Ervis Iljazaj
Zgjedhjet e 11 majit në kuptimin politik nuk kanë ndonjë gjë të veçantë për sa i përket garës. Dy Partitë kryesore vazhdojnë të jenë Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, ashtu sikurse ka ndodhur në 34 vite të tranzicionit shqiptar. Shqipëria në këtë drejtim, është rast unik i vendeve të ish Lindjes ku ende vazhdojnë të dominojnë skenën politike të njëjtat parti që nga viti 1991. Shqipëria është rasti i vetëm, në krahasim me vendet e tjera, që për 34 vite me radhë nuk arriti të reformojë sistemin politik të saj. Jo vetëm kaq, por, këto parti drejtohen nga të njëjtët persona. Partia Demokratike ka në krye të saj Sali Berishën për 35 vite, ndërsa Partia Socialiste të njëjtin kryetar prej 20 vite. Shenjë kjo e uzurpimit të politikës nga dy persona.
Prandaj, të dielën në 11 maj, është një rasti i mirë për qytetarët shqiptarë për ta prishur këtë duopol, duopolin Rama-Berisha, dhe për ndërtuar pluralizmin e sistemit politik shqiptar. Është koha që të fillojë rinovimi i klasës politike me aktorë të rinj, me parti të reja dhe politikanë të rinj, të cilët duhet të jenë pjesë e Parlamentit të Shqipërisë. 35 vite me të njëjtën klasë politike do të ishte shumë për këdo vend në botë, e aq më tepër për Shqipërinë. Në këtë kuptim, 11 maji ka një rëndësi të veçantë për të parë nëse partitë e reja të cilat deri më sot duket se kanë një pëlqyeshmëri, do ta kthejnë atë në vota apo jo për të krijuar një sistem më demokratik, më plural dhe më të shëndetshëm për demokracinë shqiptare.
Pikërisht partitë e reja janë risia e këtyre zgjedhjeve dhe duhen të mbështeten nga elektorati shqiptar . Ato nuk ndihmojnë as Partinë Demokratike dhe as Partinë Socialiste, ashtu sikurse i akuzojnë shpesh. Ato ndihmojnë demokracinë shqiptare nëse vërtetë do të kenë një rezultat relativisht të mirë. Shqipëria është një vend i cili ka treguar se personalizimi i politikës, uzurpimi i saj nga dy aktorë, sjell përqendrim të pushtetit dhe autokraci. Prandaj sa më shumë deputetë të çojnë në parlamentin e ardhshëm partitë e reja, aq më mirë do të jetë për demokracinë dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sigurisht edhe partitë e reja kanë defektet e tyre, problematikat e tyre, të cilat i kanë shfaqur edhe përgjatë fushatës. Shpesh herë drejtuesit e tyre kanë treguar papjekuri politike, por kjo është normale për njerëz që janë rishtazi në një ambient politik të ashpër siç është ai i Shqipërisë.
Por për një gjë duhen vlerësuar, për kurajon e tyre për t’u përballur me dy dinozuarë politikë siç janë Rama dhe Berisha, dhe me dy makineri elektorale siç janë Partia Demokratike dhe Partia Socialiste me të gjitha instrumentet që ato kanë në dispozicion, financiar, mediatik apo të natyrave të ndryshme. Më shumë rëndësi se sa kush do të qeverisë Shqipërinë pas 11 majit, Partia Socialiste apo ajo Demokratike, ka fakti nëse sistemi politik shqiptar do të demokratizohet ose jo. Nëse binomi që ka zotëruar politikën shqiptare për shumë gjatë do të vazhdojë ende ta bëjë, apo ky binom do të fillojë të fusë ujë.
Partitë e reja as nuk i prishin punë Partisë Demokratike as ndihmojnë Edi Ramën. Ato thjesht përfaqësojnë një elektorat që me shumë mundësi nëse ato nuk do të ekzistonin këto parti, do të qëndronte në shtëpi. Në këtë kuptim, ato ndihmojnë demokracinë shqiptare. Jo vetëm se janë kundër sistemit 30 vjeçar, por sepse do të bëjnë shumë njerëz të dalin nga shtëpia më 11 maj. Sigurisht është vështirë të ndryshosh një sistem të konsoliduar 34 vjeçar, por nga diku duhet të fillojë. Dhe ndoshta 11 maji është fillimi i këtij fenomeni, ose ndoshta çdo gjë do të jetë po njësoj. Këtë e kanë në dorë qytetarët shqiptarë. Por nëse shqiptarët janë të lodhur, ashtu sikurse janë ankuar gjithmonë nga politika e vjetër, ja ku i kanë partitë e reja. Nga parti të reja ka të djathta, të qendrës apo të majta. Ka alternativa për të gjitha bindjet politike. Le të dalin dhe t’i votojnë për të ndihmuar demokracinë shqiptare, rinovimin e klasës politike dhe zhbërjen e uzuripimin e politikës vetëm nga dy persona.