Në këtë foto përmblidhet dinjiteti i njeriut dhe misioni i tij fisnik. Një burrë që ndoshta nuk mbajti armë por që përmes fjalës, mendimit dhe përkthimit, i dha popullit të tij mundësinë për t’u lexuar, shkruar dhe kuptuar në gjuhën e vet. Ai nuk kërkoi lavdi por hodhi themelet e identitetit gjuhësor shqiptar.
Më 22 maj 1827, në Elbasan, lindi Kostandin Kristoforidhi, luftëtar i madh i përhapjes së dijes përmes së cilës besonte se Shqipëria pas shekujve pushtimi dhe robërimi do të triumfonte më lehtë se lufta me "armë". Autor i ”Fjalorit të Gjuhës Shqipe” me rreth njëzet mijë fjalë dhe kuptime fjalësh, babai i gjuhës shqipe letrare dhe një ndër arsimtarët më të mëdhenj të kombit shqiptar.
Studioi në Janinë në një nga qendrat arsimore më të njohura të kohës, ku u formua si gjuhëtar dhe njohës i thellë i kulturave. Kristoforidhi zotëronte shumë gjuhë si: greqishten, italishten, turqishten, latinishten, arabishten, frëngjishten, anglishten – por zemrën ia kushtoi shqipes.
Kontribuoi si mësues në disa qytete shqiptare, duke përhapur arsimin në gjuhën shqipe. Por më i thellë ishte kontributi i tij si përkthyes i dy librave fetarë në të dy dialektet e shqipes, gegërisht dhe toskërisht, duke krijuar themelet e përbashkëta për një gjuhë letrare kombëtare.
Vepra themelore e Kostandin Kristoforidhit, për të cilën punoi gjithë jetën është “Fjalori i gjuhës shqipe”.
Më 1882 botoi Gramatikën e gjuhës shqipe sipas dialektit toskë. Ka lënë edhe disa dorëshkrime me shënime gjuhësore. Përkrahte teorinë për prejardhjen pellazge të shqipes. Me lëvrimin që i bëri gjuhës shqipe në përkthimet e në veprat e tjera ndihmoi për themelimin e gjuhës letrare kombëtare. Provoi prozën me tregimin e shkurtër, “Gjahu i malësorëve”, “Hieja e Tomorit” (botuar më 1902). Punoi për një sistem arsimor kombëtar, të mbështetur në një pedagogji e didaktikë përparimtare demokratike.
Në pikëpamjet politiko-shoqërore Kostandin Kristoforidhi ishte iluminist demokrat. E konceptonte zgjimin kombëtar nëpërmjet shkollës e kulturës dhe gjuhën amtare e shihte si mjetin më të rëndësishëm për përparimin kombëtar. Ishte ndër përfaqësuesit e parë që u bënë shprehësit ideorë të lëvizjes kombëtare dhe bëri përpjekje për ta vënë në jetë programin e rilindësve në fushën e kulturës e të arsimit.
Kostadin Kristoforidhi vdiq në vendlindjen e tij, Elbasan, në vitin 1895.
Përgatiti: Hemelita Boriҫi