aktuale aq e ngjashme me atë të para luftërave. Shkrimtari i madh amerikan, Mark Tuein ku shprehej kohë më parë se ‘historia nuk përsëritet, por rimon..’ ndoshta nuk e mendoi se kjo do të ndodhte në kapërcim të 100 viteve.

Kur një botë e lodhur nga Lufta e Parë, e nisur me sloganin paradoksal se “...do të ishte një luftë që do t’i jepte fund të gjitha luftërave... dhe do të përfundonte në dy javë,” përfundoi pas 4 vitesh në një kasaphanë me mbi 20 milion të vrarë, presidenti i madh amerikan Uilson krijoi Lidhjen e Kombeve, që do të ruante paqen. Por Amerika? Nuk hyri. Tani, 100 vjet më vonë, ajo po tërhiqet sërish – jo vetëm nga ai sistem që vetë krijoi pas Luftës së Dytë, por dhe nga çdo gjë që mendoi frymëzuese. Një "garantues" që tashmë po tërhiqet dhe pa të cilin bota nuk është më e sigurtë dhe nëse ajo ishte në buzë të greminës tani po bën hap përpara... Shihni Kombet e Bashkuara dhe por edhe organizata të tjera ndërkombëtare – sa shumë ngjajnë me Lidhjen e Kombeve, të asaj periudhe para Luftës së Dytë Botërore, kur me vështirësi mund të shpallin ndonjë rezolutë, ndërsa tanket dhe bombarduesit mësyjnë mbi kufijtë e shteteve të tjera. Fushat magnetike që përshkuan Evropën dy herë, tani po kthehen përsëri aty, duke tërhequr gjithçka pas vetes.

Në vitet 1930, fuqitë e mëdha toleruan aneksimin e Austrisë dhe copëtimin e Çekosllovakisë. Dje ishte historia, sot është historia e përsëritur. Agresioni rus në Ukrainë në 2022 është vetëm një tjetër kapitull i një skenari që shumë e menduan si çështje rajonale, por që tani e kuptojnë se nuk është kështu. "Ata që nuk mësojnë nga historia janë të dënuar ta përsërisin," paralajmëroi filozofi George Santayana. Po, por ne jemi vonë; ne po dënohemi të riprodhojmë të kaluarën me një elegancë të frikshme

II. "...ka interesa të përhershme, jo aleanca të pandryshueshme"

Takimi midis Trump, Vance dhe Zelenskyt, pak besojnë se ishte model i diplomacisë, por një seancë akuzash të mbështjella me buzëqeshje të sforcuara, ku në vend të aleancës , Kievi mori një listë dyshimesh dhe paralajmërimesh. Në vend të strategjisë, pati retorikë; në vend të angazhimit, pati skepticizëm; në vend të formatit të lidershipit, pati një spektakël politik të dizenjuar, jo për gjeopolitikë , por për interesa. kur aleatët dhe aleanca kërkojnë siguri, më i fuqishmi ofroi dyshim, kalkulim dhe një zhvendosje të fokusit nga mbështetja tek fajësimi – një skenar ku diplomacia u mbulua nga retorika e interesave dhe politika e jo gjeopolitika u bë prioritet mbi fatin e një kombi në luftë.
Ishte një kthesë që edhe Henry Kissingerin do ta bënte të buzëqeshte, për aty ku është shtrirë... a mos vallë vendit që krijoi këtë rend botëror, tani po i pëlqen realiteti cinik i interesave populiste dhe po largohet nga aleancat e vjetra. "Shtetet nuk kanë aleatë të përjetshëm, por vetëm interesa të përhershme."- kujtohet thënia e Lord Palmerstonit: Tërheqja e fokusit nga Evropa për në Azi po bëhet gjithnjë e më e pranishme në politikën e jashtme amerikane, duke lënë pas një Evropë të turbullt dhe një Ukrainë që vazhdon të kërkojë vendin e saj midis një Perëndimi gjithnjë e më të lëkundur dhe një Lindjeje gjithnjë e më agresive. Sa aktuale ajo që tha Churchill në 1938, "Ne duhet të zgjedhim midis një paqeje të turpshme dhe një lufte të nderuar. Ne zgjodhëm turpin, por do të kemi edhe luftën." Tani, a do të dalë Evropa nga ky qark, apo do të mbetet në të njëjtën dilemë, ashtu si dikur?

III. "Çdo Gjeneratë Ka Luftën e Vet"

Në vitin 1914, një luftë që duhej të ishte e shpejtë, “vetëm dy javë dhe për Vitin e Ri të gjithë në shtëpi,” zgjati katër vjet dhe përfundoi si një kasaphanë globale, duke ndryshuar fytyrën e botës. Pas 15 vitesh, ‘39, një tjetër luftë shpërtheu për shkak të indiferencës e pasivitetit, vendimeve të gabuara dhe naivitetit të politikës pacifiste, në një kasaphanë 3 herë më e madhe me 60 milionë të vrarë, por mbase e vetmja gjë që e mbijetoi ishte iluzioni i pasluftës. Kjo ishte ‘45-a, dhe bota besoi se balanca e fuqisë dhe frika do të shmangnin një luftë të tretë globale. Po, ndoshta, por dilema e sigurisë është më alarmante se kurrë. Por ndoshta është ky momenti ynë si në ‘39, ose thjesht një tjetër krizë që do ta harrojmë shpejt, kur historia ka një zakon të vjetër të na përsërisë, dhe çdo brez bën luftën e tij. Lufta e kësaj gjenerate që nuk është e re, vetëm me armë me fushëbeteja ekonomike, por e zgjeruar edhe me beteja teknologjike dhe informative, me viruse kibernetike dhe dezinformim. A mund të jetë ky "konflikti i pashmangshëm i gjeneratës sonë"?

Po për vendet e vegjël.. ose duke përfunduar: Shqipëria dhe shtetet e Ballkanit, të gjithë ‘të vegjël’ nuk mund të jenë thjesht spektatorë të kësaj drame, por gati të gjithë janë pak të fuqishëm dhe me sytë nga ombrellat e sigurisë rajonale e globale. Ashtu si 1914, Shqipëria një vend i vogël që përpëlitej mes fuqive të mëdha, duke kërkuar të mbijetonte.... 100 vite me vonë, ajo sfidohet nga njëjti teatër ngjarjesh. NATO pastë jetën e gjatë, dhe BE edhe më gjatë, por dilema e madhe mbetet: A do të jetë Amerika këtu për të garantuar stabilitetin, apo do të braktisë edhe një herë arkitekturën e saj globale që krijoi në 1920 dhe në 1945, duke e lënë botën të rrëshqasë në errësirën e prag-luftërave? Në horizont, dallgët e një historie të njohur po afrohen. Bota nuk është më e sigurt, aleancat po thyhen, vendimet e marra një shekull më parë po rikujtohen. Historia mbetet aty, si një hije në pragun e së ardhmes, duke pritur nëse njerëzimi këtë herë do të mësojë prej saj – apo thjesht do të ecë verbërisht drejt të njëjtës rrugë. Nëse do të jetë një krizë, një tjetër luftë apo një tjetër izolacionizëm që do të na përplasë sërish në një kaos global, mbetet për t’u parë. Por historia, me gjithë peshën e saj të rëndë, ka një mesazh të qartë: "Ato që nuk mund t’i mësosh, do t’i përjetosh përsëri."

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH