Ervis Iljazaj
Lajmi se Partia Demokratike ka lidhur një kontratë lobimi me një agjenci amerikane e cila mund të kushtojë deri në 6 milion dollarë, padyshim që do të nxiste debate të mëdha në opinionin publik shqiptar. Çështja më e nxehtë në këtë histori është fakti se nëpërmjet këtij lobimi Sali Berisha kërkon që t’i hiqet shpallja ‘non-grata’ nga Shtetet e Bashkuara.
Pikë së pari duhet thënë që lobimi në Shtetet e Bashkuara për interesa të caktuara është një aktivitet i ligjshëm.
Ajo që personalisht mendojë se ka më shumë interes te ky lobim është çështja e non-gratës së Sali Berishës dhe jo e parave. Për sa i përket shumës, e lartë për hir të vërtetës, dhe ligjshmërisë së kontratës , kjo është një çështje që i takon organeve dhe institucioneve të shtetit shqiptar dhe shtetit amerikan. Askush nuk mund të thotë apriori se këto para janë transparentë apo jo, a janë sipas ligjit shqiptar apo amerikan. Këtë gjë e zgjidhin vetëm organet që e kanë kompetencë dhe duhet të presim që këto organe të bëjnë detyrën e tyre.
Është e kuptueshme që çështja e parave ngjall më shumë interes për publikun, por më me shumë interes në këtë çështje është nëse liderit të opozitës shqiptare mund t’i hiqet non-grata apo jo ?
Për katër vite me radhë Partia Demokratike dhe Sali Berisha kanë ndërtuar një narrativë që shumë prej mbështetësve të tij, por edhe njerëz publik e kanë besuar. Narrativën se non-grata është një vendim i lobuar nga qeveria me qëllim dobësimin e opozitës dhe forcimin e pushtetit të Edi Ramës. E pikërisht për këtë arsye ky është një moment i mirë për të mësuar të vërtetën. Nëse vërtetë non-grata e Berishës është vendosur nëpërmjet lobimeve, atëherë ashtu do të hiqet. Madje, nuk ka asnjë gjë të keqe nëse Partia Demokratika ndjek këtë rrugë, gjithmonë nëse e bën sipas transparencës që kërkojnë ligjet shqiptare dhe ato amerikane, në këtë drejtim.
Duhet të jemi të sigurt se nëse në dosjen e non-gratës së Berishës nuk ka asgjë kompromentuese, por është thjeshtë e lobuar, atëherë ajo me siguri do të hiqet, dhe duhet të hiqet. Por nëse vërtetë në atë dosje ka gjëra që implikojnë zotin Berisha dhe familjen e tij për akuzat që përmban ajo dosje, jo 6 milionë, por as 60 milionë dollarë të jetë vlera e lobimit, non-grata nuk do të hiqet.
Duhet të kemi më shumë besim te institucionet dhe shteti amerikan. Jo sepse merakosen për fatin e Shqipërisë, por sepse kanë përzemër sigurinë dhe politikën e jashtme për interesat e tyre. Kështu që, nëse institucionet atje do ta gjykojnë që non-grata e zotit Berisha është toalisht e lobuar dhe s’ka asgjë të vërtetë, nuk do ta kenë të vështirë aspak të rishikojnë vendimin e ish Sekretarit të Departamentit të Shtetit. Në të kundërtën, sa do të lobojë Partia Demokratike, Shtetet e Bashkuara nuk do të dalin asnjëherë kundër interesave të tyre, edhe përse agjencia e kontraktuar nga PD është afër administratës Trump.
Megjithatë, përtej faktit se si do të shkojë kjo histori. Është lajmi i mirë që Partia Demokratike ka filluar që të interesohet për qëndrimet e ShBA-ve për politikën shqiptare, sepse deri më tani kishte qëndrimin se nuk i duhej se çfarë thonë ndërkombëtarët. Pra si të thuash, janë kthyer nga sovranistë në ndërkombëtarisht.