Aktualitet

Mashtrim me miliona? Gjykata lë në fuqi masat për të arrestuarit në skandalin “Bankers Petroleum”

Shkruar nga Liberale.al

Mashtrim me miliona? Gjykata lë në fuqi masat për të

Ka përfunduar seanca në Gjykatën e Shkallës së Parë të Fierit për të arrestuarit në kuadër të hetimeve ndaj kompanisë “Bankers Petroleum Albania Ltd”, pas operacionit të zhvilluar më 2 korrik në zyrat qendrore të saj.

Gjykata vendosi të lërë në fuqi të gjitha masat e sigurisë të kërkuara më parë nga Prokuroria e Fierit, e cila akuzon disa prej zyrtarëve dhe punonjësve të kompanisë për evazion fiskal, shpërdorim detyre dhe mashtrim me TVSH-në.

Të pandehurit janë shprehur në sallën e gjyqit se janë të pafajshëm dhe nuk kanë pranuar asnjë nga akuzat.

Sipas Prokurorisë, hetimet nisën më 30 dhjetor 2023, pas një kallëzimi nga Drejtoria e Hetimit Tatimor. Nga hetimi ka rezultuar se kompania ka raportuar humbje për çdo vit nga 2004 deri në fund të 2024, pavarësisht faktit se ka tregtuar sasi të mëdha karburanti në zonat naftëmbajtëse të Patos-Marinëz dhe Fier.

Gjatë këtyre 20 viteve, “Bankers Petroleum” ka realizuar shitje dhe eksporte me vlerë mbi 532 miliardë lekë, por ka deklaruar gjithmonë shpenzime më të larta se të ardhurat. Në këtë mënyrë, sipas prokurorisë, kompania nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin dhe ka përfituar rimbursime të mëdha të TVSH-së në mënyrë të dyshimtë.

Autoritetet dyshojnë se janë përdorur skema mashtrimi dhe dokumente të falsifikuara për të mbuluar veprimtari të paligjshme financiare. Po ashtu, nën hetim janë edhe kompani të tjera dhe individë të lidhur me këtë aktivitet.

Hetimet vijojnë, ndërsa Prokuroria e Fierit thotë se dyshimet përfshijnë edhe skema të pastrimit të parave, duke e përshkruar çështjen si një nga më të mëdhatë në vend në lidhje me abuzimet tatimore.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH