Aktualitet

Misha

Shkruar nga Liberale

Vladimir Myrtezai

Tre vdekje radhazi një kohë të shkurtër. Isha bërë si një stacion mes jetës dhe vdekjes. Po largoheshin me ngut e beftë njerëz me të cilët kisha ndarë një copë të rëndësishme të jetës. Vala e goditjes në radhë të shpeshtë më kish krijuar një ndjesi nga ato ku më dukej se Zoti po më vinte në një provë të hidhur, duke më detyruar të dukesha si njeriu që sapo kish pranuar pa fjalë e pa u ankuar çdo gjë; që braktiste kohën kalendarike dhe futej në një udhëtim që ngjante me një kasafortë ku rindërtoja jetën e përtejme të miqve të mi, duke u mbajtur fort e stoik përballë fundit të të shumtëve që po dëshmoja.

Tashmë endesha heshtur e shpenguar më shumë si një bartës i kobshëm përjetimesh që nuk më lëshonin, paçka se dukesha i qetë ...si një vrasës i heshtur. Jeta është e çuditshme, arrogante dhe e pacipë, ku përgjatë një kohe të shkurtër të krijon një gjendje bashkëjetese me hidhërimin dhe pengun. Një prani pa kusht dhe e ndikuar kaq shkurt, saqë fillova të mendoj se si mund të biesh dakord me dorëzimin, si një status në kufirin ndarës mes jetës dhe vdekjes.

E veçanta e kësaj ndjesie ishte se vetë qenia njerëzore krijonte barrierën e vet të heshtur, si një lloj instinkti vetëmbrojtës, ku jepte shenja të një lloj mazokizmi dhe katarsisi njerëzor, duke u përthyer ndaj fatit përzgjedhës në një mënyrë që nuk të linte kohë as për të rrafshuar e ringritur një qarje të gjatë, nga ato që të lan e lehtëson shpirtin.

Po kuptoja se brenda meje po rritej një përmasë e re e përzier e njeriut që përpiqej të dukej i pandjeshën me pamje indiferente dhe aspak i lëshuar; një model force që të ndillet në një çast vetëmbrojtjeje e fatal.

Dalëngadalë humba raportet me frikën, duke i mbushur mendjen vetes se jam një burrë i pjekur dhe i përmbajtur me fatin. Mendoja se jeta ka ulje-ngritjet e saj dhe ne ishim elementë që duhej të përballonim çdo rrebesh për tu dukur normalë me egërsinë e pashmangshme për të qenë në jetë.

Ja ku gjendem në radhë me shumë njerëz, në një procesion varrimi. Ishte një sallë e ftohtë, nga ato standard, që ambicia njerëzore e kish përkryer në dhunën e saj komerciale: një shumë detajesh kitch që duket sikur e favorizon lehtazi përcjelljen e një njeriu. Nga vendi që kisha zënë më kalonin përpara fytyra të njohura e ngushëlluese. Shpesh ndiehesha i kontraktuar. Shumë njerëz nuk i njihja dhe më duhej të zgjidhja një model formal sjelljeje, gjë që e kam gjithnjë të vështirë dhe qasem keq.

Misha ishte tashmë i shtrirë në arkivol me një rexë të bardhë mbi krye. Ndiehej se ishte në paqen e amshimit dhe nuk i interesonte asgjë përreth. Raporti im me vdekjen ka një veçori që më bën të ndiehem i qetë, sepse më duket se isha zgjedhja më e mirë për të dashur disa lloj njerëzish që nuk e di se pse më rrinin në cip të ndërgjegjes, si një varësi e pashmangshme dhe e zgjatur. Nuk ka të bëjë me llojin e personit, për nga të ashtuquajturat vlera njerëzore, apo për lloje përkufizimesh që ata marrin në jetë, jo. Ka të bëjë me dhuntinë time të heshtur për të dashur”egër” në kohën e pamjaftueshme, që për ata është një akt vërtetimi për këtë ndjesi të fshehtë; një lloj dhuntie që isha i prirë të ndihesha njeriu që di të mbajë gjatë në vetvete,fshehur përtej kohës fizike dhe mistike bashkë; një lloj aftësie që më bënte të mendoja se njerëzit që kisha dashur pa kusht më ngjiteshin si të pandashëm për shkak të kësaj jetëgjatësie të përtejme në peshëmbajtje. Si për çudi ishin njerëz pa statuse të veçantë, por, kushedi për ç’arsye jetonin gjatë në gjalljen dhe në mendimet e mia. Ndoshta ngaqë kisha kohën e mjaftueshme, ose e krijoja atë kohë të padukshme për të dashur në mënyrën time ata që nuk do ta besonin kurrë këtë akt përjetësie. Ishin njerëz jo të zhurmshëm, jo egoistë; njerëz në rrjedhë me të gjitha ashklat e mungesës njerëzore mbi trup, me cenet e tyre dhe vogëlsitë e mrekullueshme; njerëz që i takon përditë në rutinën e zgjatur e të pamundur në “aftësinë” për të qenë interesantë. Por, njerëz të vërtetë. Bëhet fjalë për atë lloj humusi që bën rrjedhën e madhe e të zakonshme të jetës mbi dhé. Mbase fokusi im mbi këto figura vjen nga një lloj tripli në vazhdë, për t’u treguar se shpesh e më shpesh unë jam një qenie allasoj, që kam mbulesën time të zgjedhur në pamundësinë që ata të kuptonin se ishin caku im i dëshiruar.

Mbi kryet e arkivolit sapo ishin ndezur disa qirinj të hollë, të cilët i shpërndau Monika, bashkëshortja ime, që përbën një tjetër gropë në jetën time, të cilën më duhet ta mbuloj me akte mirësie, për t’i hequr me sa mundem trishtimin e për t’i rikthyer buzëqeshjen dhe qetësinë e duhur. U krijua një mjegull e lehtë që e përbashkoi aktin e ritualit në një zgjim gulçues, pasi nxiti një lloj efekti që gratë të kryenin ritualin e ndarjes fizike me të ndjerin. Ishte një moment frymëmarrjeje që dukej se po dekonspironte gjithë çfarë po mendoja në heshtje. Diku u ndie një gulç qarës, më tej dhe disa lëvizje njollash të zeza që hepoheshin mbi arkivol. Sikur u ndez dhe u bë më i dukshëm çasti i ndarjes: njerëzit e dashur po bënin takimin e fundit me të. Motra e Mishës ishte në një gjendje të papërcaktuar mes dëshpërimit dhe dhimbjes; dukej që po provonte peshën e një përjetimi që me siguri do t’i qëndrojë gjatë mbi lëkurë. Aktet e tjera që e rrethonin të ndjerin ishin çështje ceremonie dhe rregulli. Më pas mbërritën kurorat në një përkujdesje të njohur, për t’u dukur se kjo ceremoni kishte nivelin e duhur formal.

Nuk lëviza nga vendi. Isha i gjithi sy e veshë për të fiksuar këtë moment, që sa herë ndodhte kisha njëfarë tërheqjeje, nga ato të sheshtat, si të palexuara, që të mos më shpëtonte as dhe një detaj nga kjo përmortje. Të fundit që nuk u shkëputën dot nga kjo përcjellje ishin im bir dhe Monika. E kuptoja që im bir ishte i tronditur, por isha po aq i bindur se ende nuk e kishte kuptuar realisht se çfarë kishte ndodhur. Në gjuhë trupi ishte i qëndrueshëm, në një sforcim të dukshëm për të gjetur aktin e duhur në dhënien e një lamtumire.Ishte goditja e parë nga një ndarje. Misha ishte miku më i afërt i tij, ai që e kish rritur, gjyshi. Ndiente nevojën e një shpërthimi, por nuk kishte “veshjen” e duhur për të shprehur dhimbjen që ushqente. Në një zonë të papritur për të i fliste lehtë të ëmës duke i pohuar se gjyshi Misha tashmë shpëtoi. Ka nevojë të pushojë.Po vetëngushëllohej,po zbuste goditjen psikollogjike që e kishte mpirë të gjithin.

Nër kohë më mbrrin një mesazh në boxin tim .Ishte i riu i Kazazve një nga nipat e gruas së Mishës.

:-Mos u shqetëso për asgjë më tha do i mbyll unë të gjitha çfarë duhet në ceremoninë e Mishës.

U ndjeva i përkrahur si një fëmijë pasiqë mu duk se Ivi ishte rritur burrëruar dhe merrte peshë në ngjarjen e një njeriu që e kishte dashur.

Fisnik mendova, me idenë se mbi tokë kishte ende njerëz mirënjohës e të ndjeshëm.Gjeste burrash soji.Një ngjarje që e rriste dhe i jepte përmasë pjesës së padukshme të tij.Kisha tërheqje nga gjestet e nëndhëshme që kishin të bënin me një të kaluar që nuk e harronin lehtë në raport me rritjen e tyre.

;- Ta kam borxh.. thashë vet me vehte.

Përkalimi i përcjellësve u krye lehtësisht. Më pas u dëgjua karikatori i dyerve të makinave për të drejtuar procesionin drejt varrezave të Sharrës.

Ishte mesditë. Pluhur e kaos në një qytet të patrajtë, ku zhurma dhe befasitë e lëvizjes së njerëzve në rrugë mbretëronin lirisht në një mbamendje në shkrumb të lartë energjish si pa destinacion. I vetëm në gjuhë vizuale ishte kortezhi, që dukej se rregullonte kaosin, për shkak të gjarpërimit solemn e të avashtë. Isha ngjitur në kryeradhë, pranë makinës së funeralit. Më takonte të isha fare pranë Mishës. Kisha një rrezatim të pafjalë me të. Kurrë nuk i isha dhënë në një kuptim të gjerë e burrëror, sepse më vinte keq ta ngarkoja me halle njerëzore, ngaqë e dija se i përtypte keq e me vështirësi dhe përfshihej me zell. E kujtoj si një njeri të thjeshtë, në ekuilibër natyror. Misha ishte një njeri i mirë me limitet e tij, i pakursyer në kontributet ndaj njerëzve; një burrë i rrallë për nga mënyra se si realizohej në të përditshmen. Një konservator tipik.

Kishim disa pikëtakime ku vrojtoheshim, ose më saktë e vrojtoja unë si fshehtas. Një burrë çudi që pleksej në halle të vogla të përditshmërisë së tij. Bënte punë të padukshme e rutinë, nga ato që duket sikur mbushnin boshllëqe kohe, që nganjëherë njerëzit nuk i konsiderojnë si punë të vërteta burrash. Ishte një shkja i mirë e herazi i dilte ndonjë venë e rodit të tij. Shpesh ndiehej në pista të një paraleleje të fshehtë për popujt sllavë. Ndjente si ndrojtje dhe zhburgosej nga vendodhjet e tij të fshehta kur i pohoja se më pëlqenin serbët, më dukeshin një popull civil dhe i mbijetuar përmes historive të dëgjuara, filmave apo këngëtarëve folk. Më vështronte pa më besuar deri në fund, sepse e kuptonte që unë isha një bazament provokues dhe doja të zbuloja thellësi, nga ato të padukshmet. Por, nuk ishte ashtu siç më mendonte; kisha bindjet e mia të provuara në rrugë të tjera, që ai nuk i kuptonte dhe nuk përpiqej, pasi i dukesha një stacion i largët në bindjet dhe marrëveshjet e mia me botën.

Misha gëzonte një zgjuarsi natyrale që i jepte mundësi të përshtatej në çdo rast.

Më kujtohet takimi i parë më të. Në atë kohë takohesha me vajzën e tij, me të cilën kishim një diferencë të madhe në moshë. Me sa duket, ngaqë banonim afër njëri-tjetrit, kjo lidhje, që nuk përpiqesha ta fshihja, ishte bërë e njohur në familjen e tyre, dhe e kuptoja që ndjeheshin në siklet, si çdo prind.Për shkak të profilit tim disi të dyfishtë e me lëvizje të befta. Një nga ato ditë i thashë Monikës se dua të takohem me babanë tënd. Unë isha shumë i ndjeshëm, pasi isha rritur mes tre motrash. E merrja me mend se çfarë bluhej ndër ta dhe po kërkonin piketa njohjeje.

Ishte një mbrëmje e freskët vjeshte me disa shira marroqë, nga ata të beftët që bien në Tiranë. Lamë një takim në orën 19:00 te Hotel Dajti, ku sapo qe hapur një birrari me birra gjermane.

Misha erdhi në takim në orar, me një veshje të thjeshtë, këmishë të bardhë dhe pantallona xhins. Ishte një takim disi emocionues edhe për mua, pasi kisha gjithë jetën time që iu shmangesha këtyre takimeve, ku palët i mbërthen një vëmendje hetuese.

I dhamë dorën njëri-tjetrit dhe u akomoduam ballë për ballë. Kishte një refleks ngjashmërie me tim atë te goja dhe te nofullat; një ngjashmëri e beftë që më asociohej edhe me të bijën, që edhe ajo kishte një lloj ngjashmërie në gjuhë trupi dhe mishi me një nga motrat e mia në rini. Një paqëndrueshmëri virile e palexueshme që nuk të lejonte të depërtoje lirshëm brenda saj.

U prezantova duke i thënë se jam filani, punën që kisha dhe një lloj profili që të mos trembej, sepse për nga veshja kisha shijet e mia që binin në sy e kushedi si më mendonte.

Teksa fliste kishte një dridhje të lehtë në duar dhe në buzë, por e çlirova shpejt, pasi rrëkëllyem nga një birrë të madhe.

Mbasi u orvatëm për disa minuta rreth bisedave që nuk kishin të bënin me qëllimin e atij takimi, i thashë lirisht e hapur:

– Ma fal vajzën që ke! Do të ta mbaj mirë.

U mendua për pak çaste dhe më tha shkurt:

– Ta kam falur, bre!

Në fakt, nuk kish nga shkonte, se çfarëdo që të thuhej, kish ndodhur; vetëm po formalizonim një lidhje, që të dyja palët të silleshin lirisht.

Shtrënguam duart dhe i thashë se gjërat kërkojnë kohën e tyre dhe ne do të bëjmë më të mirën që të përmbushim një lidhje të natyrshme. Për pak çaste u hap edhe më shumë dhe na u duk sikur ishim njohur kohë më parë.

Ishte çasti që u përvodha nga të gjitha arratitë dhe aventurat njohëse, që ishin në themelin tim për shkak të mënyrës se si më kishte ardhur jeta.

Kortezhi po i afrohej mbretërisë së të vdekurve. Shtëpizat e tyre feksnin në një hierarki të allasojtë. Sa herë shkelja në atë pllajë të mbingarkuar ndihesha më i squllur, më i zvogëluar për shkak të kujtimeve të shumta me shtegtarët që arratisen nga kjo botë.

Ndiqja nga afër makinën e funeralit. Shkreptazi, në pasqyrëzën qëndrore të makinës, teksa kontrolloja rrugën mbrapa, u ndesha me sytë e Noelit, vajzës time. Ishte si unë: tentonte të dukej shpërfillëse, por, gjurmët mavi e të buhavitur poshtë syve të saj vertetonin të kundërtën. Kish qarë në vetmi, pa ia treguar kujt dhimbjen. Ishte maskuar në pjesët e fytyrës më një kapele kovë, nga ato që e zhysin portretin në një lloj intimiteti që të largon nga gjindja. E dija mirë që përbrenda vlonte nga e njëjta qëndresë e ngjashme me timen. Ishte e heshtur në këtë përcjellje, sikur hekuroste portretet tona me një indiferencë të pakontrollueshme në dukje.

M’u ravijëzua për të njëqindtën herë çasti kur gjyshi dha frymën e fundit. Më vdiq në dorë. Thjesht u lëshua dhe m’u duk si një pajisje që fiket. Vdiq i qeshur, ose ashtu m’u duk mua. Nuk hoqi dhe nuk u prish në fytyrë, sikur po flinte. Ndërroi jetë në krahët e Monikës, vajzës së tij, me të cilën ishte shumë i lidhur.

Më dukej se ishte pjesa shpërbërëse e çdo formule e halli që ngjitej në familje. Një lidhje e pashkëputshme. Shpesh e ngacmoja duke i thënë se ju jeni dy qenie të barasngjashme në të gjitha gjërat që e ndërtojnë njeriun, deri në detajet më të padukshme. Ishte një lidhje që nuk mund t’i atribuohej fundi. Kështu që, Monika e përjetoi shumë. M’u duk sikur dikush i kish prerë të dy krahët; si një muskul masiv e i nderë që priste zhbërjen e vet nga një mundim i stërgjatë.

Ja pse i admiroja këta njerëz, se ishin të shtruar në dashurinë për të mbajtur fort e mirë atë pjesë që ishte e tyrja, e afërt, e familjes. Zakone e përbetimesh të heshtura për të mbajtur gjallë atë njeri që iku natyrshëm, në orët e tij të mjaftueshme, për të pushuar gjatë në një gjendje të tillë që ushqehej nga dashuria e pakryer, si në prani ashtu dhe në mungesë.

Një leksion që unë e kisha provuar në një marrëdhënie të gjatë e të heshtur me të gjithë ata që më rrethonin, që e blinin në kosto të pashlyeshme qetësinë time, që tingëllonte si pjekuria e një burri.

Sa herë hapet dera e shtëpisë shumë ngadalë e me kujdes të tepërt më duket se Ai, gjyshi i fëmijëve, Misha, po hyn brenda; një ndjesi që ma lehtëson peshën e tij të fshehur brenda meje. I lehtë, i pazhurmë, shumë i veçantë e me qeshje në buzë. Kaur i mirë, thoshja gjithnjë me veten: një prerje njerëzore nga ato që nuk mund ta braktisësh kurrë duke e nxjerrë nga ndjesia e mirë e shembullit të rrallë. Një lloj bimësie njerëzore që kërkon hapësirë jete në të gjitha rasat e shpërfaqjes së qenies mbi dhé.

Ende jam si i dehur nga një realitet që nuk dua ta pranoj.E mbaj brenda vehtes me idenë që do trokasë papritmas ashtu pa u ndjerë në një djersitje të përherëshme për njerëzit dhe në një hap të shpejtë në ndihmë të çdokujt.

Thjesht një kaur i mirë, kalimtar me frymë në një jetë të pakuptueshme me misionin e shpërfillur të një burri modern që nuk sillej si burrë nga ata tipikët e me një lakim të lehtë muzikor që jehon ende në tingullin drithërues të gazmimit në trevat e përtejme diku afër Dibrës së madhe. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH