Ben Blushi
Megjithëse Donald Trump nuk ka shumë fantazi letrare, nganjëherë i nis postimet e veta bombastike, me togfjalëshin “Think of It”, që në shqip do ishte “mendo sikur”, pra “mendo sikur të ndodhte kështu”. Atëherë le të bëjmë një eksperiment logjik që nis me “Think of It”.
Mendo sikur nesër lufta mes Ukrainës dhe Rusisë përfundon me një armëpushim, i cili si fillim ndalon vrasjet dhe bombardimet në të dyja anët. Rusia merr përsipër të tërhiqet ushtarakisht nga territoret që ka pushtuar, me kushtin që Ukraina të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO, duke e sanksionuar neutralitetin e saj në Kushtetutë.
Pakicat ruse në Ukrainë, të cilat janë afro 8 milionë banorë, apo më shumë se 17 për qind të popullsisë, fitojnë një lloj autonomie kushtetuese bashkë me të drejtën e vetos, se Ukraina nuk mund të anëtarësohet as në BE, as në NATO pa miratimin e tyre.
Rusia njeh reparacionet e luftës, pra dëmet që i ka shkaktuar Ukrainës gjatë pushtimit dhe del garant se do rindërtojë zonat e shkatërruara dhe godinat që ka hedhur në erë. Europa dhe Amerika i heqin sanksionet Rusisë dhe Ukraina hyn në një fazë rindërtimi me kosto të përbashkëta të përballuara nga Europa, Amerika, Rusia dhe shumë vende të tjera. 6 milionë ukrainas që kanë emigruar, rikthehen në shtëpitë e tyre duke çliruar nga një barrë financiare edhe vetë Europën, që sot paguan për qëndrimin, strehimin dhe ushqimin e tyre.
Ukraina mban zgjedhje të lira, të çliruara nga dyshimet e ndërhyrjes ruse dhe blerjes së opinionit publik me fondet e USAID, që sot financon më shumë se 90 për qind të gazetave, portaleve dhe televizioneve të këtij vendi me paratë e taksapaguesve amerikanë.
Një pjesë e madhe e nëntokës së pasur të Ukrainës fillon edhe shfrytëzohet nga kompanitë e mëdha amerikane dhe europiane duke krijuar siguri, pavarësi, mirëqenie, taksa, vende pune dhe të ardhura, në një vend pothuajse të shkatërruar nga lufta, ku sot në 100 veta, 22 nuk punojnë sepse papunësia është 22 për qind.
Qytetarët europiane çlirohen nga rritja me tri herë e çmimeve të energjisë që nga dita kur për shkak të luftës, refuzuan të furnizohen nga Rusia me gaz, naftë dhe energji elektrike. Rusia dhe Ukraina bëjnë një marrëveshje afatgjatë mossulmimi me garanci amerikane dhe europiane dhe ndoshta edhe kineze të nënshkruara bashkërisht.
Rusia hap dyert për kompanitë amerikane dhe europiane, të cilat mund të shfrytëzojnë rezervat më të mëdha të botës në një territor prej 17 milionë kilometrash katrorë, që është pothuajse sa gjithë sipërfaqja e Amerikës dhe Europës së bashku.
NATO dhe Rusia arrijnë një marrëveshje të qëndrueshme çarmatimi, duke u kthyer nga armiq, në partnerë dhe duke negociuar eventualisht anëtarësimin e Rusisë në NATO dhe ndoshta më vonë edhe në Bashkimin Evropian.
Armët bërthamore reduktohen dhe shkatërrohen gradualisht dhe asnjë vend i botës nuk lejohet të pasurojë më uranium.
Think of it Nëse Rusia anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ky Union do ishte më i madhi që ka parë ndonjëherë historia. Bashkimi Europian me Rusinë do arrinte një popullsi më të madhe se 600 milionë banorë dhe një sipërfaqe që do shtrihej nga Portugalia deri në ishullin Sakhalin përballë Japonisë. Në gjithë këtë treg gjigant do kishte shumë lëvizje mallrash, shumë transaksione, shumë mirëqenie, shumë shpikje të reja dhe shumë më shumë vende pune se ç’ofron Europa sot për popujt e vet.
Evropa e sotme, e trembur dhe e terrorizuar do qetësohej nga paniku, herë pas here i shtirur, se Rusia kërkon ta pushtojë dhe vetë Rusia dhe shpëtonte nga paranoja se europianët e rinj duan ta shkatërrojnë, duke përfunduar një projekt kolonizimi që Napoleon Bonaparti dhe Hitleri nuk ia arritën dot. Liderët e dobët europianë, që ndryshe nga Napoleoni dhe Hitleri kërcënohen të humbin pushtetin çdo katër vjet, nuk do ëndërronin kurrë ta pushtonin Rusinë, pasi ajo do ishte pjesë e tyre njëlloj si Gjermania apo Franca.
Në këto kushte edhe Amerika, Europa dhe Kina e Rusia do ulnin shpenzimet e çmendura për armë dhe do investonin më shumë për teknologji, arsim, shëndetësi, infrastrukturë, demografi dhe bashkëpunim. Demokracia, të cilën evropianët e duan aq shumë dhe në emër të së cilës akuzojnë gjithë ata që nuk mendojnë si ata, do ishte një ‘state of art’ edhe në Rusi, pra një gjendje e përhershme e shoqërisë, e cila do respektonte opozitën, do garantonte shtypin e pavarur dhe do mbante zgjedhje të lira siç ndodh kudo në Europë.
Vendet e Europës Lindore do shpëtonin nga kërcënimi rus dhe Lituania, Letonia, Estonia bashkë me Finlandën do i mbanin kufijtë të hapur, pa pasur frikë se do pushtoheshin nga një aleat siç ndodh sot me Holandën dhe Belgjikën, që nuk flenë me frikën se në mëngjes do pushtohen nga Gjermania, megjithëse kjo ka ndodhur dikur.
Bashkimi i Madh Evropian do ishte një kooperativë popujsh, nga rusët deri te shqiptarët, të cilët pavarësisht nga madhësia, janë të barabartë në të drejta politike dhe kanë peshë të njëjtë vote në vendimet që merren në tryezën e përbashkët. Kur të votohej për Parlamentin Europian, një herë në katër vjet, do votohej njëkohësisht në Berlin, në Paris, në Athinë, në Oslo, në Moskë, në Prishtinë dhe në Tiranë dhe vota e monitoruar nga kaq shumë sy nuk do manipulohej dot, sepse kjo ndërhyrje të nxjerr automatikisht jashtë Unionit.
Paqja me Rusinë do ta qetësonte Ballkanin duke e bërë më të lehtë integrimin në Europë të popujve që jetojnë në këtë zonë, përfshi shqiptarë, serbë, boshnjakë, maqedonas dhe malazezë, të cilët janë ndarë dhe janë vrarë sa herë Europa dhe Rusia kanë dashur. Shqiptarët dhe serbët, do gjenin shumë më lehtë një marrëveshje, në kushtet kur Europa dhe Rusia janë bashkë dhe nga ky mirëkuptim asnjë popull nuk do fitonte më shumë se shqiptarët, të cilët kanë humbur sa herë kanë pasur Rusinë kundër. Bota do të ndahej në tri blloqe të mëdha, Amerika, Europa e Madhe dhe Kina. Në kuptimin strategjik, Rusia do shkëputej nga aleanca e sotme me Kinën dhe Evropa e Madhe do shpëtonte nga varësia ushtarake dhe politike e Amerikës, duke u bërë një superfuqi e barabartë me dy të tjerat.
Europa e Madhe, brenda të cilës do përfshihej edhe Ukraina, edhe Rusia, do të kishte një sipërfaqe më të madhe se Amerika dhe Kina së bashku dhe një popullsi dy herë më të madhe se Amerika dhe dy herë më të vogël se Kina. Pra, Europa e Madhe do ishte superfuqia me masën optimale, Optimum Superpower, as shumë e madhe, as shumë e vogël, por shumë e fortë, shumë e pasur dhe shumë e ditur. Demokratizimi i Rusisë dhe përfshirja e saj në Europën e Madhe do mbyllte shpejt edhe shumicën e konflikteve të sotshme të botës, aty ku Rusia çon armë, para dhe mbështetje politike për të balancuar ndërhyrjet e Perëndimit në këto zona.
OKB do çlirohej nga kundërshtia e përhershme, e përvitshme dhe e përjetshme e 5 anëtarëve të saj me të drejtë vetoje, Amerikës, Rusisë, Kinës, Francës dhe Anglisë dhe do kthehej në një qeverisje me qëllime globale siç edhe është konceptuar. Pa mbështetjen e Rusisë, Irani do demokratizohej menjëherë, ajatollahët do binin nga pushteti, vendi do hiqte dorë nga armët bërthamore, marrëdhëniet me Izraelin do normalizoheshin dhe çështja palestineze mund të zgjidhej pa gjak. Terroristët islamikë të gjithë botës, të furnizuar herë nga Irani, herë nga Rusia, herë nga Amerika do zhdukeshin nga faqja e dheut dhe në përgjithësi Islami do zbutej duke kërkuar një lider në një botë të rigrupuar, një lider që mund të ishte Arabia Saudite apo Turqia, apo të dyja bashkë. Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut mund të bashkoheshin, siç ndodhi 35 vjet më parë me dy Gjermanitë, të cilat u bashkuan kur Ronald Regani i tha Gorbaçovit, “Mr. President, Tear this Wall, (Rrëzoje këtë Mur)” dhe kur ky i fundit pranoi, me garancinë se NATO nuk do shkonte kurrë në Ukrainë, pra në kufi me Rusinë, siç për fat të keq ndodhi.
Në shumë vende të Afrikës, duke nisur nga Sudani, Mali, Burkina Fasso, Libia dhe Republika Qendrore Afrikane do pushonin luftërat civile të nxitura nga mercenarët rusë, të cilët kanë shkaktuar sa e sa grushte shteti duke nxitur rebelimin e ish-kolonive të varfra europiane. Luftërat në botë, të cilat në qind për qind të rasteve nxiten nga Amerika, Rusia dhe Europa do pushonin për një kohë të pacaktuar.
A janë rusët dhe ukrainasit europianë?
A janë kufijtë e Europës kulturorë, gjeografikë, fetarë apo etnikë?
A është krijuar Europa Moderne njëlloj nga Balzaku dhe nga Dostojekvsi, nga Niçja dhe nga Tolstoi, nga Gëtja dhe nga Pushkini, nga Pasternaku dhe nga Remarku, nga Mozarti, nga Verdi dhe nga Cajkovski, nga Goja, nga Picasso dhe nga Chagalli, nga Bertrand Rusell, nga Kandinsky, nga Kazanzaqis, nga Kamyja dhe Kundera, nga Sartri, nga Saramago dhe nga Solzhenicini?
Mendo se sikur
Ukraina dhe Rusia të jenë bashkë në Europë dhe në NATO. Në fund të fundit, a është kjo ajo që donte Ukraina?
A është kjo arsyeja pse deri tani aty janë vrarë gati 200 mijë njerëz? A është mbrojtja nga Rusia arsyeja pse u krijua NATO?
Mendo sikur një ditë armikun ta kesh mik. Mendo se si u ulën në një tryezë Gjermania dhe Franca që i vranë njëri-tjetrit disa herë më shumë njerëz se Rusia Ukrainës dhe anasjellas. Mendo sikur kjo të ndodhte prapë.
Think of It, sepse rruga tjetër do ishte një luftë mes NATO-s dhe Rusisë në Ukrainë. Think of It, sepse, meqë edhe Shqipëria është anëtare e NATO-s, në fushat e pafundme të Ukrainës do shkonin edhe fëmijët e Shqipërisë për të luftuar.
Për çfarë do luftonin fëmijët tanë me helmetat e NATO-s mbi kokë? Prandaj Think of It.
Nëse nuk doni t’i çoni fëmijët në Ukrainë, Think of It.