Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha të premten se Bashkimi Evropian duhet të ofrojë integrimin e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, deri në vitin 2033, në atë që ai e quajti një "hap të guximshëm, por të domosdoshëm".
Pushtimi rus i Ukrainës i ka dhënë një qasje të re dhe urgjente nevojës për të lidhur Malin e Zi, Serbinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjën dhe Kosovën më afër 27 vendeve anëtare të BE-së , pjesërisht për të kundërshtuar rritjen e ndikimit rus dhe kinez në rajon.
Lidhja mund të përfshijë anëtarësim të plotë ose diçka alternative.
Në një artikull të botuar në Politico përpara një samiti në Greqi të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), Mitsotakis tha se BE-ja duhet të provojë se kur "përcakton një vizion, ajo ka synimin dhe kapacitetin për ta ndjekur".
Vizioni i pranimit në BE për rajonin, tha ai, është bërë “i paqartë, duke u zbehur në sytë e qytetarëve të frustruar dhe të zhgënjyer” pasi zgjerimi i BE-së ka ngecur vitet e fundit për shkak të shqetësimeve të sigurisë, qeverisjes dhe migrimit.
Një samit BE-Ballkani Perëndimor është planifikuar të mbahet më 23 qershor, ku Shqipëria pret çeljen e negociatave.
“Mesazhi im sot është i qartë: në përputhje me kriteret e përcaktuara, le të ofrojmë integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor në BE deri në vitin 2033 - një afat kohor ambicioz por i arritshëm. Procesi sot është shumë e vonuar,” tha Mitsotakis.
“Hapi i parë duhet të ketë një vendim brenda dy javësh në Bruksel, për të zhbllokuar rrugën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë".
Mitsotakis nënvizoi se Greqia është përpjekur të rrisë rolin e saj në Ballkan, pasi ka dalë nga një krizë financiare që njollosi disi rolin dhe imazhin e saj në Ballkan.
Sakaq, Kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili të premten fillon një turne dy-ditor në Ballkanin Perëndimor, pritet gjithashtu të udhëtojë mbrëmjen e sotme në qytetin verior grek të Selanikut. /Liberale.al