Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 16 vatra zjarri në disa zona të vendit. Aktualisht, 4 prej tyre mbeten ende aktive në Elbasan, Finiq, Tiranë dhe Has.
Zjarret janë përhapur kryesisht në zona me shkurre dhe bimësi, por në dy raste ka pasur edhe dëme materiale. Në fshatin Seman i Ri në Fier, një banesë u përfshi nga flakët – pronari u dërgua në spital, ndërsa shtëpia pësoi dëme në orendi dhe pajisje elektroshtëpiake. Ndërkohë, në Fushë Prezë të Vorës, një hangar me bar u dogj duke shkaktuar djegien e rreth 1600 dengjeve me bar.
Në terren janë angazhuar 21 automjete zjarrfikëse, 190 forca operacionale, 35 ushtarakë, një helikopter Cougar, dy zjarrfikëse ushtarake dhe një grup ekspertësh për matjen e ndotjes së ajrit.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr. Në rast se konstatojnë tym ose flakë, qytetarët duhet të njoftojnë menjëherë shërbimet përkatëse.