Analizë

ANALIZË nga Enxhi Heti: Është thjesht biznes... dhe pak neokolonializëm

Shkruar nga Liberale

ANALIZË nga Enxhi Heti: Është thjesht biznes... dhe pak

MSc. Enxhi Heti *

Ndonëse arena e marrëdhënieve ndërkombëtare karakterizohet nga paparashikueshmëria, Fukuyama nuk e frenoi dot optimizmin e tij tepër idealist (e rrjedhimisht të nxituar) kur parashikoi, me vetëbesim të palëkundur në kryeveprën e tij “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit”, se Lufta e Ftohtë do të sillte fundin e evolucionit ideologjik dhe të konflikteve. Fuqizimi i shteteve autoritare në botë ngriti pikëpyetje të mëdha mbi këtë teori, e cila u lëkund më tej me lindjen e luftërave në Lindjen e Mesme dhe u hodh poshtë përfundimisht nga lufta aktuale ruso-ukrainase. Në këtë pikë, ia vlen të thellohemi paksa te kjo e fundit, pasi merr meritat edhe për shembjen e teorisë kundërshtare, asaj të Huntington-it. Me një pesimizëm prej realisti, ai parashikoi po aq nxitimthi sa Fukuyama se, pas Luftës së Ftohtë, konfliktet do të ndodhnin mes civilizimeve me vlera, ideologji dhe histori të ndryshme. Sidoqoftë, lufta ruso-ukrainase do të kujtohet më pak për rrëzimin e dy teoricienëve të mëdhenj të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe do të mbahet mend më shumë si ngjarja që përshenji lindjen e “biznes-politikës” amerikane dhe fundin e politikës së saj të jashtme në aspektin tradicional diplomatik.

Në pamje të parë, politika e jashtme dhe biznesi kanë shumëçka të përbashkëta: asnjëra nuk mund të avancojë pa një strategji të qartë vendimmarrjeje, pa objektiva afatgjata, pa negociata dhe pa kuptuar dinamikat e fuqisë gjatë këtij procesi. Gjithsesi, dallimet mes tyre janë edhe më të theksuara: biznesi ka si objektiv parësor sigurimin e fitimeve dhe zgjerimin në tregje, ndërsa politika e jashtme prioritizimin e sigurisë kombëtare dhe të marrëdhënieve diplomatike; procesi i vendimmarrjes së biznesit përcaktohet nga klientët, aksionarët dhe furnizuesit, ndërsa i politikës së jashtme përcaktohet nga nivelet komplekse të burokracisë, konteksti historik dhe e drejta ndërkombëtare; risqet me të cilat mund të përballet biznesi janë luhatshmëria e tregut dhe konkurrenca, ndërsa politika e jashtme përballet me konflikte ushtarake, tensione gjeopolitike dhe kriza ndërkombëtare; objekti i biznesit është zakonisht një produkt, shërbim a një treg i veçantë gjeografik, ndërsa i politikës së jashtme është trajtimi i çështjeve me rëndësi globale si siguria ndërkombëtare, ndryshimet klimatike dhe të drejtat e njeriut.

Ndikimi i biznesit në punët e jashtme nuk është risi e ca më pak çudi, pasi shumë studiues, si Joseph Nye, Thomas Friedman e Geoffrey Garret, kanë hedhur dritë mbi ndërvarësinë që ekziston mes të dyjave. E megjithatë, në rastin e luftës ruso-ukrainase, ekuilibrat e ndërvarësisë janë prishur dukshëm në favor të njërës prej variablave, aq sa tiparet dalluese të përvijuara më lart shkrihen harmonishëm në një fytyrë të vetme, e cila më shumë se një politikani, i përngjan një biznesmeni.

Gjatë ditëve që lamë pas, presidenti amerikan kërkoi 50% të burimeve të çmuara minerare të Ukrainës në kompensim të mbështetjes miliona dollarëshe të dhënë nga administrata Biden dhe sigurimit të paqes. Sikur kjo të mos mjaftonte, gjatë orëve të heshtjes që kaploi Kievin pas njoftimit të një kërkese të tillë, Donald Trump nuk i kurseu paralajmërimet në rast refuzimi, sikurse nuk përmbajti as etiketimet aspak të denja për homologun e tij ukrainas apo ligjërimin adiplomatik gjatë takimit në Zyrën Ovale. Përkthyer në termat e analizës së paragrafit më lart, gjatë ditëve që lamë pas dëshmuam se si për herë të parë udhëheqësi politik i ShBA-së kaloi sigurinë dhe marrëdhëniet diplomatike në plan të dytë, duke ia lënë vendin e parë maksimizimit të fitimit dhe zgjerimit në tregje. Gjatë ditëve që lamë pas, dëshmuam se si procesi i vendimmarrjes ka anashkaluar plotësisht kontekstin historik e burokratik të politikës së jashtme amerikane dhe është përkufizuar nga interesat koorporative amerikane. Gjatë këtyre ditëve, dëshmuam se si po përdoret një krizë dhe konflikt gjeopolitik për të minimizuar riskun e luhatshmërisë ekonomike të ShBA-së. Po ashtu, gjatë këtyre ditëve dëshmuam se si superfuqia globale mund t’i këmbejë rolet e agresorit dhe viktimës, kur synohet jo më trajtimi i çështjes së sigurisë ndërkombëtare, por një pjesë tregu.

Kjo stisje e një narrative të re tregon se, pavarësisht përpjekjeve për ta inkuadruar ligjërimin e saj aktual diplomatik brenda realpolitikës, Shtëpia e Bardhë nuk ngurron të përdorë të ashtuquajturën propagandë, njësoj si shtetet autoritare, atëherë kur i duket e volitshme. Dhe falë kësaj propagande, pakkush po e përmend faktin se një shënjestrim i tillë i Ukrainës nga superfuqia globale për qëllime fitimi përbën, për hir të së vërtetës, shkelje të plotë të nenit 2, pikës 4 të Kartës së OKB-së, sipas të cilit shtetet anëtare nuk duhet të përdorin kërcënimin ose forcën kundër integritetit territorial ose pavarësisë politikë të asnjë shteti, një parim të cilin e ka miratuar vetë ShBA-ja dikur. Këto veprime vërtet bien ndesh me parimet e politikës së jashtme por jo me ato të biznesit, dhe me ç’duket “it’s just business”, siç thonë amerikanët. Por, kjo faqe prej sipërmarrëseje është vetëm njëra prej dy faqeve të ShBA-së së sotme.

Tentativa për të përvetësuar tregje në kurriz të shteteve më të dobëta e të prekura nga konfliktet nuk po bëhen vetëm në Ukrainë, por edhe në Rripin e Gazës. Propozimet e Trump-it për ta zhvendosur të gjithë popullsinë palestineze në troje të tjera dhe për të ndërtuar mbi rrënojat e bombardimeve hotele luksoze e plazhe ekzotike (të denja për atë vetë, Elon Musk-un dhe Benjamin Netanyahu-n) nuk janë gjë tjetër veçse shprehje e qëllimeve ekspansioniste në tregje, të cilat nuk kanë lënë pa cekur as Kanalin e Panamasë, Groenlandën, Kanadanë e Gjirin e Meksikës. Ky imperializëm ekonomik, të cilin ShBA-ja po përpiqet ta ndërtojë duke ushtruar kontroll ekonomik dhe trysni politike mbi shtetet më të dobëta (e ca më keq në konflikte të armatosura) që të shfrytëzojë lirisht burimet e tyre për të majmur më shumë ekonominë amerikane, i përforcuar më tej nga hegjemonia politiko-kulturore nga e cila buron imperativa për zgjedhje të reja në Ukrainë apo për largimin e Zelensky-t, është faqja tjetër e ShBA-së, ajo neokolonialiste. Forma është e re, por thelbi mbetet i njëjtë - të fuqishmit kërkojnë, të dobëtit binden dhe historia shkruhet në fund nga fituesit.


*Enxhi Heti ka përfunduar studimet në nivelin Master Shkencor për Marrëdhënie Ndërkombëtare në UET

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH