Ervis Iljazaj
Fushata elektorale e Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste përtej ndryshimeve të shumta kanë një të përbashkët. Fushatat kanë në qendër dy kryetarët e partive, madje vetëm ata të dy. Po të shikosh me kujdes fokusi kryesor është te Sali Berisha dhe Edi Rama, askush tjetër përtej tyre nuk ekziston. Duket si një strategji politike fakti që kjo fushatë është kaq e personalizuar. Aq sa këto zgjedhje, duken zgjedhje pothuasje presidenciale, ku gjykimi përfundimtar do të jetë midis Ramës dhe Berishës.
Emrat e kandidatëve për deputetë, formimi i tyre, atë çka përfaqësojnë apo dhe elementë të tjerë, sigurisht që luajnë një rol të rëndësishëm për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Megjithatë, në realitetin tonë dhe aq shumë sa është persononalizuar politika, zgjedhja përfundimtare do të jetë diku tjetër dhe jo ndoshta për cilësinë e deputetëve, të cilët kanë kohë që në parlamentarizmin shqiptar nuk kryejnë më asnjë rol, përveçse ngrejnë kartonin sa herë që i urdhërojnë.
Deputetët janë kthyer thjesht në fasadën e demokracisë për të legjitimuar vendimet që i marrin shumë pak vetë, kryesisht kryetarët e partive.
Shqiptarët, fatkeqësisht në zgjedhjet e ardhshme do të zgjedhin midis lidershipit të Edi Ramës dhe Sali Berishës, dhe jo midis listave për deputetë. Është e qartë se në këto dy parti drejtohenme dorë të hekurt dhe në mënyrë autokratike nga dy persona, dhe askush tjetër përveç tyre në parti nuk ka rëndësi. Personalizimi i skajshëm i jetës politike nga Berisha në 34 vite, dhe nga Rama në 20 vite, bëjnë që zgjedhja për mirë ose për keq të bjerë mbi ta. Ky është realiteti dhe konteksti i demokracisë shqiptare.
Po të shikosh të dyja listat kanë një të përbashkët, devotshmërinë ndaj liderit. Një emër ose një tjetër, bën pak ndryshim në momentin kur mendimi i tyre dhe i strukturave nuk vlen aspak.
Në Partinë Demokratike besnikëria ndaj Sali Berishës ishte më e rëndësishme se sa vota e anëtarëve të partisë e shprehur nëpërmjet primareve. Janë të gjithë emra të cilët kontribuan për rikthimin dhe konsolidimin e Berishës në krye të PD-së. Prandaj edhe u shpërblyen.
Në këtë kuptim, çështja është se çdo të bëjnë shqiptarët me rikthmin e Berishës në krye të PD-së në një moshë të caktuar, pas 34 viteve dhe me probleme me drejtësinë? Do ta dënojnë apo shpërblejnë? Kjo është çështja thelbësore, të gjitha të tjerat kanë pak ose aspak rëndësi.
Po ashtu në Partinë Socialiste gjykimi do të jetë për Ramën, për vizionin dhe mënyrën e tij të qeverisjes, sepse askush tjetër aty brenda nuk ka rëndësi. Të gjithë të tjerët janë thjesht instrumenta të pushtetit të tij.
Mirëpo, nëse Rama ka luksin e të qënit 12 vite në pushtet, opozita duhet të ishte ajo që rinovonte, frymëzonte dhe bënte që shqiptarët të shkojnë në masë në kutitë e votimit në zgjedhjet e ardhshme. Por Partia Demokratike në vend të reformimit zgjodhi të vjetrën, në vend të hapjes zgjodhi mbylljen.
Ndërsa Partia Socialiste edhe pse 12 vite në pushtet përsëri vazhdon të reformojë me emra të rinj strukturat e saj. Edhe emrat për deputetë të vjetrit do t’i vendosë në pjesët e hapura të listave dhe të rinjtë në vendet e sigurta. Një rinovim i cili është një fasadë apo një pastrim i pisllëkut 12 vjeçar të pushtetit, por gjithsesi është një tentativë komunikimi për të përmirësuar imazhin.
Prandaj, gjykimi përfundimtar mbi zgjedhjet e 2025 do të jetë një gjykim për lidershipin e Ramës dhe Berishës për sa i përket dy partive kryesore. Është një betejë që për fatin e keq të demokracisë shqiptare ka krijuar një binom, që ka uzurpuar jetën politike dhe ka mbyllur sistemin dhe rinovimin e klasës politike shqiptare, aq sa e kanë shumë të domosdoshme ekzistencën e njëri-tjetrit. Sepse dihet, në politikë ai që është kundërshtari yt njëkohësisht është dhe aleati yt.