Preç Zogaj
Është e njohur shprehja sarkastike për zgjedhjet që thotë: “Po të ndryshonin ndonjë, gjë do t’i kishin ndaluar”.
Ka parasysh zgjedhjet farsë si në Rusi dhe në regjime të tjera me fasadë demokratike, ku ato mbahen nën kontroll nga një njeri apo një elitë e pandryshueshme në pushtet dhe në opozitë.
E spërkatur me humor të zi, shprehja në fjalë e përfshin vendin tonë. Këtu nuk kemi parasysh vetëm pluralizmin e simuluar, ku dy partitë kryesore PS dhe PD konkurojnë si të ndryshme dhe qeverisin njëlloj, i mjaftueshëm në fakt për tua hequr zgjedhjeve magjinë e ndryshimit.
Prej gjashtëmbëdhjetë vitesh jemi në sistemin e emërimit të deputetëve me lista të mbyllura, sistem i cili njohu një “reformim” pervers të pashembullt në botë në ligjin e ri elektoral konsensual ku listat e hapura në bishtin e tyre punojnë për listat e mbyllura në kreun e tyre.
Me që jemi të gjetjet origjinale ala shqiptare duhen t’i njohim një meritë kryeministrit Edi Rama. Veç sistemit deledash të patricëve dhe plebejve në bashkautorësi me Sali Berishën, ai ka shpikur përzgjedhjen e deputetëve me aplikim, ngjashëm me aplikimin për vende të zakonshme pune. Duke injoruar specifikat e bërjes karrierë si një angazhim partiak dhe pubik i shkallëshkallshëm dhe i matshëm për çdo të ri e të re. Për rrjedhim, duke investuar keqkuptime të mëdha për mënyren si bëhet karrierë në politikë.
Në të vërtetë Rama ka patur një problem të madh: si t’i paraprijë mbrojtjes se deputetëve dhe zyrtarëve të partisë së tij nga hetimet e SPAK, ku dora e ligjit po gjen abuzime e vjedhje kudo ku futet.
Për këtë arsye, përveç ndoca deputetë të karrierës që nuk janë bërë pis me afera korrutive, atij i janë dashur sa më shumë deputetë “të virgjër”. Por mendoj se një rrisk nuk luftohet me ektravaganca pa lidhje me mënyrën si bëhet karrierë në politikë në shoqërinë e hapur.
Emërimi i deputetëve nga lideri me aplikim, ngjashëm me caktimin e deputeteve në rregjimin njëpartiak, me ndyshimin së tani janë full time dhe paguhen me rroga të larta, është një shpikje e re politike e Edi Ramës. Në kuptimin e origjinalitetit u shtohet dy shpikjeve të mëparshmeve që janë promovimi i krimit në pushtet dhe Rregjistrit i zgjedhësve si një element strategjik i rrethimit të tyre. Pavarësisht se nuk janë asesi të së njëjtës kategori. Ky i emërimeve me aplikim nuk krahasohet me dëmët që i kanë sjellë demokracisë dy të tjerët.
Politikanët mbesin në histori për mirë kryesisht për veprat shtetndërtuese demokratike dhe për investime të mëdha të panjollosura nga korrupsioni apo sjellja tiranike. Rama as e ka menduar ndonjëherë një reformë kushtetuese që lejon garën dhe u jep fuqi zgjedhësve. Duket i lumtur të shkruajë e të vulosë vetë. Duke llogaritur Berishën si asetin kryesor që pengon konvertimin e bëmave të qeverisjes së tij në humbje të pushtetit. Edhe pas dymbëdhjetë vitesh!
Sepse në zgjedhjet e 11 majit Berisha shkon për të kaluar në kudhrën e votimeve berishizmin. Jo vetëm atë të njëherë e një kohe. Berishizmin e ri të një lideri të sanksinuar nga SHBA e Britania e Madhe dhe në proces gjyqësor për akuzat e ngritura nga SPAK.
Berishizmi i ri nënkupton pranimin e verbër të narrativës së tij për këto ngjarje.
Berishistët kanë qenë shumicë në PD, por pakicë në Shqipëri. PD ka fituar vetëm në diversitet, e hapur ndaj korenteve dhe stileve brenda saj. Lista e koracimit lexon objektivin numër një të Berishës për të mbajtur radhët në opozitë. Pastaj ç’të jetë shkruar.
Ndërsa pret të flasë gjykata për akuzën e SPAK ndaj Berishës, publiku jo berishist e merr të mireqënë vendimin amerikan dhe britanik të sanksinimit të tij dhe nuk ka instrumente ta shohë ndryshe. Veç po të tërhiqen Uashingtoni dhe Londra, gjë që do të hiqte vijën ndarëse parimore që vuri sanksionimi i tij.
E gjithë kjo është pritje. Kurse të sfiduarit e realiteteve të reja të kohës sonë me një listë që ka humbur disa zgjedhje të njapasnjëshme është një realitet i trishtë. Kësisoj, shto këtu faktin se partitë e vogla opozitare nuk arritën të bashkohen, zgjedhjet e 11 majit paralajmërojnë të mos ndyshojnë asgjë.