Ekspertizë

REFLEKSIONE nga akademik ALBERT DOJA: Ne të rinjtë i kishim sytë nga Kadare, ai e dinte dhe nuk na zhgenjeu

Shkruar nga Liberale

REFLEKSIONE nga akademik ALBERT DOJA: Ne të rinjtë i kishim sytë

* Nga Albert Doja

Për fat të mirë, si askush tjetër, Ismail Kadare u ka dhënë dinjitet ndërkombëtar letrave shqipe dhe gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Por kjo nuk u intereson shumë kundërshtarëve të tij që merren më shumë me biografinë e tij personale dhe politike. Shumëkush thotë se gjatë regjimit komunist ai ishte një farë shkrimtar oborri dhe shumëkush mund të thotë se nuk mund të ishte ndryshe sepse ashtu ishte koha. Megjithatë, kundërshtarët e tij përpara se ta përgojojnë e ta përbaltin do të bënin më mirë të lexonin veprat e tij në kontekstin politik të kohës kur janë shkruar e janë botuar.

Në fakt, në atë kohë të gjithë fshiheshin në brima si minj dhe ne të rinjve na dukej sikur bënim disidencë me zullumet shkollore vetëm e vetëm për t’u bërë sherr trupit mësimdhënës që kishte detyrën të na disiplinonte me hapin ushtarak të Partise. Ata që më kanë njohur gjatë viteve shkollore me siguri kujtojnë se kur na bëhej zbor me këngë partizane, “disidenca” më e madhe ishte që në vend të tyre të këndonim këngët patriotike të Rilindjes dhe të lëvizjes për pavarësi kombëtare. Kjo duket sa qesharake apo naive aq edhe për të ardhur keq. Por tregon gjendjen e pashpresë në të cilën ndodheshim ne të rinjtë. Në një kohë të tillë, vetëm tek Ismail Kadare mund t’i kthenim sytë dhe veshët për sadopak shpresë. Ai e dinte këtë dhe nuk na ka zhgënjyer.

"Keshtjella" e tij, për shembull, na ka mbushur me ngazëllim, sepse për ne “Keshtjella” nuk ishte qëndresa ndaj imperializmit por qëndresa e kombit ndaj komunizmit aziatik. Ndërsa kur doli "Pallati i ëndrrave", kjo nuk ishte më sekret për askënd. E kemi pritur me brohoritje nga shpirti. Madje një grusht bashkëmoshatarësh jemi mbledhur sëbashku dhe kemi festuar në shoqëri të fshehtë sepse na dukej sikur vetëm ne zotëronim çelësin e një të vërtete të madhe që parashikonte kalbëzimin dhe frymëzonte per shkatërrimin e komunizmit. Në fakt, mund të them se me “Pallatin e ëndrrave” të Ismail Kadaresë, komunizmi mori goditjen e parë në mendjet e shqiptarëve, prej nga mori edhe kthesën drejt fundit të vet. Kjo është magjia e letërsisë së madhe, si dhe fuqia e madhe e një gjeniu si Ismail Kadare. Kjo nuk duhet harruar dhe aq më pak të përbuzet, por duhet promovuar.

Në fund të fundit, jo më kot Ismail Kadare ka fituar famë botërore, jo tani dhe as si disident i vetëshpallur, por në kohët më të vështira të Luftës së Ftohtë, sepse Perëndimi shihte tek ai një disident të mundshëm që me shumë gjasa mund të frymezonte popullin e tij për rrëzimin e komunizmit. Por më shumë se çdo gjë tjetër, Ismail Kadare duhet vlerësuar e përkrahur, jo sepse nuk ka kusure personale, por sepse ai ka shfrytëzuar famën qe ka fituar në botë për t’u bërë sot si askush tjetër korifeu më i madh i veprimtarisë kombëtare, që si një simbol kombëtar lufton për ta bashkuar dhe për t’i dhënë emër e dinjitet kombit shqiptar.

Ç’është e vërteta unë revoltohem kur përbalten figurat e shquara të kombit, sidomos ata që janë bërë simbole kombëtare, ashtu si gjuha dhe flamuri, me fjalë të tjera ata që i kanë dhënë emër e dinjitet kombit shqiptar. Revoltohem kur disa shkojnë gjer aty sa të përbaltin edhe Skënderbeun. Nëse ruajmë proporcionet përkatëse, vetëm Skënderbeu qëndron pa dyshim para tij për emrin dhe dinjitetin që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë. Midis Skënderbeut dhe Ismail Kadaresë mund të ketë edhe ndonjë tjetër, por kjo nuk ka rëndësi në këtë diskutim. Ismail Kadare nuk është thjesht vetëm një gjeni i letërsisë shqipe. Ai është një nga veprimtarët e fundit që i jep nder, lavdi e dinjitet kombit shqiptar në botë si askush tjetër. Nëse hedhim baltë përmbi të, kombit shqiptar nuk i mbetet veçse baltovina. Prandaj kur të flasim për Ismail Kadarenë duhet të mendohemi mirë me kë jemi, me kombin shqiptar apo me baltën ku kemi mbetur dhe që hedhim mbi kokat e njeri-tjetrit.

* Marrë nga Albert Doja, “Mithat Frasheri dhe Ismail Kadare për kombin shqiptar: Nga një veprimtar në tjetrin”, Gazeta Shqiptare 24 (7713) – Milosao (362), 18/11/2018;

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH