Sipas Institutit të Statistikave të Shqipërisë, 75 përqind e popullsisë shqiptare jeton në zona rurale. Duke pasur parasysh se sistemi mjekësor është më i avancuar në zonat urbane, banorët që jetojnë në këto zona kanë akses më të mirë në shërbimet mjekësore, përfshirë shërbimet fizioterapeutike, krahasuar me ato rurale. Në një studim nga fillimi i viteve 2000, Projekti Shqiptar i Reformës në Shëndetësi doli në konkluzion se edhe në Tiranë, 21 përqind e popullsisë rurale nuk ishin të regjistruar në një qendër shëndetësore dhe disa nuk kishin mjek familjar. Projekti pati si qëllim që, deri në vitin 2006 të krijohej një rrjet i shëndetit në komunitet e punëtorëve, në zonat rurale. Njëzet e dy vjet më vonë, qytetarët dhe pacientët në zonat rurale, vazhdojnë të kenë akses të kufizuar në shërbimet e Kujdesit Shëndetësor Parësor.
Në disa raste, sipas Institutit Zviceran të Shëndetit Tropikal dhe Publik (organizata që vlerëson Procesin e akreditimit të Qendrës së Kujdesit Shëndetësor, në Shqipëri) shumica e banorëve ruralë vuajnë nga sëmundje më kronike dhe akute, për shkak të punës së rëndë dhe faktorëve të tjerë socio-ekonomikë. Një nga këto, është osteoartriti. Kjo sëmundje degjenerative e kyçeve është një çështje e zakonshme shëndetësore, e cila trajtohet nga fizioterapisti. Sipas një studimi, mbi karakteristikat socio-ekonomike dhe demografike të pacientëve me osteoartrit, në Shqipëri, rezulton se ka një lidhje të gjinisë femërore me vendlindjen rurale. Gjithashtu sipas Fondit të Kombeve të Bashkuara për Aktivitetet e Popullsisë, çështjet muskuloskeletore janë shkaktarët e pestë kryesorë të sëmundshmërisë, në Shqipëri. Për shkak të dominimit të popullsisë rurale dhe mungesës së shërbimeve të larmishme të mjekësisë, në këto zona ka më shumë pacientë që kanë nevojë për terapi fizike. Edhe pse numri i studimeve në lidhje me këto tema janë të ulëta.
Nga data 17 janar 2022 deri më 5 korrik 2022 sipas portalit “Infermierët për Shqipërinë” - i cili gjithashtu jep mundësinë e ofrimit të punësimit për të gjithë profesionistët teknikë mjekësorë-, janë të punësuar 422 infermierë, 3 fizioterapistë, 2 teknikë laboratori dhe 2 teknikë imazherie në të gjithë Shqipërinë, duke lënë një çekuilibër të rëndë në shkallën e punësimit të stafit multidisiplinar.
Studimi i botuar në numrin e ri të revistës MEDICUS,përfshiu 490 subjekte, 230 meshkuj dhe 260 femra nga mosha 18 deri në mbi 80 vjeç; të gjithë jetojnë dhe marrin shërbime mjekësore në mjedise dhe prejardhje të ngjashme. Të dhënat u mblodhën duke përdorur pyetësorin Google Forms, të shpërndarë në popullatën e synuar dhe me intervista në terren me stafin dhe pacientët e “Qendra Shëndetësore NR1, Karbunarë e Madhe, Lushnje”. Pyetësori përfshinte 10 module me pyetje të thjeshta të cilat fokusoheshin te çështjet muskuloskeletore, të raportuara nga subjektet, në 3 muajt e fundit, njohuri mbi trajtimet fizioterapeutike, efektet e mungesës së shërbimeve fizioterapeutike pranë komunitetit, si edhe opinioni i tyre për përfitimet e prezantimit të këtij shërbimi në komunitet.
Nga analizimi i të dhënave nga pyetësori rezulton se, 65 përqind e popullsisë së përgjithshme kishin vuajtur të paktën një problem muskuloskeletor gjatë 3 muajve të fundit. Nga 320 subjekte që kishin këto problematika, vetëm 6 përqind iu ishte rekomanduar të vizitonin një fizioterapist. 49 përqind e të gjithë popullsisë kishin dijeni për shërbimet fizioterapeutike, 91 përqind e popullatës preferon të ketë akses në shërbimet fizioterapeutike në qendrat shëndetësore dhe 81 përqind pohuan se, udhëtimi në zonat urbane ishte shpenzim shtesë për kujdesin e tyre shëndetësor. Shqipëria është ende në procesin e reformimit të sistemit të saj mjekësor dhe shërbimet fizioterapeutike shihen ende si shërbime dytësore. Kjo nuk do të thotë se nuk ka vend për përmirësime në të ardhmen, duke parë modelet e vendeve më të zhvilluara.
Fizioterapia i është prezantuar shoqërisë njerëzore, që në vitin 460 p.e.s., nga mjekë si Hipokrati dhe më vonë Galeni. Të dy praktikonin terapi fizike duke përdorur masazh manual dhe hidroterapi, për të trajtuar pacientët.
Në ditët e sotme Fizioterapia është një shkencë e njohur e rehabilitimi dhe numëron më shumë se 650,000 profesionistë sipas faqes së internetit WORLD PHYSIOTHERAPY. Aktualisht në Shqipëri në 5 vitet e fundit janë 1270 fizioterapistë të licencuar, sipas Urdhrit të Infermierisë së Shqipërisë dhe një pjesë e tyre, ofrojnë shërbimet e tyre në spitale, qendra shëndetësore dhe ambiente private kryesisht në zonat urbane.
Në konkluzion, popullata e subjekteve të përfshira në këtë studim mund të përfitojë duke pasur shërbimet fizioterapeutike pranë objekteve të tyre shëndetësore lokale, duke parë përqindjen e lartë të subjekteve që vuajnë nga një formë e problemeve muskuloskeletore.
Nga ana tjetër, shohim një përqindje të ulët të këtyre subjekteve që e marrin këtë shërbim apo që janë të vetëdijshëm se ekziston. Duhet të kryhen studime të mëtejshme, në zona të ndryshme të Shqipërisë, për të të përcaktuar më tej nevojën për këto shërbime dhe si mund të zbatohen ato.
Qëllimi i këtij studimi ishte verifikimi i nevojës për shërbimet e fizioterapisë, në Shqipërinë rurale dhe periferike, bazuar në nivelin e njohurive për këtë popullatës për shërbimet mjekësore, përfitimet e ofruara nga fizioterapia dhe niveli i pacientëve me probleme muskulo-skeletore, që asnjëherë ka marrë shërbime të tilla.
*Marrë me shkurtime nga studimi “Nevoja për shërbime publike të fizioterapisë, në Shqipërinë rurale dhe periferike”, nga pedagogu Kristi Çela, botuar në MEDICUS.