Opinion

FJALIMI nga Elisa SPIROPALI: Programet prestigjoze të LSE te LUARARI, sukses i jashtëzakonshëm

Shkruar nga Liberale

FJALIMI nga Elisa SPIROPALI: Programet prestigjoze të LSE te LUARARI,

Nga Elisa Spiropali*

Dija, ekonomia e dijes, puna dhe jeta shoqërore e mbështetur në dijen janë forca kryesore e zhvillimit dhe e progresit, sidomos në kohën tonë.

Sot njohuritë dhe informacioni shkencor shtohen me shpejtësi marramendëse, ndaj roli i shkollave, universiteteve dhe qendrave të kërkimit po bëhet, më tepër se asnjëherë tjetër, përcaktues në zhvillimin e shoqërisë tonë.

Prandaj erdha me dëshirë në këtë ceremoni, ku do të përuroni fillimin e programeve të përbashkëta mes Universitetit “Luarasi” dhe Shkollës Ekonomike të Londrës.

Marrëveshja për fillimin e këtyre programeve është një hap i rëndësishëm dhe premtues i Universitetit Luarasi drejt asaj që ne e kemi shpallur si objektiv prioritar në zhvillimin e arsimit të lartë: ndërkombëtarizimin e universiteve shqiptare.

Të hedhësh këtë hap me një universitet të Mbretërisë së Bashkuar është një sukses i madh.

Por të hedhësh këtë hap me Shkollën Ekonomike të Londrës, një ndër institucionet më prestigjioze të Mbretërissë së Bashkuar dhe një ndër markat më të njohura në arsimin e lartë në botë, është një sukses i jashtëzakonshëm.

Për më tepër që programet që do të filloni: “Bachelor’s in Data Science & Business Analytics”, “Bachelor’s in Finance”, dhe “Bachelor’s in Business Administration” janë të orientuar drejt formimit të profesionistëve në sektorë prioritarë të zhvillimit dhe mjaft të kërkuar nga tregu.

Diploma e dyfishtë që do të lëshohet në përfundim të këtyre programeve të përbashkëta të studimit nga të dy universitetet do të jetë një aset që do t’i bëjë studentët e diplomuar në këto degë konkurrentë të padiskutueshëm në tregun shqiptar e përtej tij.

Këto diploma do të ofrojnë mundësi të gjera punësimi, pasi i pajisin studentët me aftësitë për zgjidhjen e problemeve, analizë, vetëmotivim, cilësi që kërkohen nga punëdhënësit në Shqipëri, rajon dhe më tej.

Kurrikula e këtyre programeve të përbashkëta të studimit e ofruar nga Universiteti i Londrës, nën drejtimin akademik të Shkollës Ekonomike të Londrës do të jetë e një cilësie të lartë dhe do të ofrojhë një përvojë mësimore ndërdisiplinore, e cila integron teorinë akademike me aftësitë praktike, sipas një kurrikule moderne, inovatore dhe bashkëkohore.

Duke harmonizuar aplikimin e programeve të përbashkëta me universitete elitare të huaja dhe duke tërhequr studentë nga jashtë vendit, Universiteti Luarasi, por edhe dhe universitetet e tjera shqiptare, po harmonizojnë dy përmasa të rëndësishme të procesit të ndërkombëtarizimit.

Kjo marrëveshje vjen në kohën e duhur, kur marrëveshjet dhe bashkëpunimet ndërkombëtare të universiteteve shqiptare janë një prioritet jo vetëm për universitetet dhe botën akademike, por edhe për qeverinë dhe Kuvendin, në përpjekjet tona të përbashkëta për të rritur cilësinë e arsimit të lartë dhe kredencialet e universiteteve shqiptare.

Programet dhe diplomat e dyfishta janë procesi dhe produkti që aq shumë kërkohet sot nga vajzat dhe djemtë e Shqipërisë që aspirojnë të ndjekin studimet e larta.

Ky dimension i modernizimit të universiteteve tona do të rrisë, siç edhe ka filluar të rrisë, mobilitetin e studentëve dhe personelit akademik, proces që lehtësohet edhe nga fakti që studimet në programet e përbashkëta ofrohen në gjuhën angleze.

Mundësia për ndjekjen e këtyre programeve në gjuhën angleze është një korsi e re për gjimnazistët shqiptarë, nga Shqipëria, viset shqiptare në rajon apo edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Një tjetër avantazh që krijohet nga ofrimi i programeve të përbashkëta të studimit është zgjerimi i mundësive për të merituar e fituar akreditimin nga agjencitë ndërkombëtare, çka do të rrisë besueshmërinë dhe njohjen e diplomave të universiteteve shqiptare në tregun global të punës.

Këto hapa do të lehtësojnë e përshpejtojnë pranimin e universiteteve shqiptare në organizatat dhe rrjetet akademike ndërkombëtare dhe përfshirjen e tyre dinjitoze në projekte kërkimore të përbashkëta.

Ju uroj sinqerisht suksese dhe shpresoj të takohemi sa më shpejt dhe sa më shpesh në veprimtari të tilla, të cilat promovojnë cilësinë, konkurrencën dhe fuqinë e tregut të diplomave të universiteteve shqiptare.

* Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, fjala përshëndetje në Ceremoninë e bashkëpunimit midis Universitetit Luarasi dhe London School of Economics (LSE)

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH