Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: A vlen akoma karta e integrimit europian për fushatat zgjedhore?

Shkruar nga Liberale

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: A vlen akoma karta e integrimit europian për

Ervis Iljazaj

Edi Rama dhe Partia Socialiste duket se në fushatën elektorale të 11 majit do të përdorin kartën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Madje, dhe slogani do të jetë i tillë, ku në fokus do të jetë pikërisht pasaporta europiane, ashtu sikurse e quan ai. Dhe në foton e tij të profilit në facebook ai ka vendosur pikërisht rrugën drejt BE-së të Shqipëri , që sipas tij, mund të ndodhë vetëm me Partinë Socialiste.

Papritur në këto zgjedhje, karta e integrimit të Shqipërisë në BE është kthyer në qendër të vëmendjes të Partisë Socialiste dhe Edi Ramës. Në dy zgjedhjet e kaluara Partia Socialiste kishte premtime të tjera, ose ndoshta nuk ishte fare. Të gjithë e kujtojmë se fushata e Ramës në zgjedhjet e kaluara është bazuar te tallavaja ose telendisja e kundërshtarëve.

Kjo është mëse e kuptueshme se përse Rama po luan si kartën e tij kryesore integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në zgjedhjet e kaluara PS nuk mund të kishte këtë premtim për faktin se proceset e integrimit për Shqipërinë kishin ngecur. Rama thoshte për faj të Europës, po ky është një diskutim tjetër. Fakt është se në 12 vite të qeverisë Socialiste procesi i integrimit ka qenë shumë i ngadaltë, për mos të thënë që ka qenë në vend numëro. Patjetër që mund të ketë qenë dhe faji i kontekstit europian, por ama fakti mbetet. Tashmë që Shqipëria ka çelur me të vërtetë kësaj here hapjen e negociatave, dhe jo si shumëherë në të kaluarën që hapej shampanjë kot, fakti që kontesti gjeopolitik e favorizon integrimin europian, Edi Rama e ka kuptuar fare mirë që kjo është një mundësi reale dhe kërkon që të marrë meritën e këtij integrimi. Mirëpo, problemi qëndron se kur Shqipërisë i bllokoheshin negociatat ky ishte faji i Europës, ndërsa, tani është meritë e qeverisë Rama.

Edhe PD nga ana tjetër pretendon se ajo do ta integrojë Shqipërinë në BE, me meritë, sipas saj, dhe jo si favor gjeopolitik, siç pretendon se po ndodh me Ramën. Gjithsesi, fakti që integrimi i Shqipërisë në BE është kthyer në debatin kryesor të kësaj fushate është një lajm i mirë . Problemi qëndron se politika shqiptare e përdor atë sa herë kur i duhet për interesa partiake dhe të pushtetit të brendshëm, dhe jo si një përgjegjësi kombëtare për hir të së ardhmes së Shqipërisë. Madje shpesh herë, konfliktet e brendshme politike janë bërë pengesë për integrimin e Shqipërisë në BE.

Edhe pse ky është një lajm i mirë, nuk është e qartë nëse karta e integrimit është e vlefshme për të fituar konsensus popullor apo jo. Tashmë shqiptarët të rraskapitur dhe të lodhur nga një proces i gjatë, kryesisht për faj të klasës politike, gjithmonë e më shumë janë bërë mosbesues për të ardhmen europiane të tyre. Në këtë kuptim, integrimi Europian mund të jetë një element i rëndësishëm i fushatës, por varibla të tjera do të luajnë rolin kryesor në përcaktimin e votës së tyre. Edhe për faktin se integrimi Europian nuk duhet të jetë meritë e një partie apo një tjetër, por një detyrë kombëtare e të gjithë politikës. Meritat që marrin politikanë të caktuar nuk janë të vërteta dhe reale. Rruga e Shqipërisë drejt BE ka qenë një rrugë e gjatë, ku çdo parti ka meritat dhe përgjegjësitë e saj. Nëse integrimin në BE nuk e shikojmë si përgjegjësi dhe detyrën e të gjitha partive, data kur ne të jemi anëtarë me të drejta të plota do të jetë ende e largët.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH