Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Partitë e reja e ndihmojnë Partinë Demokratike dhe opozitën

Shkruar nga Liberale

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Partitë e reja e ndihmojnë Partinë

Ervis Iljazaj

Ka një ide absurde se partitë e reja duke mos u bashkuar me Partinë Demokratike janë duke ndihmuar Edi Ramën. Në fakt, partitë e reja nuk janë duke ndihmuar Edi Ramën, por opozitën dhe Partinë Demokratike. Gjithmonë nëse do të marrin një rezultat relativisht domethënës në zgjedhjet e 11 majit. 

Ka disa argumenta që qëndrojnë për të mbështetur këtë tezë.

E para, ideja se nëse nuk je me mua je kundër meje është një ide leniniste e politikës. Në një demokraci gjithkush ka të drejtë të formojë parti politike dhe të rreshtohet si të dojë dhe të përfaqësojë kë të dojë. Kjo është baza e liberalizmit politik. Me këtë logjikë, asnjëherë në Shqipëri nuk do të duhen të krijohen partitë të reja opozitare, sepse nëse e bëjnë atëherë po ndihmojnë pushtetin.

E dyta, kam përshtypjen se edhe nëse këto parti të reja nuk do të ekzistonin, gjithsesi elektorati që ato pretendojnë se përfaqësojnë është një elektorat që nuk do ta votonte asnjëherë Partinë Demokratike të zotit Berisha. Në këtë kuptim, ato do të përfaqësojnë një shtresë votuesish që me shumë mundësi do të abstenonin në zgjedhjet e 11 majit nëse këto parti nuk do të ekzistonin.

E treta, nëse ato do të bashkoheshin me Partinë Demokratike nuk do të kishin këtë mbështetje që kanë, ashtu sikurse e tregojnë sondazhet. Ata janë në këto përqindje që janë, pikërisht sepse kanë një narrativë politike kundër sistemit, dhe kjo është e qartë si drita e diellit. Në këtë mënyrë asnjë elektorat shtesë nuk do t’i jepnin opozitës në përgjithësi.

E katërta, demokracia shqiptare ka vuajtur prej zotërimit të sistemit politik nga binomi Rama-Berisha. Nëse kanë një element interesant këto zgjedhje është pikërisht kurioziteti për të parë nëse ky binom do të fillojë të fusë ujë pas 11 majit, apo do të vazhdojë të ekzistojë ashtu sikurse ka qenë për 30 vite me radhë. Prania e partive të reja në parlamentin e ardhshëm i bënë mirë politikës dhe demokracisë shqiptare. I jep asaj një fizionomi dhe një dinamikë të re.

Për të gjithë ata që thotë se kështu Edi Rama do të vazhdojë të marrë mandatin e katërt, ky nuk është faji i partive të reja por i elementëve të tjerë dhe që kërkon një diskutim tjetër.

Partitë e reja as nuk i prishin punë Partisë Demokratike, as ndihmojnë Edi Ramën. Ato thjesht përfaqësojnë një elektorat që me shumë mundësi nëse ato nuk do të ekzistonin këto parti, do të qëndronte në shtëpi. Në këtë kuptim, ato ndihmojnë demokracinë shqiptare. Jo vetëm se janë kundër sistemit 30 vjeçar, por sepse do të bëjnë shumë njerëz të dalin nga shtëpia më 11 maj. Sigurisht, është vështirë të ndryshosh një sistem të konsoliduar 34 vjeçar, por nga diku duhet të fillojë. Dhe ndoshta, 11 maji është fillimi i këtij fenomeni, ose ndoshta çdo gjë do të jetë po njësoj. Këtë e kanë në dorë qytetarët shqiptarë.

 

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH