Ervis Iljazaj
Republika e Kosovës aplikon një sistem zjedhor proporcional kombëtar me lista të hapura. Është e qartë se një sistem i tillë favorizon fragmentizimin e sistemit partiak. Sisteme të tilla garantojnë përfaqësueshmëri, por nga ana tjetër nuk garantojnë qëndrueshmëri të qeverisjes dhe të sistemit demokratik. Në një demokraci, përfaqësimi politik është shumë i rëndësishëm, por njësoj i rëndësishëm duhet të jetë dhe qëndrueshmëria e qeverisjes. Demokracia nuk është vetëm përfaqësim, por edhe qëndrueshmëri dhe vendimarrje, që do të thotë llogaridhënie.
Këtë gjë Kosova e ka vuajtur, ku shpeshherë qeveritë kanë qenë të paqëndrueshme, me përjashtim të qeverisë Kurti 2. Sistemi proporcional kombëtar i Kosovës vështirësisht i jep mundësinë një partie të vetme të fitojë shumicën absolute të mandateve që mundëson formimin e qeverisë. Dhe në këto zgjedhje ka ndodhur po kështu, gjë e cila ka futur në një krizë të formimit të qeverisë dhe kostitutimit të parlamentit.
Sikur mos të mjaftonte sistemi zgjedhor, në Republikën e Kosovës ka dhe një nen absurd ku përcakton se Kryetari i Kuvendit i përket partisë që merr më shumë mandate, pavarësisht nëse kjo parti ka shumicën absolute ne Kuvend ose jo. Kjo praktikë në fakt është e rrallë në parlamentet e tjera demokratike. Kushtetutat e vendeve Europiane, në shumicën e tyre, parashikojnë se kryetari i Kuvendit zgjidhet me shumicën e votave të deputetëve. Nuk ka rëndësi është i partisë së parë apo jo. Rëndësi ka që deputeti që propozohet kryetar të ketën shumicën e deputetëve.
Por rasti i Kosovës është edhe më absurd se kaq. Gjykata Kushtetuese nuk ka përcaktuar afat ligjor, as kushtetues, se brenda çfarë periudhe është i obliguar subjekti fitues i zgjedhjeve që të propozojë një kandidat për kryetar të Kuvendit.
Dhe këtë praktikë po shfrytëzon Albin Kurti për të penguar kostituimin e Kuvendit, në mënyrë që t’i hapet rruga formimit të qeverisë. Duket qartë se kjo është një taktikë e Kurtit për të shkuar kështu deri në momentin zgjedhjes se Presidentit dhe për ta çuar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Është e paimagjinueshme se si një kushtetutë t’i japë instrumente partive politike për të bllokuar sistemin demokratik në një vend të caktuar. Kushtetutat ndërtohen për të propozuar zgjidhje dhe mekanizma zhbllokues të konflikteve politike dhe jo t’i ushqejnë ato deri në pikën sa mund të bllokojë të gjithë sistemin. Kushteta e Kosovës në këtë pikë është totalisht një kushtetutë vetëbllokuese. Gjë e cila duhet të marrë zgjidhje sa më shpejt për të ndërtuar një sistem demokratik efikas.
Kosova në situatën ku ndodhet, sidomos në politikën e jashtme dhe në kontekstin gjeopolitik, nuk e ka luksin të krijojë kriza të tilla vendimarrjeje afatgjatë. Sa më shumë zgjat pa një qeveri të qartë dhe të qëndrueshme, aq më keq është për të.
Dihet që ndonjëherë nenet e Kushtetutës nuk mjaftojnë për të garantuar demokracinë. Përtej saj kërkohet dhe sjellje politike e partive e përgjegjshme dhe me ndërgjegje kombëtare. Dhe këtë gjë forcat politike në Kosovë deri më tani nuk po e tregojnë. Megjithatë, politika nga natyra e saj është konfliktuale. Dhe konflikteve politike duhet t’i japin zgjidhje organet e pavaruara dhe Kushtetuta. Mirëpo ajo që po ndodh është totalisht e kundërta.
Në Kosovë, jo vetëm që Kushtetua nuk i jep zgjidhje konflikteve politike, por përkundrazi, ajo i jep instrumente partive që konfliktet t’i çojnë deri aty sa të bllokojnë formimin e institucioneve të shtetit të saj. Prandaj, Kushtetua e Kosovës në këtë drejtim ka nevojë urgjente për një reformë e cila të garantojë përfaqësim politik dhe stabilitet qverisës dhe institucional. Në të kundërt, krizat do të përsëriten ëdhe në të ardhmen në dëm të demokracisë së saj.