Nga Enkelejd Alibeaj
Që prej ardhjes në pushtet të sektit të Rilindjes 10 vite më parë, Durrësi dhe i gjithë vendi ka rënë në kolaps.
Edi Rama dhe qeveria e tij, së bashku me bashkiakët që ka katapultuar në të gjithë vendin, me dakot dhe me sakot, kanë sjellë papunësi, kanë sjellë shpopullim, kanë sjellë padrejtësi, kanë sjellë korrupsion, kanë sjellë skamje. Ata i mbajnë të mbyllura dyert e bashkive për qytetarët, sepse i mbajnë të hapura për klientët. Për klientët, ata që paguajnë nën dorë, ata me të cilët bëjnë biznese të paligjshme, kundër interesit publik dhe shpeshherë kriminale.
Pushteti i Rilindjes, në thelbin e vet, në bërthamën që e mban, në embrionin që e lind, është thjesht dhe vetëm klientelizëm. Ky klientelizëm po ia merr frymën biznesit, po i dëshpëron punëtorët, po i asfikson të rinjtë, po i lë mes katër rrugëve të moshuarit. Ka vetëm një rrugë për të dalë nga ky kolaps dhe për t´u rimëkëmbur: Partia Demokratike, alternativa që i jep frymëmarrje Shqipërisë! Por e dimë që nuk është e lehtë, e dimë që rruga jonë nuk është e shkurtër drejt fitores përfundimtare, sepse përballë nesh qëndron një regjim.
Një grua e Këshillit Bashkiak të Tiranës, një grua që përfaqësonte Rilindjen aty, rrëfente, në konfidencë, në evente ku njerëzit flasin lirshëm dhe thonë të vërtetën, se në lagjen e deleguar nga partia arrinte të merrte saktësisht aq vota sa i kishin thënë se kishte. Asnjë më pak, asnjë më shumë. Për tri palë zgjedhje rresht. Si ka mundësi? Edhe enë kuzhine të ishin, prapë do të mungonte ndonjë, por po flasim për njerëz të gjallë, me vullnet të lirë për vendosur.
Këshilltarja e Rilindjes e rrëfeu edhe marifetin. Kapnin njerëz me influencë në zonë dhe bënin marrëveshje me ta. “Çfarë do, para? Ja ku i ke.” “Çfarë do për biznesin tënd, do të mos paguash asnjë taksë? Pa problem.” Por kishte raste kur njeriu me influencë, ai që sillte saktësisht aq vota sa premtonte për Rilindjen, kishte ndonjë hall me drejtësinë. “Nuk dua as para, as heqje taksash, as tender. Kam vëllanë në burg. – Pa problem, e nxjerrim.” Dhe partia kap drejtësinë, e zbaton ligjin në mënyrë selektive, disa të nënës e disa të njerkës, e vjedh shtetin me evazion, me tender, me konçesion, në partneritet jo me qytetarët e ndershëm që punojnë, por me kriminelët dhe oligarkët që ua marrin punën.
E pra, a nuk është ky regjim? Po, është e vërtetë, që ndryshe nga Putini në Rusi, Edi Rama nuk vret dhe burgos gazetarë, por ama mbyll emisione investigative. A e mbani mend iniciativën e një grupi gazetarësh e aktivistësh për të bërë një dokumentar për vrasjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin çnjerëzor të Sharrës? Ajo iniciativë u shua dhe zëri iu hesht, sepse aty implikohej Veliaj, kryeçiraku i regjimit. A është ky regjim? Aleatët perëndimorë të Shqipërisë, ata që na udhëheqin drejt vlerave të lirisë dhe demokracisë, të qytetërimit euroatlantik, kanë shpallur zyrtarisht non grata 6 qytetarë shqiptarë, midis tyre dhe ishkryetarin historik të Partisë Demokratike, Sali Berishën.
I kanë shpallur non grata me akuza të qarta, duke treguar se si e kanë dëmtuar interesin publik dhe vlerat demokratike këta njerëz. Por, askush nuk i prek, drejtësia nuk merret me ta. Dhe e dini pse? Sepse i mbron Rama. A është ky regjim? Policia është tërësisht e politizuar, ka vetëm një parti në të gjithë pushtetin lokal. Ngrihen borde, si ai i karburanteve që nuk sheh nga tregu ndërkombëtar, por nga shkelja e syrit të kryeministrit për të vendosur çmimin dhe majmur oligarkët në kurriz të shqiptarëve.
Paratë e buxhetit të shtetit, të ndihmës sociale dhe fondet e rindërtimit e përdoren për të blerë vota. A është ky regjim? Për të qenë të ndershëm e të vërtetë, regjimi i Ramës dallon nga regjimi i Putinit. Vladimir Putini i kontrollon vetë oligarkët e tij, Edi Ramën e kontrollojnë ata. Për oligarkët e vet Rama bën ligje të posaçme, miraton projekte madhore, i konsideron investitorë strategjikë. Por të gjithë e dimë se aty fshihen vetëm interesat korruptivë të një grushti njerëzish që vazhdojnë ta kafshojnë këtë vend nga bregdeti në mal.
Ky është regjim. Shikoni se ç´bën Rama: në posterin e madh të fushatës nxjerr veten përballë Sali Berishës dhe Ilir Metës. Këta janë kundërshtarët e tij? Jo. Këta janë oksigjeni i tij. Me kundërshtarë të tillë Edi Rama nuk ka garë fare, prandaj i ka zgjedhur në poster. Sepse në regjimin e tij, ai nuk kërkon të kontrollojë vetëm median, gjyqësorin, policinë, biznesin, pushtetin vendor, por kërkon ta caktojë vetë edhe opozitën. Kam folur shpesh për trekëndëshin Rama-Berisha-Meta.
Siç e keni parë, prej një viti e gjysmë, e kanë sulmuar të tre Partinë Demokratike, herë fshehurazi, herë haptas, por gjithmonë të koordinuar bashkë. Sepse gjërat që i bashkojnë janë më të mëdha se ato që i ndajnë. I bashkon korrupsioni i 30 viteve në pushtet, prandaj e mbajnë njëri-tjetrin në politikë. Rama Berishën, Berisha Metën, dhe të dy Ramën. A do e ketë një fund ky regjim? Patjetër që po. Por, për ta rrëzuar Ramën nuk mjafton të thuash “Rama ik!” apo të mburresh se do e largosh për dy javë, për një muaj, apo për 37 ditë. Për të rrëzuar një regjim si ky i Ramës duhet opozitë tjetër nga ajo e posterit.
Shqiptarët, masivisht, e urrejnë opozitën e posterit dhe kërkojnë opozitë të pastër. Shqiptarët, masivisht, janë kundër berishizmit dhe kërkojnë euroatlantizmin. Shqiptarët nuk e duan Ramën, por aq më pak duan Sali Berishën dhe Ilir Metën. Regjimi i Edi Ramës do të marrë fund jo kur të ikë Edi Rama, por kur të ikin arsyet pse vazhdon të rrijë aty Edi Rama: Berisha dhe Meta, aleanca e tyre laramane, kuq e blu, mezogishte.
Regjimi i Edi Ramës do të marrë fund kur të ketë përballë një opozitë jo thjesht të rinovuar, por një opozitë me moralitet dhe popullaritet të lartë. Një opozitë të gjerë, të unifikuar dhe qartësisht e pa kompromis euroatlantike. Regjimit të Edi Ramës do t´i japë fund Partia Demokratike!