Aranit Muraçi
Thirrja ose thënia e kryeministrit Edi Rama, “punëtorë ka, por nuk ka profesionistë” u bë e njohur rreth një dekadë më parë. Tingëlloi çuditshëm si në veshët e punë-kërkuesve ashtu edhe të vetë profesionistëve, ngaqë të parët e konsideronin veten të shfrytëzuar, kurse të dytët të paidentifikuar. Shprehja që u përsërit për disa kohë nga ana e kryeministrit u bë aq e famshme saqë kujtohet ende me nostalgji dhe përcillet me nota humori nga vetë punëdhënësit, të cilët dikur në kërkim të profesionistëve sot kanë mbetur pa punëtorë.
Por është vetë koha që thuhet se shëron gjithçka. Pyetja tashmë është: a ka pasur mjaftueshëm profesionistë në qeverisje, për t’i dhënë zgjidhje në kohë problematikave që po hasen aktualisht në tregun e punës?
Për vite me radhë teksa ishin në kërkim të një pune, ose të vlerësimit të punës që bënin, më punëtorët dhe produktivët u demoralizuan sepse, për shkak të rregullave dhe ligjeve kaotike, nuk e morën kurrë “gradën” e profesionistit. Jo për paaftësinë e tyre. Sistemi arsimor refuzon me kokëfortësi edhe sot që të distancohet nga filozofia marksiste-leniniste, duke mos u kujdesur as për nevojat dhe as për ndryshimet e nevojshme që kërkon tregu i konkurencës së lirë.
Tregu në një sistem të konkurencës së lirë përballet me ligjet e tij. Tregu nuk funksionon për të plotësuar dëshirën e sipërmarrësve siç pretendojnë shumë prej tyre, disa për arsyen se janë të paformuar dhe disa sepse 'dehen' nga këshillat e “ekspertëve” dhe të 'drejtuesve' që kujdesen për të ardhurat e tyre pa marrë në konsideratë analizën e tregut dhe të produktivitetit.
Çdo sipërmarrje do të dëshironte punonjës me kosto të ulët ose qoftë edhe pa kosto fare. Dhe kur refuzon ligjet e tregut herët a vonë ekonomia përballet me trauma. Është kjo arsyeja kryesore që besohet se i largon Shqipërisë prej dy dakadash mesatarisht çdo vit 50 mijë qytetarë, shumica të rinj dhe në kërkim të një pune më të mirë. Nevoja për fuqi punëtore i ka detyruar sipërmarrësit shqiptarët që t’i drejtohen tregut të huaj të punës. Si një vend europian dhe përballë egërsisë së tregut në Europë, ekonomia e Shqipërisë e ka të pamundur të gjejë dhe të afrojë punonjës të kualifikuar. Përvoja e viteve të fundit tregon se të huajt vijnë me me kosto më të lartë, largohen pa përfunduar kontratën dhe kanë produktivitet më të ulët. Mungesa e një vizioni të qartë zhvillimi ndër vite po shoqërohet me kosto më të larta ekonomike dhe sociale.
Institut i Statistikave zbuloi të dhënat e fundit që treguan se për një tkurrje tjetër të popullsisë nga 1 Janari 2025. Sipas INSTAT, popullsia shqiptare më 1 Janar 2025 rezultoi 2.36 milionë banorë duke pësuar rënie me 1.2% krahasuar me Janarin 2024. Rënia e popullsisë ka ardhur si rezultat i dy komponentëve kryesorë demografikë, së pari nga emigracioni dhe së dyti nga rënia e lindjeve. Një tjetër tregues shqetësues gjithashtu mbetet plakja e popullsisë. Llogariten rreth 700 mijë pensionistë dhe më shumë se kaq fëmijë dhe studentë.
Si pasojë sot në fshat edhe ata pak fermerë që kanë mbetur kërkojnë punëtorë. Në bare dhe restorante, pothuajse kudo kërkohen punëtorë. Në ndërtim kërkohen punëtorë. Në fasoneri kërkohen punëtorë. Në turizëm nevojat për fuqi punëtore janë të pranishme kudo. Në çdo sektor prodhimi dhe shërbimi të sektorit privat kërkohen punëtorë. Shqipëria dukshëm nuk ka qenë e përgatitur për t’u përballur me një mungesë kaq të madhe dhe në një kohë kaq të shpejtë të fuqisë punëtore.
Në vend të profesionistëve që pretendoi në mbyllje të mandatit të parë, tashmë që siguroi mandatin e katërt, vetë kryeministrit Edi Rama në mungesë të profesionistëve ndoshta do t’i duhen sa më tepër “punëtorë” në qeverisje. Ndërsa sipërmarrësit që për nga dëliri dikur pretenduan për profesionistë, do të jenë të detyruar nga ligjet e ashpra të tregut t'i vajtojnë për një kohë të gjatë punëtorët.