Revista Polis” ishte guri i parë i themelit të Universitetit Europian të Tiranës, që lindi edhe pak më herët dhe i parapriu ambicieve në sipërmarrje akademike të një grupi studiuesish të rinj. Botimi i dedikuar Humaniteteve numëron pas 17 viteve, 22 numra në gjuhën angleze, të dedikuara çështjeve dhe problematikave të shkencave të njeriut.
Me zgjerimin e ofertës akademike të UET, me pesë fakultete dhe disiplina e programe të reja, numri i ri i revistës shkencore të Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale i kushtohet pikërisht këtij të fundit: artit dhe kulturës në një botë në transformim.
“Është një numër shumë i veçantë, sepse kemi dashur të afrojmë artet dhe industrinë kulturore në revistën shkencore, u shpreh dekania e këtij fakulteti, Belina Budini, gjithashtu kryeredaktore e revistës periodike.
Dekania tha se fakulteti i drejtuar prej saj ka bërë një organizim të kërkimit shkencor, duke i dhënë fokus dhe hapësirë të dedikuar secilit prej departamenteve, nga Komunikimi, tek Edukimi dhe Artet.
Ajo i vlerësoi punimet në këtë numër, si prurje serioze dhe vlerësoi bashkëpunimin mes autorëve dhe atë ndërdisiplinor, nga psikologjia klinike, tek edukimi, informatika, komunikimi, artet dhe sportet. Dekania vlerësoi edhe rubrikën e shtuar mbi recencën e librave letrarë e filozofikë, duke e parë larminë dhe ndërthurjet disiplinore, si produktive.
“Revista në gjuhën angleze është sfidë dhe një lloj pengese, por në një botë të hapur dhe në transformim duhet t’i përgjigjemi kodeve, për një komunikim përtej kufijve”. Ajo çmoi edhe organizimin e revistave shkencore në UET. Në editorialin e saj, dekania Budini trajton diskutimin e hapur mbi aplikimin e nismave të artit dhe kulturës në kontekste të ndryshme, në përpjekje për tu lidhur me mjediset teknologjike, praktikat e komunikimit dhe çështje më të mëdha të politikës dhe shoqërisë. Drejtuesi i Departamentit të Arteve të Aplikuara, në UET, Ermir Nika e vuri theksin te mungesa e hapësirës së dedikuar artit në revistat shkencore.
“Për disa dekada nuk ka ndodhur që një revistë shkencore t’i dedikohet artit; as Akademia, as Ministria e Kulturës, as institucione me këshilla shkencore. Kjo ka sjellë tkurrje të mendimit kritik dhe shkencor për të mos analizuar, hedhur dritë e publikuar artikuj hulumtues dhe interpretues mbi dukuritë artistike që kanë ndodhur në Shqipëri, në 33 vitet e fundit, gjykoi Nika.
Ai tha se në këtë periudhë, ndryshe nga sa është paragjykuar se ka qenë në gjendje apatie, arti shqiptar ka repertor më të pasur, bashkëpunime më të zgjedhura dhe prezantime më të gjera të artistëve shqiptar në axhendën europiane të artit. Ajo që e dëmton këtë proces integrues është mungesa e kritikës, është i mendimit pedagogu dhe studiuesi.
Ai foli edhe rreth mungesës së monografive mbi emra të njohur të artit të shkruar, skenik, pamor e muzikor. “Mungon syri kritik dhe vetë industria artistike e ka dëmtuar. Edhe mediat kanë luajtur rol jo të mirë, duke i dhënë hapësirë spektakleve dhe komercialtietit. Ai kritikoi median, e cila i lë një hapësirë fragmentare dhe aspak prezantuese artit, që sipas tij është e lidhur ngushtë me median në tërësi dhe shtypin në veçanti.
Ai shprehu mendimin se në programet e reja doktorale i duhet dhënë rëndësi krijimit të kolanave me monografi e sprova të të gjitha disiplinave të artit.
“Ka përparim në art, por duhet të ndryshojmë mendësitë dhe këtë e bëjnë universitetet. Ai tha se ndryshimet e mëdha, politikat dhe strategjitë, në nivele institucionale nuk bëhen pa kapacitetet universitare, i bindur që kërkuesit shkencorë dhe aktorë të botës akademike duhet të organizojnë tryeza të përbashkëta me institucionet publike, për të nxitur mendimin kritik.
Një nga pikat që u diskutua në promovimin e numrit të ri të revistës Polis ishte edhe nevoja për themelimin e studimeve të reja për artin, në Shqipëri, me një fokus tek studimet kulturore.
Në këtë numër, një vend të veçantë zë vlerësimi i influencuesve të mediave sociale në Shqipëri, me një artikull të studiueses Irena Myzeqari. Ky studim ka për qëllim të kuptojë pse brezi i ri priret të ndjekë influencuesit në mediat sociale dhe të identifikojë tiparet më të dukshme që ata kërkojnë tek influencuesit specifikë. Nga përpunimi i të dhënave – përmes pyetësori të shpërndarë tek studentëet – rezulton se të rinjtë priren të shpenzojnë më shumë se tri orë në mediat sociale dhe janë të prirë të ndjekin ndikuesit e mediave sociale bazuar në mbi ngjashmëritë që ndajnë me ta. Një nga gjetjet më të rëndësishme është se të rinjtë nuk pajtohen fort me etiketimin e personazheve personazheve të reality shoë-ve dhe politikanëve si ndikues të mediave sociale.
Më afër temës së këtij numri, lidhur me artin dhe edukimin, kontributi i parë në këtë rubrikë vjen nga një grup studiuesish në fushën e psikologjisë klinike dhe regjisë filmike. Në këtë artikull, autoret Albana Xhemali, Elkjana Gjipali dhe Elona Hasko vendosin të analizojnë ndikimin e filmave vizatimorë shqiptarë në procesin mësimor, duke nxitur mendimin, imagjinatën dhe përdorimin e tyre si një mjet mësimor për përmirësimin dhe lehtësimin e zbatimit të kurrikulës parashkollore. Bazuar në një eksperiment të realizuar me fëmijë 4-6 vjeç në 4 institucione parashkollore publike dhe private në Tiranë, gjatë shfaqjes së filmave vizatimorë për fëmijë në gjuhën shqipe dhe të prodhuar nga institucionet publike artistike gjatë viteve ‘80- ‘90, u vu re se fëmijët ishin më të interesuar dhe të angazhuar për të diskutuar rreth temave të përmbajtjes së filmave vizatimorë.
Në artikullin Ndikimet e çrregullimit obsesiv-kompulsiv për shkak të situatës pandemike Covid 19 nga Dr. Dorina Xhani, MSc. Joida Porozaj, Dr. Brunilda Hoxhaj, Dr. Elsida Sinaj, Stela Kapo dhe Eneda Sala, autorët synojnë të eksplorojnë se si çrregullimi obsesiv-kompulsiv ndikon në aspekte të ndryshme të cilësisë së jetës si jeta familjare, marrëdhëniet shoqërore dhe aktivitetet e jetës së përditshme. Në artikullin Zhvillimi i të menduarit kritik tek nxënësit gjatë kodimit në lëndën Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit; Një rast studimi në shkollën e mesme Harif Halil Sulaj, Mamurras, nga M.Sc. Pranvera Krasniqi, AP. PhD. Tomi Treska , Doc.Anduela Lile, M.Sc. Andromeda (Keci) Lalaj, grupi i autorëve eksplorojnë mundësitë dhe këndvështrimet e ndërveprimit mes kodimit dhe inkurajimit dhe si ndihmojnë në zhvillimin e të menduarit kritik tek nxënësit e grupmoshës 15-18 vjeç. Një anketë në terren është realizuar nëpërmjet pyetësorëve dhe fokus grupeve, si për mësuesit ashtu edhe për nxënësit e një shkolle vendase dhe në fund është vënë re se futja e kodimit në kurrikulën e shkollës në arsimin e mesëm të lartë, ka një ndikim shumë pozitiv tek nxënësit.
Autorët japin disa rekomandime për të zgjeruar kurrikulën në përgjithësi për të përfshirë orët dhe algoritmet e kodimit, si dhe rritjen e orëve të TIK-ut për klasën e 11-të. Në artikullin për Inteligjencën e shumëfishtë dhe implikimet e saj në arsim, PhD. Etleva Haxhihyseni dhe PhD. Briseida Andoni synon t'i japë një përkufizim dhe kuptim inteligjencës së shumëfishtë dhe të identifikojë implikimet e saj në sjelljet e mira dhe edukimin. Artikulli është kërkim i literaturës në formën e një meta-analize në studimet pedagogjike dhe psikologjike. Një kontribut i Dorian Isufajt fokusohet në Menaxhimi efikas i qendrave të fitnesit, një hallkë e rëndësishme e sportit për të gjithë, që është një artikull përshkrues që paraqet gjendjen aktuale të qendrave të fitnesit në Shqipëri, menaxhimin dhe marketingun e tyre në përputhje me ndryshimet socio-ekonomike. që po kalon vendi ynë. Artikulli, Rruga drejt askundit: Njeriu i Borës e Loer Kumes, një analizë retorike, Dr. Klementin Mile zbaton metodën e analizës retorike për të vlerësuar në mënyrë kritike tregimin “Njeriu i Borës nga libri Amygdala Mandala i shkrimtarit shqiptar Loer Kume, fituesi i Çmimit Letrar Kadare, 2019.
Në të njëjtën mënyrë, me atë të esesë kritike, në artikullin Arti në rrethe të vogla, autorja Evi Veliu vlerëson në mënyrë kritike gjendjen aktuale të arteve në Shqipëri, veçanërisht të vendosura në hapësirën e qytetit. Sidoqoftë, kërkimi i saj është më shumë një përpjekje thelbësore dhe konceptuale në përpjekjen për të zbuluar vërtetësinë dhe poezinë e brendshme emocionale përmes artit, në një kontekst krijues. Në artikullin e tij mbi Këndvështrime në letërsinë shqipe për fëmijë, Dr. Ermir Nika ofron një vështrim retrospektiv përshkrues të periudhës pas epokës së re, kur traditat gojore dhe përrallat u bënë burimi kryesor i temave. Për sa i përket letërsisë shqipe për fëmijë gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, në vazhdën e kontributeve të shumta shoqërore, politike dhe kulturore të ndërmarra nga protagonistët e kësaj lëvizjeje, Nika pohon se është bërë një punë shumë e dobishme për hartimin e teksteve shkollore për shkollat shqipe. Në këtë rubrikë për letërsinë dhe artin, artikulli i fundit, ai i Dr. Denis Bizhga, sjell një kontribut mbi këngët epike legjendare në traditën homerike të poezisë epike dhe ndërthurjen e saj në letërsinë e shkrimtarit më të shquar shqiptar Ismail Kadare.
Artikuj nga studiues të rinj, studentë Master Shkencor, përbëjnë një pjesë të rëndësishme të këtij numri të” Polis”, në traditën më të mirë të bashkëpunimit mes studentëve dhe drejtuesve të tyre. Ndaj, studiuesja Xhois Kuta në artikullin e saj Gjuha e urrejtjes dhe ndikimi i saj në të rinjtë shqiptarë, fokusohet se si gjuha e urrejtjes prek të rinjtë shqiptarë. Autori identifikon një mungesë informacioni për gjuhën e urrejtjes dhe të rinjtë (studentët) nuk dinë të identifikojnë se çfarë mund të jetë gjuhë urrejtjeje apo jo dhe për rrjedhojë ata nuk janë të aftë për të menaxhuar rastet e gjuhës së urrejtjes, e cila ndikon në mirëqenien e tyre emocionale dhe jetën e tyre të përditshme.
Në artikullin "Media online dhe etika e transmetimit", studiuesi Xhejson Zogu sjell një sintezë të tezës së tij në etikë lidhur me median online dhe transmetimin. Studimi i tij përpiqet të analizojë përmbajtjen joetike të transmetuar, ose në internet përmes një qasjeje sasiore dhe cilësore. Në këtë seksion kushtuar kërkimit të studentëve, është i përfshirë një punim i Eriklenta Ymerit me temë Diplomacia publike si komunikim politik në Shqipëri.
Në rubrikën e recensioneve të librit, autori Dritan Idrizi sjell në diskutim Metamorfozën e një kryeqyteti të shkrimtarit dhe autorit të mirënjohur shqiptar, Ylljet Aliçka. Mbi librin Tri format e mendimit të autorit kërkues Arben Imami, studiuesi Dorian Sevo (PhD), vlerëson se ky libër është një vepër me interes jashtëzakonisht të lartë, e cila i ka munguar teksteve universitare dhe veçanërisht u drejtohet studentëve të filozofisë.