Enkelejd Alibeaj ka folur hapur për rezultatin e zgjedhjeve dhe rolin e tij si pjesë e opozitës. Në një deklaratë të sinqertë, ai e ka pranuar se misioni i tij nuk pati sukses.
“Rezultati që kam marrë unë është dështim. Kontributi im do të ishte i suksesshëm nëse do të arrinim një situatë ku Rama nuk do të ishte kryeministër,” tha Alibeaj.
Ai ka theksuar se nuk ka bërë premtime të mëdha gjatë fushatës, por synimi ka qenë ndryshimi. Duke analizuar shkaqet e humbjes, ai u ndal te mënyra si u zhvilluan ngjarjet brenda opozitës.
Sipas tij, në 26 korrik të vitit të kaluar, Sali Berisha i dorëzoi Ramës avantazhin që ky i fundit kërkonte.
“Gjatë kohës që unë isha përfaqësues i opozitës, kërkesat e Ramës ishin të qarta: më jep primin. Nuk kishte asnjë shans ta merrte. Erdhi Berisha dhe ja dha. I kam thënë dhe më parë, 12 mandate iu dhanë në tavolinë,” shtoi ai.
Alibeaj theksoi se rezultati final i dha Ramës më shumë mandate sesa logjikisht i takonin. Sipas tij, kjo krijoi perceptimin se “loja ishte e shitur” dhe qytetarët nuk janë aq të verbër sa të mos e kuptojnë këtë.
Ai përmendi edhe partitë e reja, duke theksuar se rreth 170 mijë vota shkuan për to, përjashtuar Tom Doshin, për të cilin Alibeaj tha se “nuk është as parti e re dhe as e vogël”, duke e akuzuar se përdor të njëjtat mjete si Rama dhe Berisha.