Analizë

ANALIZË nga Hajrullah Koliqi: Edukimi patriotik

Shkruar nga Liberale

ANALIZË nga Hajrullah Koliqi: Edukimi patriotik

NGA HAJRULLAH KOLIQI

“Ti Shqipëri, më ep nderë,
më ep emërin Shqipëtar.”
(Naim Frashëri)

Patriotizmi. Patriotizmi, zakonisht përkufizohet si ndjenjë e dashurisë ndaj atdheut të vet (atdhedashuria). Ai është një fenomen kompleks (emocional, njohës e veprues), me të cilin u morën filozofë, psikologë dhe ideologë të ndryshëm, që nga Platoni në Greqinë antike, ku e kanë origjinën edhe fjalët “patriotes”, “ethnos” dhe “ethnocentric”. Fjala “patriot” u përhap gjerësisht në shek. XVIII, ndërsa patriotizmi mori përmasa të gjera në shek. XIX. Patriotizmi interpretohet dhe cilësohet në mënyra të ndryshme edhe në kohën tonë. Globalistët atë e cilësojnë si koncept “fundamentalist”, “nacionalist”, madje edhe “anakronik”, por nga ana tjetër flitet dhe shkruhet shumë për patriotizmin amerikan, francez, anglez, rus, japonez etj. Globalistët gjykojnë se atdheu i tyre është bota, kurse patriotët konsiderojnë se e ardhmja u përket atyre - patriotëve. Për “edukimin patriotik në epokën globale” ka edhe studime e vepra të veçanta.

Edhe patriotizmi shqiptar ka të bëjë me dashurinë sublime të shqiptarit/res) ndaj atdheut (mëmëdheut) dhe popullit të vet, si dhe me gatishmërinë e tij/saj, për t’u shërbyer atyre dhe flijuar shumëçka për to, madje edhe jetën “si me le.” Patrioti i devotshëm e do vendin dhe popullin e vet, krenohet me vlerat dhe sukseset e tyre, por respekton edhe vlerat e popujve dhe vendeve të tjerë. Ai është bir/bijë besnik i vendit të tij, është liridashës, qytetar i mirë dhe shquhet për tipare të larta morale (virtuous patriotism). Të qenët patriot është diçka sublime dhe jetike për kombin shqiptar, në të kundërtën ai rrezikohet seriozisht. Ndjenjat, qëndrimet dhe vetëdija patriotike mëkohen, edukohen.

Edukimi patriotik. Edukimi patriotik i shqiptarëve ndërlidhet me atdheun e tyre të përbashkët, me Shqipërinë natyrale. Bukuria e atdheut, gjuha dhe kultura shqiptare janë ato që kontribuojnë shumë që të jemi kështu siç jemi. Ato janë edhe komponentë të patriotizmit.
Atdheu. Atdheu i shqiptarëve është Shqipëria etnike, natyrale. Gjeografinë etnike të saj e përcaktuan korifejtë e Rilindjes Kombëtare, e cila sipas Pashko Vasës, shtrihet “Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë”. Me reformën osmane 1864/68, atë e përbëjnë katër vilajete (provinca): i Shkodrës, i Janinës, i Manastirit dhe i Kosovës. Ky projekt rilindës për Shqipërinë natyrale u realizua pjesërisht. Është një proces që vazhdon. Shqipëria e shpalli pavarësinë e saj (1912), por falë interesave gjeopolitike të fuqive të mëdha dhe pushtimeve të vendeve fqinje (Greqisë, Serbisë e Malit të Zi), 2/3 e trevave etnike shqiptare mbeten jashtë kufijve politikë të shtetit shqiptar. Në vitin 2008, u shpall pavarësia e Kosovës dhe u krijua edhe një shtet tjetër shqiptar, por pa të drejtë bashkimi (!) me shtetin amë – Shqipërinë. Ende shumë treva të tjera shqiptare mbeten nën administrimin e shteteve fqinje. Megjithatë, ideali historik i shqiptarëve, si një Komb në një Shtet të përbashkët, me Gjuhën letrare të njësuar, me Flamurin e Skënderbeut e me Himnin Kombëtar dhe me Tiranën Kryeqytet, është i fuqishëm edhe në shekullin XXI, ku mbështetet edhe edukimi patriotik.

Kultura. Me Shqipërinë etnike lidhet ngushtë edhe kultura pelazgo-iliro-albano-shqiptare, e cila u zhvillua në kontekste të ndryshme historike. Ajo mbijetoi falë natyrës konservative dhe rezistentencës ndaj ndikimeve të huaja. Shqiptarët identifikohen me trashëgiminë e tyre kulturore të ndërtuar gjatë shekujve, me objektet dhe artefaktet materiale, si dhe me ato jomatriale, siç janë: gjuha amtare, besimet fetare, artet, letërsia, normat shoqërore, zakonet, mënyra e jetesës etj. Vlera të kësaj trashëgimie kulturore janë p. sh. Butrinti e Apollonia antike, Kodikët e Beratit, “Meshari” i Buzukut, Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kongresi i Manastirit, Normalja e Elbasanit, Muzeu i Skënderbeut në Krujë, Monumenti Nënë Shqipëri, Kompleksi Memorial Adem Jashari etj., si dhe personliteti e vepra e pamort e De Radës, Kostandin Kristoforidhit, vëllezërve Frashëri, Gjergj Fishtës, Nënë Terezës, Ismail Kadaresë, Rexhep Qosjes etj. Shqiptarët shquhen për shpirtin e tyre luftarak, për besë, mikpritje, bujari, krenari. Ata krenohen me vlerat e tyre kulturore, materiale e shpirtërore, me mbijetesën e kësaj kulture gjatë shekujve. Të gjitha këto vlera kulturore frymëzojnë dhe edukojnë sentimentin e patriotizmit.
Gjuha. Gjuhën shqipe është tabani i identitetit etnik, kombëtar, shtetëror dhe mjet i edukimit patriotik të shqiptarëve. Kjo gjuhë indoevropiane është zëri i shpirtit të kombit shqiptar, është “gjuhë Perëndije” (Naim Frashëri), “gjuhë hyjnore” (Gjergj Fishta), “gjuhë martire” (Ismail Kadare). Përveç kësaj, shkencërisht është dëshmuar se gjuha shqipe është autoktone, 6000 vjet e vjetër, njëra nga tri gjuhët më të vjetra indoevropiane që flitet edhe sot. Kjo vlerë identitare është ruajtur dhe kultivuar gjatë shekujve. Ajo është një nga faktorët kryesorë të shkollës kombëtare shqipe, si gjuhë mësimi dhe lëndë mësimore. Rilindësit na mësojnë se gjuha shqipe është “zonjë”, por kjo nuk do të thotë shpërfillje apo urrejtje ndaj gjuhëve të tjera. Shumë aktuale tingëllojnë këto vargje të Naim Frashërit: “Gjuhën e mëmëdheut mëso,/ Ajo munt të të ndritojë,/ Edhe të tjerat i këndo,/ Por atë ta keç për zonjë.” Gjuha shqipe historikisht ishte gjuhë e mohuar, e mallkuar dhe e përndjekur nga osmanët, grekët e serbët hegjemonistë. Ndaj atë duhet ruajtur me fanatizëm, siç këshillon edhe Shtjefën Gjeçovi: “Si ruen dritën e synit, ashtu rueje gjuhen tande, o vlla Shqyptar, deli zot e shkriju mas saj, tuj kenë se, sa ta kesh giuhën ke me kenë edhe ti vetë.”

Besimi. Besimi fetar është një faktor tjetër i identitetit kombëtar. Në funksion të shqiptarizmit, rilindësit shqiptarë u morën me çështjen e ndarjes së shqiptarëve në tre besime fetare, përkatësisht me patriotizmin multifetar shqiptar. Për Naim Frashërin “Fet’ e besëtë t’i kemi,/ Po të ndarë t’mos jemi.” Sepse, vijon ai “Të gjithë kemi besë Perëndinë edhe mëm’e atë Shqipërinë.” Kjo mrekulli multifetare shqiptare lidhet ngushtë edhe me ata klerikë mendjendritur dhe patriotë, të cilët punan dhe punojnë për “Fe e Atdhe.” Ja çfarë na mësojnë disa prej tyre: “Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë,/ por shqiptarinë e kemi bashkë” (At Gjergj Fishta), “Shqiptar më krijoi Zoti” (Hafiz Ali Korça), “Kemi tri fe, por kemi nji Atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror, një Gjuhë, një diell e një Zot” (Mulla Idriz Gjilani), “T’i diftojmë, po, botës, se Shqiptarët janë njimend burra; se mund të jemi Toskë e Gegë, muhamedanë e të kishtenë, e njiheri Shqiptarë të njimendët” (Atë Anton Harapi). Kjo harmoni dhe mirëkuptim ndërfetar i shqiptarëve, sipas Papa Gjon Pali II është “për t’u marrë shembull” nga të tjerët dhe uron që Shqipëria gjithnjë me shumë të bëhet “atdheu i ikumenizmit.”

Historia. Historia e popullit shqiptar, ky testament identitar, me rrënjë në thellësinë e moteve parahelene, është faktor shumë i rëndësishëm i edukimit të vetëdijes shoqërore e kombëtare. Përmbajtja e saj, ndonëse nga e kaluara, nuk është “e vdekur”. Ajo ndriçon të kaluarën, na mëson për të tashmen dhe na ndihmon për projektimin e të ardhmes. Siç shkruan Marjana Gross, “Në botën me vetëdije historike funksioni i vërtetë i historisë është që nëpërmjet informimit të saj mbi tiparet e strukturave historike të ndihmojë në sqarimin e realitetit objektiv”. Krahas dimensionit njohës, ajo ka edhe dimensionit e saj praktik dhe edukativ. Historia e popullit shqiptar është mësimdhënëse, udhërrëfyese dhe “edukatore” e patriotizmit. Kujtesa historike është “e gjallë”, ajo frymëzon dhe bashkon. Të tilla janë ngjarjet historike: Rilindja Kombëtare, Lidhja e Prizrenit, Pavarësia e Shqipërisë, Pavarësia e Kosovës etj., si dhe figurat historike: Heroi Kombëtar G. K. Skënderbeu, Ali Pashë Tepelena, Oso Kuka, Ismail Qemali, Isa Boletini, Adem Jashari etj, të cilët janë modele frymëzues të patriotizmit. “Atdhetarët, kudo që të jenë, lypset me ia ditë për të mirë e me i kushtue dashuni e nderim atyneve që përpiqen për çashtjen tonë kombëtare”, shkruante Aleksandër Xhuvani. Atdhetari e do dhe e studion historinë kombëtare, mëson nga ajo dhe e pasuron atë.

Dituria. Patriotizmi shqiptar mbështetet fuqishëm edhe në eksperiencën dhe urtinë e popullit shqiptar, në edukimin joformal e formal të tij, duke përfshirë këtu shkollat katolike me mësim në gjuhën shqipe, shkollat e para kombëtare shqipe (Mësonjëtorja e Korçës, Normalja e Elbasanit) etj. Kombëtarizimi i edukimit të shqiptarëve, sipas modelit evropian, u institucionalizua me themelimin dhe ndërtimin e shtetit dhe të shkollës shqiptare e cila, sipas Luigj Gurakuqit, ajo është kombëtare si nga forma (gjuha e mësimit), ashtu edhe nga përmbajtja mësimore. Edhe qëllimi themelor i shkollës dhe arsimit kombëtar është arsimimi dhe ngritja kulturore e popullit shqiptar në funksion të zhvillimit dhe përparimit të vendit të vet. Veç gjuhës amtare shqipe, si gjuhë mësimi e lëndë mësimore kryesore, rol të rëndësishëm në edukimin atdhetar kishin dhe kanë edhe lëndë të tjera: letërsia shqipe, historia, muzika etj., pastaj tekstet shkollore, eventet e simbolet kombëtare, ambienti dhe atmosfera e gjithëmbarshme e institucioneve arsimore etj. Shkollat shqipe u shndërruan në çerdhe të shqiptarizmit edhe në trevat shqiptare të pushtuara.

Edukimi patriotik i shqiptarëve është një çështje aktuale. Pluralizmi demokratik, ndër të tjera, u shoqërua edhe me bastardimin e pamëshirshëm të gjuhës e shqipe të folur, të shkruar dhe elektronike, si në komunikim të rëndomtë, ashtu edhe në botimet e të gjitha llojeve. Përdorimi i fjalëve të huaja dhe të çoroditura, që e dhunojnë këtë gjuhën, është shndërruar në “modë” edhe nga shumë intelektualë dhe institucione kulturore, administrative etj. Kjo dëshmon se gjuha amtare shqipe nuk respektohet nga vetë shqiptarët, se ata gjuhën e tyre e konsidrojnë të parëndësishme ose të dorës së dytë dhe se, duke përdoruar sa më shumë fjalë të huaja (attack, deal, content, confusion, support, spunto, sconto etj.), u duket vetja më të kulturuar, më të dijshëm e më të qytetëruar se të tjerët. Por jo, bastardimi i gjuhës shqipe nuk është kurrfarë kulture, por përkundrazi, ajo është jokulturë dhe mungesë respekti e dashurie ndaj gjuhës së nënës. Le të kujtojmë sa shumë përpjekje e sakrifica janë bërë për ruajtjen e kësaj gjuhe të lashtë e të veçantë, për pastërtinë, studimin e zhvillimin e saj. Ta duash dhe ta mbrosh gjuhën shqipe me fanatizëm, ta flasësh dhe ta shkruash bukur e pastër atë është, jo vetëm kulturë, por është edhe patriotizëm (atdhedashuri, shqiptarizëm)

Kombi shqiptar po rrezikohet edhe nga emigrimi masiv i rinisë në botën perëndimore. Trevat etnike shqiptare po zbrazen, popullsia po tkurret vazhdimisht dhe po plaket me shpejtësi, sepse të rinjtë po ikin, po e braktisin vendin e të parëve. Nëse ky trend i braktisjes së vendit vijon, nuk është e vëshirë të supozohet se sa banorë rezidentë (shqiptarë) do të ketë Shqipëria natyrale pas dhjetë vitesh! Dashurinë për vendrrënjën e tyre mërgimtarët shqiptarë e kanë në zemër, por larg varreve të të pareve. Ata kontribuojnë për të mirën e vendit që u dha jetën dhe emrin e tyre, por gradualisht natyralizohen e tjetërsohen në “dhe të huaj” (atdheun e dytë!).

Vështirësi për unifikimin e kombit shqiptarë paraqesin edhe kosovacentristët, të cilët synojnë krijimin e një kombi të ri – kombin kosovar, sipas modelit të një kombi qytetar multietnik, për t’u shkëputur përfundimisht nga trungu unik shqiptar. Kombi shqiptar në Shqipëri, kombi kosovar në Kosovë! Kjo nuk është diçka e re, por është vazhdim i politikës serbosllave të Tito-Raknoviqit, për përçarjen e shqiptarëve, në: “Albanci” në Shqipëri dhe “Šiptari” në ish-Jugosllavi. Të gjalla dhe shumë të rrezikshme janë edhe projektet dhe synimet ekspansioniste e pushtuese të vendeve fqinje (Serbi, Greqi), si dhe luftërat, konfliktet e krizat politike lokale e globale, të cilat rrezikojnë edhe kombin shqiptar.

Ndaj, është shumë e nevojshme të punohet më shumë dhe më me përkushtim që, nëpërmjet formave të ndryshme të edukimit patriotik, të fuqizohet sentimenti patriotik, sidomos te të rinjtë shqiptarë. Edukimi patriotik, përkatësisht kultivimi i dashurisë ndaj Atdheut dhe popullit shqiptar, në çfarëdo rrethanash, i shërben mbijetesës dhe ruajtjes së identitetit kombëtar. Patriotizmi shqiptar nuk është pushtues, ofanziv, por ai ka qenë dhe vazhdon të jetë vetëmbrojtës, defanziv.
Gjithashtu, edukimi patriotik e fuqizon unitetin kombëtar në mbarë gjeografinë etnike shqiptare dhe në diasporë, në rrethana kur kombi shqiptar është i ndarë në disa shtete dhe i shpëndarë në mbarë botën. Dashuria për vendin dhe krenaria e përbashkët kombëtare i përbashkon dhe i fuqizon ata, përballë sfidave të ndryshme.

Edukimi patriotik ndikon shumë edhe në zhvillimin dhe përparimin e shqiptarëve, nëpërmjet arsimimit (siç thotë Alvin Toffler “Dituria është burimi më demokratik i fuqisë”), si dhe nëpërmjet harmonizimit të interesit personal me interesin e përgjithshëm kombëtar. Ose siç këshillon Xhon Kenedi, “mos pyetni se çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju, por pyetni se çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj.”

Edukimi patriotik i mirëfilltë ndikon shumë edhe në integrimit evropian dhe global të shqiptarëve, si një komb me histori e identitet të veçantë kulturor, në respekt të ndërsjellë me kombet e tjerë, siç thotë edhe Gjergj Fishta, “Zoti n’qiell e na mbi tokë:/ Me gjithkënd vllazën e shokë,/ Por se i cilli m’cak të vet.”

Patriotizmi, përkatësisht afirmimi dhe kultivimi i sistemit të vlerave kombëtare, nuk është i mjaftueshëm kurrë. Ato kultivohen dhe edukohen vazhdimisht në familje, institucione arsimore e kulturore, medie të shkruara dhe elektronike, aktivitete shoqërore-politike etj. Mbi të gjitha, Nëna Shqipëri, Kopshti i Adenit në Gadishullin Ilirik.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH