Ervis Iljazaj
Programi i Partisë Demokratike për ekonominë në zgjedhjet e 11 majit, është pak a shumë ai i 2005. Në thelb programi ekonomik i saj parashikon ulje taksash, ndihmë ndaj biznesit dhe politika të cilat bazohen kryesisht në lirinë ekonomike dhe tregun e lirë. Në linja të përgjithshme është një program i mirë, edhe për faktin se një parti e djathtë ka gjithmonë në thelb të programit të saj ekonominë e tregut dhe iniciativën e lirë ekonomike.
Problemi qëndron të pjesa tjetër e programit. Nga njëra anë PD propozon taksa të ulëta, iniciativë të lirë ekonomike, nga ana tjetër politika sociale të forta si ngritje pensionesh, rritje pagash me vendim qeverie, apo dhe minimunin jetik. Siç e quan ajo politikat sociale të saj ‘’Paketa e Dhembshurisë’’.
Në të gjithë këtë histori ka një kontradiksion ideologjik. Përveç faktit nëse në këtë mënyrë, pra duke ulur barrën fiskale dhe rritur politikat sociale, është i mundur vërtetë ky program, ka një problem identiteti. Nuk mundet që programi i një partie të jetë transversal sepse pastaj nuk ka karakter politik. Programi i PD për ekonominë është si të thuash, një kontradisikion liberalo-socialist për sa i përket vizionit ekonomik dhe rolit të shtetit.
Partia Demokratike ka marrë më të mirën e dy botëve për të ndërtuar programin e saj. Nga e majta ka marrë politikat sociale dhe nga e djathta ka marrë taksat e ulëta dhe ekonominë e tregut.
Të dyja kahët politike kanë të njëjtin qëllim, të luftojnë varfërinë. Por nëse e majta e bënë atë duke taksuar më shumë ata që marrin më shumë dhe duke shpërndarë pasurinë, pra duke patur një rol më të madh të shtetit. E Djathta, e lufton varfërinë duke nxitur punësimin, tregun dhe duke i taksuar të gjithë njësoj sepse vlerëson meritokracinë. Ashtu sikurse ka propozuar PD taksën e sheshtë njësoj për të gjithë, pavarësisht se sa fiton.
Por varfëria nuk luftohet edhe duke ulur taksat edhe duke rritur shpenzimet për politika sociale. Më së paku është një kontradiksion i identitetit politik, pa hyrë këtu nëse është vërtetë e mundur financiarisht. Në këtë kuptim, Partia Demokratike, duhet ta ndajë mendjen se si do ta luftojë varfërinë në Shqipëri. Duke bërë një shtet të vogël, duke ulur taksat dhe duke nxitur tregun dhe punësimin, apo nëpërmjet politikave sociale dhe shpërndarjes?
Të gjitha partitë politike në Shqipëri, sa herë që pyeten se ku do t’i gjejnë paratë për politikat e tyre, përgjigjia që japin është se do luftojnë korrupsionin dhe vjedhjen në buxhet. Kjo është nëj përgjigje që jepet këtu e 30 vjet, dhe këtë përgjigje ka dhe Partia Demokratike sot.
Megjithatë, është bërë normale që partitë në kohë fushate të hapin thesin dhe premtojnë parajsën për qytetarët shqiptarë. Por më së paku duhet ta bëjnë atë duke krijuar një identitet të qartë politik, dhe duke u diferencuar nga partitë e tjera. Në këtë mënyrë do të kemi një garë më të drejtë, më të qartë dhe më efikase për të ardhmen e Shqipërisë. Identiteti politik është një element thelbësor për sukses. Kush mendon që për të korrur sukses duhet të premtosh çdo gjë duke qenë transversal në ideologjinë e tij, e ka gabim. Njerëzit kërkojnë parti politike që kanë të qartë vizionin e tyre për shoqërinë, ekonominë dhe politikën.