Ervis Iljazaj
Zgjedhjet parlamentare janë vetëm dy muaj afër dhe në fakt ndryshe nga herët e tjera retorika politike nuk është futur në fushatën elektorale ende. Nuk kuptohet përse, por ende në Shqipëri nuk ndihet aromë fushate. Ndoshta motorët e fushatës elektorale do të ndizen më vonë, por është e qartë se kësaj here fushata ka filluar vonë, shumë vonë në krahasim me fushatat e tjera.
Partitë politike vetëm dy muaj përpara zgjedhjeve nuk kanë arritur akoma të krijojnë një komunikim politik që adreson problematikat e Shqipërisë. Kur çdo gjë po ndryshon në gjeopolitikën botërore, ku ka ndryshime të shpejta ekonomike dhe sociale, politika shqiptare ende nuk po tregohet në lartësinë e duhur të adresojë këto çështje. Për të vetmen gjë që flasin palët në Shqipëri është drejtësia dhe SPAK. Drejtësia do të vazhdojë të jetë dhe kryefjala e fushatës në 11 maj. Në perspektiva të ndryshme, por gjithsesi do të zërë një vend kryesor në retorikën publike.
Të vetmen ofertë serioze që kanë partitë për shqiptarët është reformimi i SPAK. Partia Demokratike kërkon ta shkrijë ose reformojë, ndërsa Partia Socialiste kërkon ta sjellë në shinat e kushtetueshmërisë. Me dashje apo pa dashje SPAK është kthyer në kryefjalën e politikës , për një qëllim apo tjetër. Por fakt është se ende s’kemi arritur të dëgjojmë debate thelbësisht elektorale.
Arrestimi i Erion Veliajt ka rikthyer edhe njëherë debatin për SPAK dhe drejtësinë. Madje politika shqiptare e gjendur në kaos të vërtetë sa i përket qëndrimeve në raport me këtë institucion, po del gjithmonë e më shumë inkoherente në raport me drejtësinë. Fakti është se SPAK është kryefjala e ditës në të gjitha mediat shqiptare. Madje, asgjë tjetër nuk ndodh në politikën shqiptare përveçse lajmet që vijnë nga drejtësia.
Duket paradoksale dhe jo normale që drejtësia të ndikojnë edhe në ngjarjet politike, por me sa duket asgjë tjetër nuk ndodh përveç lajmeve nga drejtësia. Tashmë parakalimet e politikanëve të niveleve të larta para organit të ri të drejtësisë, qendrore apo lokale janë bërë normale. Çdo ditë ka nga një të akuzuar apo të arrestuar të ri në sferën e politikës dhe pushtetit. Një fenomen që për shqiptarët është totalisht i ri, dhe që është krijuar pikërisht nga SPAK. Por duhet të mësohen, sepse me të gjitha gjasat kjo histori mund të vazhdojë gjatë.
Po të shikosh me kujdes debatet kryesore në media, në politikë dhe të gjitha ambjentet ku diskutohen çështjet publike, kohët e fundit vendin kryesor e zënë pikërisht ato që çështje që vijnë nga drejtësia.
Të gjitha debatet politike për arsimin, shëndetësinë, ekonominë apo për çështje që shqetësojnë shoqërinë shqiptare kanë pushuar se qëni tema kryesore. Fatkeqësisht për Shqipërinë, askush nga palët politike apo mediat nuk po arrijnë t’i vënë këto çështje në qendër të vëmendjes.
Nuk kuptohet nëse kjo ndodh si paaftësi e opozitës, si qëllimshmëri e mediave apo faktorë të tjerë. Por fakt është se debatet mbi arrestimet dhe hetimet e SPAK sot janë në krye të listës.
Secili mund të ketë gjykimin e tij për organin e ri të drejtësisë, por ama një gjë ia ka arritur. Lajmet që vijnë prej tij sot janë politika kryesore e Shqipërisë. Kështu siç është kristalizuar politika shqiptare, pa asnjë ide, pa asnjë dinamikë dhe dialektikë të re, të vetmet lajme që ndikojnë atë janë ato që vijnë nga drejtësia.
Dhe me të gjitha gjasat, të vetmet lajme që do të vijnë dhe do të ndikojnë politikën edhe në muajt apo vitet në vazhdim do të jenë pikërisht ato që do të vijnë nga drejtësia. Jo më kot lufta e klasës së vjetër politike shqiptare ndaj SPAK ka filluar. Dikush e quan organizatë kriminale, dikush republika e prokurorëve, por qëllimi është pikërisht deligjitimimi i punës së SPAK.